Pse i mohohet titulli Nderi i Kombit Panajot Kanacit

Pse i mohohet titulli 'Nderi i Kombit' Panajot Kanacit

Edhe këtë vit, mjeshtëri i valleve Rexhep Çeliku, i cili aktualisht është drejtues në Ansamblin Kombëtar të Valleve dhe Këngëve, ka menduar që ta fillojë sezonin artistik me një koncert dedikuar Panajot Kanaçit, për 92-vjetorin e lindjes. Duke e cilësuar si babanë e koreografisë shqiptare, Çeliku ndalet për të na treguar sesa shumë kontribut ka dhënë ky artist në koreografi edhe pse ende nuk është vlerësuar me titullin “Nder i Kombit”. Kjo është një kërkesë e kahershme e Rexhep Çelikut dhe e anëtarëve të tjerë të ansamblit, drejtuar Presidentit të vendit, që ende nuk është “dëgjuar”.

 

Gjatë një bisede me të, valltari Rexhep Çeliku shprehet se me rastin e 92-vjetorit të lindjes e kujtojnë jo vetëm si person mjeshtrin Panajot Kanaçi, por dhe si një koreograf që ka bërë karrierë të gjatë artistike, duke sjell larmi në koreografinë shqiptare. “Ne nuk po e kujtojmë vetëm si person, por edhe si një nga themeluesit e koreografisë shqiptare, do të thoja si babanë e saj, i cili duhet të vlerësohet me titullin ‘Nderi i Kombit’”, thotë ai. Kanaçi këtë titull, sipas valltarit, e ka merituar shumë kohë më parë, qysh kur ishte gjallë, por meqenëse nuk e gëzoi sa ishte në jetë, ai duhet të vlerësohet së paku tani.

Programi nuk do të ketë valle epike apo valle lufte, por valltarët e rinj të ansamblit do të kërcejnë vallet më të gëzuara dhe tërheqëse që identifikojnë Panajot Kanaçin. “Dëshira e tij ka qenë që të gjitha vallet të kenë freski, liri dhe shpresë. Në këtë prizëm ne zgjodhëm nga repertori i tij pjesë që sjellin një festë të re. Ka valle festive të Shqipërisë së Mesme, të Veriut dhe Jugut, të cilat përbëjnë larmi ngjyrash në koreografinë shqiptare”.

E teksa kujton momentet e para të takimit me të, e cilëson dhe si një baba të dytë. Ai na tregon plot nostalgji kujtimet që ruan me të. “Qysh në moshën 14-vjeçare më ka marrë në punë. Ai është një babai i dytë për mua”. Karrierën e tij të gjatë në ansambël si valltar dhe si drejtues ia dedikon profesorit të tij. Sipas Çelikut, ndihma që ky koreograf u ka dhënë valltarëve të rinj ka qenë e madhe.

 

“Ishte një ndër koreografët që pëlqente shumë gjënë e re dhe elementët e rinj. Ai donte frymën e re. Ka qenë një artist që i ka dhënë shumë dorë rinisë, ashtu sikurse dhe mua, sepse më ka mbështetur shumë, qysh nga fillimi e derisa u nda nga jeta”. “Vallja e Shqiponjave” është një nga punët koreografike që është ngulitur fort në kujtesën e çdokujt që e ka parë. Fabula e saj, trajton sesi Shqipëria ndihmon Kosovën dhe të dyja ngrihen së bashku. Ky numër koreografik ende dhe sot për Rexhep Çelikun e mbetet si një nga punët më të veçanta, që ka pasur gjatë bashkëpunimit me profesor Kanaçin. “Gjatë një periudhe profesor Panajot Kanaçi kaloi një sëmundje. Asokohe ai kishte nisur krijimtarinë për duetin e shqiponjave.

Mendonte që me këtë realizim të tregonte marrëdhënien midis Kosovës dhe Shqipërisë. Dy shqiponjat që fluturojnë tregonin sesi Shqipëria ndihmon Kosovën, që të lulëzojnë së bashku. Ai e la përgjysmë dhe koreografinë e vazhdova unë. Arritëm deri në pikën kulmore, por kur erdhi profesori dhe e pa të përfunduar tha: “Kësaj i mungon diçka tjetër, i mungon kafshimi që shqiponja bën me dhëmbë kur ngre të voglin për t’i dhënë jetë”. Ky moment i ka mbetur ende në kujtesë Çelikut, sepse mësoi sesi profesori i tij, arrinte t’i jepte jetë një fabule. Përveçse si një artist të madh, ai e kujton dhe si një njeri me shpirt demokrat, i cili donte që të gjithë njerëzit të jetonin lirshëm, të mos bënin atë që u thoshin të tjerët as në art dhe as në jetën e përditshme. “Ai gjithmonë synonte te liria e zgjedhjes. Donte që të ishte i lirë në drejtim të krijimtarisë së tij. Prandaj një dekorim dhe titull për të duhet, sepse ka lënë gjurmë te disa breza, duke i edukuar me frymën e tij”.

Konceptimi i korifeut të baletit shqiptar Panajot Kanaçit për vallëzimin, sipas monografisë “Kështu e njoha unë Panajot Kanaçin” shkruar nga Albert Janku ishte: “Të vallëzuarit i ngjan valëve të detit, kur janë të qeta bëjnë të ëndërrosh dhe kur janë të shqetësuara dhe të larta, dëshiron të fluturosh në krahët e ëndrrave që ndjell pamja e këtyre valëve. Jo gjithkush e ndjen këtë gjë dhe nuk arrin të kuptojë se trupi i njeriut ka aftësinë të shprehë botën dhe ndjenjat në tërë labirinthin e jetës njerëzore.

 

Dëshirat dhe qëllimet e mia, gjithmonë kanë qenë për të afruar artin e kërcimit më ndryshe dhe më afër zhvillimit të shijeve të shoqërisë, civilizimit dhe emancipimit, që ndodhte në këto kohë përtej meje dhe nesh në shoqërinë botërore. Shpesh jam menduar dhe ndonjë rast ia kam arritur të bashkoj në shfaqje kërcimin, lëvizjen, tingullin e zërit, fjalën, ngjyrën dhe emocionet që rrjedhin nga këto, për të magnetizuar të pranishmit në sallë, për të arritur të fshij sa më shpesh, që është e mundur barrierën, e cila ndan interpretët dhe autorin me publikun”.

Biografia

Panajot Kanaçi (1923-1996) lindi në Delvinë. Ai kreu filloren në Shkollën Plotore të Sarandës. Gjatë adoleshencës së tij kaloi në një fazë ku “djali i ri, kërkonte hapësirë, donte të mbështetej diku, t’i afrohej të pakuptuarës dhe të pakapshmes”. Kjo diktohet edhe në monografinë që i është kushtuar atij nga Albert Janku. Pas mbarimit të studimeve në Liceun Artistik të Tiranës (1943), vetëm 3 vjet më vonë krijoi një grup valleje, që e veçon dhe sot si nismëtarin e baletit shqiptar. Për herë të parë në Teatrin Popullor kërceu “Minuetin” nga Moxarti dhe “Vallen nr.1” të Brahmsit. Në vitin 1950 u formua Filarmonia Shqiptare, ku ishte përfaqësues i koreografisë. Ka kërcyer te “Shatërvani i Bahçisarajt”dhe “Esmeralda”. Në vitin 1951 ka kërcyer me grupin e valleve në Festivalin Botëror të Rinisë në Berlin. Më vonë shkoi në Moskë për studime dhe u rikthye në vitin 1962. Pas operës “Karmen” vuri në skenë “Françeska da Rimini” dhe po atë vit, filloi baletin e parë kombëtar “Halili dhe Hajria” me muzikë të Tish Daisë. Në vitet 1970-74 Panajot Kanaçit iu ndalua baleti “Esmeralda” bazuar në romanin e Viktor Hygosë, “Katedralja e Parisit”. Pas kësaj goditje nga regjimi rehabilitim për të do të ishte festivali i Dizhonit, ku u vlerësua me “Gjerdan të Artë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama