Muzeu Dioqezan- Kryqi i thyer i Dukagjinit si u mbijetoi luftes e komunisteve

Muzeu Dioqezan- Kryqi i thyer i Dukagjinit, si u mbijetoi luftes e komunisteve

Në Shkodër ajo njihet ende si Kisha e Madhe në të folmen e përditshme, e ndryshe mban emrin Katedralja e Shën Shtjefnit. Historia e ndërtimit të saj, shkon thellë në histori dhe përfshin një leje (marrë për ndërtim) nga Sulltani, si dhe kontributin në para të pashait të Shkodrës, perandorit austro-hungarez dhe Papa Piut, për të shënuar me po aq rëndësi tokën e dhënë nga Martin Gjonej dhe gratë e Shkodrës, që vunë stolitë e tyre të arta në gurin e themelit ku shkruhet “Zoti sheh gjithçka”.

Së fundmi, kësaj trashëgimie që shkon në 1850-ën i shtohet një Muze Dioqezan. Dom Artur Jaku, famullitar i Katedrales së Shkodrës, në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE” tregon jetën e saj, në kohë e regjime të ndryshme, çfarë ruhet ende sot- ç’ka mundur pra të mbijetojë ndër dekada.

Në atë muze janë mbledhur dëshmi besimi, e përmes tyre edhe dëshmi të luftës e paqes që kanë kaluar e lënë gjurmë, ashtu sikundër pasqyrohet edhe rebelimi ndaj pushteteve, kur herë-herë është dashur që ritet të praktikohen fshehurazi. Dom Jaku, tregon shumëçka për kishën e muzeun, pa lënë jashtë vëmendjes kontributin që kanë lënë aty edhe emrat e artit nga Kolë Idromeno.

-Dom Artur Jaku, çfarë do të thotë për Shkodrën, hapja e muzeut dioqezan?
Do të doja t’i përgjigjesha pyetjes me pyetjen: Sa do të tregojë për Shkodrën ky muze? Sa herë themi “Shkodra”, gjithmonë kujtojmë historinë e saj, që i dha kuptim emrit dhe vlerë. Pikërisht kjo histori përmes së cilës kuptohet Shkodra, do të jetë e pasqyruar përmes objekteve. Muzeu do të flasë shumë për Shkodrën, me zër e pa zë, por me kohën- brohoritësen më të fuqishme, pikërisht sepse nuk u ndalua kur ishte e ndaluar dhe jetoi aty ku nuk mbijetohej.

-Në muze shohim kryqe, kambana, por jo vetëm. A mund të na thoni sa vite janë përmbledhur në të?
Në muze janë të ekspozuara shumë objekte, si kambana, basorelieve, veshje, kryqe, fytyra etj. Të gjitha këto objekte janë në funksion të idesë së muzeut, të pasqyrojë realitetin e historinë e një pjese të kishës në Shqipëri gjatë pushteteve të ndryshme, dashurinë me të cilën janë ruajtur si dhe guximin për të praktikuar fshehurazi ritet fetare. Një besim me rrënjë të thella të cilat pushtetet mundën vetëm ta “trondisin”, por jo të shkëputnin limfën e jetës, ungjillin apostolik.

-Mes të tjerash kam parë një gjysmëkryq… Çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër të tij?
Ju po i referoheni “kryqit të Dukagjinit”, edhe pse në muze shumë objekte i kanë gjurmët e kohës dhe janë të dëmtuara… Ky gjysmëkryq le të themi ka dy histori. E para ka të bëjë me vetë historinë e vet, mënyra se si u ndërtua gjatë luftës malazeze, dhe ka emrat e të gjithë atyre që mbetën të vrarë. Ndërsa e dyta histori, është mënyra se si u ruajt gjatë komunizmit. Mendohet se pjesa tjetër është përdorur si tra në dritaren e shtëpisë së një banori të Dukagjinit, por nuk dihet se ku mund të jetë saktësisht.

-Cilat janë objektet më të vjetra që ekspozohen?
Objektet janë marrë nga zonat e thella si Zadrima, zona e Nënshkodrës, Dukagjini, Malësia e Madhe, Shllaku etj., e janë objekte për të cilat vetë banorët kanë treguar historinë e tyre, të ruajtjes dhe se si këto objekte kanë shërbyer gjatë regjimit për të ruajtur lidhjen me besimin. Pasi janë parë vlerat e tyre, kemi menduar që të bëjmë ekspozimin e tyre.

-Te këndi i tingullit, ekspozohen kambanat e vjetra. Sa janë dhe ku ka qenë më herët?
Në jetën dhe organizimin e kishës një vend të veçantë zënë edhe kambanat, të cilat dikur përdoreshin për të lajmëruar besimtarët për kremtimin e eukaristisë. Në muze do shikoni se ka shumë të tilla, që janë ruajtur me fanatizëm nën tokë nga besimtarë të ndryshëm dhe datojnë në vite të ndryshme.

-Në gurin e themelit të Katedrales është shkruar “Dio Vede Tutto” ose “Zoti Sheh Gjithçka”. Për ç’arsye qe vënë kjo shprehje?
Guri i themelit është në skaj të kishës dhe ende sot shihet një trekëndësh me fjalët e skalitura në italisht “Dio vede tutto”. Syri dhe shprehja janë mjaft të kuptueshme nga secili; është pikërisht vetëdija që Zoti sheh gjithçka, edhe pjesën tonë më të fshehtë, asgjë nuk i ikën shikimit të Zotit. Momenti historik i bekimit të gurthemelit të katedrales është përjetësuar në vitin 1968, në tablonë me të njëjtin emër nga Simon Rrota e dom Injac Dema, që ndodhen aktualisht pas altarit të katedrales.

-Sa i takon katedrales, ju keni folur për një histori që zë fill në vitin 1858… Si nisi ajo?
Historia e Katedrales në fakt është prapë më e hershme se viti 1858. Pas forcimit të protektoratit të Austro-Hungarisë, leja për ndërtimin e saj u mor nga sulltani në vitin 1851, por ndërtimi filloi pas 7 viteve për mungesë financiare. Më 7 prill 1858 u vendos kryqi aty ku sot është altari i madh, dhe u ngulën piketat në arën e Marin Gjonej, i cili e dhuroi tokën.

Valiu i Shkodrës, Avdi Pasha, lexoi fermanin (dekretin) e sulltanit dhe dorëzoi 700 lira ari turke, ndërsa papa Piu IX dhuroi 1000 skuda floriri, Perandori i Austrisë dhuroi 150 napolona ari, gratë e Shkodrës hoqën sendet e arit dhe i hodhën në gurin e themelit. Guri i themelit u bekua nga imzot Ivan Topic, ishin të pranishëm shumë meshtarë, e funksionarë të tjerë, të treguar në librin e Gjush Sheldisë që flet për ndërtimin e katedrales. Përmasat e mëdha të saj kanë vështirësuar si punën nga ana teknike, ashtu edhe mbulimin financiar, por duhet thënë se Shkodra e ka dashur, prandaj edhe ia doli ta ndërtonte në ato përmasa aspak të lehta për kohën.

-Ju keni folur për “Muzikën pa zë” përdorur te kompanjeli, por cili është kontributi i Kolë Idromenos te Kisha e Madhe?
Janë të shumtë artistët, arkitektët, inxhinierët që kanë kontribuar në ndërtimin e katedrales. Idromeno spikat me kambanaren e 1890-ës, pikturën e të “Shenjtërushmes Trini me apoteozën Eukaristisë”. Kisha dhe këmbanorja u dëmtuan nga tërmeti (1905), të cilat u restauruan nga Idromenoja, më pas tavani i katedrales, që është një mjeshtëri e art më vete. Dua të theksoj se kremtimi i 100-vjetorit të gurit të themelit të katedrales ka shërbyer si ngjarje që e ka rigjallëruar, shndërruar me një veshje më të hijshme, me piktura e dekorime, me skuadra artistësh që kanë punuar e i dhanë një vlerë tjetër katedrales.

-Në komunizëm, ajo ndërroi ‘shërbim’. Si u shndërrua?
Deri në vitin 1967, kisha katedrale dhe famullia e kanë kryer funksionin e vet, edhe pse presioni i valës komuniste ishte mjaft i madh. Vitin e zi 1967, në të cilin u mbyllën të gjitha objektet e kultit, kisha e madhe u shndërrua në Pallat Sporti. Si për çudi të shfrenisë absurde të pushtetit komunist në 1973, në katedralen e mjeshtërve të mëdhenj që kishin përjetësuar të përjetshmen, u mbajt kongresi kombëtar i grave komuniste.

Deri në ndryshimet e sistemeve, Kisha e Madhe ka shërbyer si Pallat Sporti, dhe me këtë pamje priti edhe Papa Gjon Palin II dhe Nënë Terezën. Më pas, gjatë këtyre dekadave ka pasur ndërhyrje të ndryshme për rikonstruksionin e saj dhe sot besimtarët e famullisë e jo vetëm, gëzojnë një oborr të mirë e të sistemuar, por është ruajtur çdo linjë dhe detaj i arkitekturës, dhe ka tashmë edhe një muze, që do t’u kujtojë breznive rrënjët dhe historinë tonë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama