Endrra Leicesteri i vogel po behet i madh

Endrra: Leicesteri i vogel po behet i madh

Të gjithë shohim me mosbesim dhe admirim skuadrën e Leiçester City-t, që po zhvillon një sezon të mrekullueshëm në Premier Ligë.

Forma e mirë e skuadrës së Leiçesterit u konfirmua edhe të martën në mbrëmje me fitoren 2-0 ndaj Liverpulit, duke konfirmuar lidershipin e saj.

Skuadra e drejtuar nga tekniku Ranieri udhëheq me meritë kampionatin.

Është tre pikë përpara Arsenalit dhe ka një përqindje të lartë mundësie, që skuadra në fjalë të arrijë një rezultat historik në këtë edicion sportiv.

Në hapësirën e 12 ditëve, Leiçester City ka tri sfida thelbësore për udhëtimin e saj drejt historisë.

“Tri sfida të pabesueshme”, perifrazonte Claudio Ranieri, të martën në mëngjes, kur skuadra e tij përgatitej të përballej me Liverpulin në fushën e saj.

Këtë fundjavë, skuadra e Leiçester ka transfertën e parë me një rival direkt, Manchester City-n, e më tej, 7 ditë më vonë do të udhëtojë drejt Londrës, ku skuadra e drejtuar nga Arsen Venger do të kërkojë të rimarrë vendin e parë në klasifikim.

Arsenal barazoi të martën me Southampton në fushën e saj, në një ndeshje me shumë emocion, por pa gola.

Kjo stuhi e vogël në udhëtimin e Leiçesterit drejt historisë është një provë force, e cila shihet nga ekspertët e basteve, si kthesa e fundit përpara dishezës së madhe drejt titullit.

“Është e rëndësishme të jemi gati”, shtoi Ranieri gjatë deklaratës së tij, teksa nxirrte në pah forcën e skuadrës së tij dhe momentin e rëndësishëm që grupi po kalon.

Ironia e fatit është fakti se fundi i stuhisë përkon me pasditen e ditës së dashurisë “Shën Valentinin” dhe ndoshta, skuadra e drejtuar nga strategu italian, Ranieri do të shijojë çajin e pasdites me një buzëqeshje dashurie drejtuar ngrohtësisht titullit, që është gjithnjë e më afër, në rast se rezultatet janë pozitive.

Në të kundërt, buzëqeshja dhe dashuria do t’i drejtohen motivimit se ky formacion po shkruan historinë dhe nëse rimbledh forcat dhe beson tek aftësia e grupit, një grup që habiti në fazën e parë.

Ata gjatë fazës së parë kanë arritur rezultate impresionuese dhe vetëm Liverpul e Arsenal kanë thyer forcën e skuadrës së Ranierit, teksa City (Manchester) ka marrë vetëm një barazim pa gola.

Pra fitorja ndaj Liverpul të martën, ishte një shenjë, se skuadra po forcohet gjithnjë e më shumë, teksa barra e provës në këtë drejtim mbetet në duart dy përballjeve të radhës, ndaj Arsenal e Manchester City-t.

“The Guardian” në një shkrim rezervuar skuadrës së Ranierit ngre pyetjen: A mendoni se Leiçester do të ulë rendimentin e saj?

Mendo përsëri.

Sigurisht futbolli është një nga ato sporte, ku nuk mund të bësh parashikime, por Leiçester i madh ka pasur shumë raste ku mund të rrëzohej dhe sërish janë ringritur duke rimarrë vendin e parë, prandaj çdo përpjekje për të gjetur të ardhmen do të ishte e dështuar, ose gati e dështuar.

Sipas “The Guardian”, jo shumë kohë më parë, në muajin nëntor, specialistët e futbollit vlerësonin se skuadrat e Manchester United, Chelsea-t, Liverpulit, Evertonit dhe Manchester City-t do të ishin skuadrat pretendente për titull.

Sot situata është ndryshe dhe çdo pritshmëri e ngritur mbi klubet e sipërcituar janë anuluar nga “arroganca” e treguar nga Leiçester, që theu të gjitha parashikimet.

Të gjithë jemi të qartë se forca e Leiçesterit është grupi dhe se asnjë prej lojtarëve të përzgjedhur në formacion nga Ranieri nuk ka pësuar dëmtim, çka ka lehtësuar punën e teknikut, që në një eventualitet fatkeq, si dëmtimi, do të vihej në një provë të vërtet mbi aftësitë e tij për të menaxhuar resurset e skuadrës.

Ndoshta, shkruan në artikullin e saj prestigjiozja britanike, kjo është edhe arsyeja, që skuadra e Leiçester City-t gjatë merkatos së janarit nënshkroi me Daniel Amartey dhe Damari Gray.

Këta dy lojtarë, i shtohen repertorit të blerjeve të Leiçester gjatë fushatës së verës së shkuar, ku nën urdhrat e Ranierit u vendosën N’Golo Kante, Christian Fuchs, Robert Huth (ky pati një impakt të mrekullueshëm, duke fituar dhe një rinovim kontrate në kohë rekord) dhe Shinji Okazaki, të cilët kanë zënë një vend të rëndësishëm në skuadrën e ngritur nga trajneri italian, që i ka dhënë Leiçesterit një fizionomi të mirë përcaktuar, duke mbrojtur e sulmuar të gjithë.

Kjo ka sjellë rezultate, që për pasojë janë shoqëruar me optimizëm, vetëbesim dhe forcim gjithnjë e më shumë të grupit. Gjithsesi Leiçester fluturon jo në kuota të larta, pasi skuadra tenton që këtë udhëtim ëndërrimtar ta bëjë duke ruajtur shikim me tokën.

Dhe kjo e fundit konkretisht është Manchester United, që kërkon një vend në Ligën e Kampionëve.

Largësia për momentin është 10 pikë dhe duket një distancë e madhe për t’u mbushur, por ndoshta dy sfidat e radhës për Leiçesterin mund të jenë një katastrofë e vërtetë dhe distanca të kthehet në katër pikë, duke rihapur gjithçka.

Lidhur me këtë mundësi, “The Guardian” konsulton dhe historinë, kur në vitet e largëta ‘70-‘80, skuadra si: Aston Villa, Nottingham Forest…etj., surprizonin me performancat e tyre, duke përfaqësuar futbollin anglez në turnetë prestigjiozë europianë.

Por duhet thënë se pas vitit 1990, në futbollin modern, atij të Ligës së Kampionëve, skuadrat e nivelit të ulët kurrë nuk kanë arritur të thyejnë tabunë e të mëdhave dhe nuk kanë arritur të qasin Europën. Në vitin 2001-02 futbolli anglez pësoi një rritje të madhe, çka u pasqyrua edhe në rritjen e numrit të skuadrave pjesëmarrëse në Europë.

Por 15 vite më parë Leiçster ishte një nga ato skuadra e parë që binte nga kategoria dhe Liga e Kampionëve ishte një utopi.

Por faqet e historisë kanë pasuar njëra-tjetrën, fanellën e Leiçester City-t një dekadë më vonë e kanë lojtarë të cilët kërkojnë historinë dhe jo vetëm e kanë marrë këtë skuadër nga ligat inferiore për ta promovuar në Premier Ligë, por tashmë po drejtojnë atë drejt Europës dhe akoma më tej drejt titullit kampion të Premier Ligës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama