Nënkryetari i PDK në Lezhë dhe kandidat për deputet i mazhorancës në pushtet, Eduart Ndocaj, ka reaguar pas deklaratës së Artan Lames për pllakën e Sulltanit në Kalanë e Lezhës.
Ndocaj thotë se Lame është person non grata në Lezhë.
“Artan Lame ka ofendur rënde gratë e lezhjanëve e gjithë shqiptarët. Nga sot ai është person i padëshiruar në Lezhë. Ai do të jetë i dëshiruar vetem kur të vijë në Lezhë e të kërkojë të falur grave lezhjane duke qarë para varrit të Gjergj Kastriotit, shpëtimtarit të kombit shqiptar,” tha Ndocaj.
Një ditë më parë, Lame ishte shprehur: “Po bëhet një javë që të gjithë patriotët e stadiumeve i janë lëshuar pllakës së Sulejmanit, duke harruar që gjithë gratë e tyre çdo pasdite kselhasen e qajnë duke parë telenovelat me Sulejman…
Thjesht ditën që do thyejmë pllakën (dhe ju garantoj që do e thyejnë), do kemi një dëshmi më pak të faktit që në këtë vend kanë banuar njerëz asokohe e jo vetëm çakej pylli e arinj mali. Dhe në fakt, veçanërisht muajt e fundit, asej ane na kanë ardhur plot raste dijetarësh që po i bëjnë nder edhe Tiranës”.