Gjermania ne finale nuk ka me magji turke

Gjermania në finale, nuk ka më
Ndeshja ka filluar me një ritëm të jashtëzakonshëm të skuadrës turke, e cila mbyll Gjermaninë në gjysmëfushën e saj. Në fillim është Altintop që vë Lehman në vështirësi me një depërtim në krahun e majtë. Ndërsa në minutën e 13-të vjen edhe rasti më i mirë për turqit me anë të Kazim Kazim, i cili lëshon një predhë të pakapshme për Lehman, por topi ndalet nga traversa. Epërsia në lojë e turqve konkretizohet me gol në minutën e 22-të. Sarioglu jep një top në zonë për Kazim Kazim, i cili e dërgon përsëri topin në traversë, ndërsa Boral ndjek aksionin dhe devijon sferën në rrjetë. Gjermania duket e dorëzuar dhe turqit provojnë të shënojnë një tjetër gol, të shtyrë nga euforia e avantazhit. Por skuadra e Lëv tregon edhe një herë se është shumë e rrezikshme në kundërsulm dhe godet me rastin e parë që i shfaqet në minutën e 26-të. Podolski shpërthen në krahun e majtë dhe pastaj jep një top në qendër për Shvajnshtajger, i cili devijon topin në portë, aty ku Rushtu nuk mund të arrijë. Pritet një ringjallje e Gjermanisë pas barazimit, por në fakt, është Turqia që shfaqet shumë më e rrezikshme duke krijuar raste të njëpasnjëshme.

Lehman tregon se nuk është në një ditë të mirë, pasi në minutën e 32-të gabon daljen dhe rrezikon të pësojë gol nga një goditje dënimi nga distanca e Altintop. Podolski provon të kundërpërgjigjet me një tjetër shpërthim në krahun e majtë, por gabon duke mos pasuar për Klosen në qendër, për të shpërdoruar një mundësi të artë. Megjithatë, turqit nuk kthehen në mbrojtje dhe është Ugur Boral që rrezikon përsëri me një goditje dënimi, duke detyruar Lehman të grushtojë topin. Më pas është Sarioglu që provon me një predhë nga jashtë zonës, por topi përfundon mbi traversë. Pjesa e parë mbyllet në barazimin 1-1, por me Turqinë e cila dominon thuajse tërësisht në këto 45 minuta të para. Me rikthimin në fushë të skuadrave, Lëv detyrohet të zëvendësojë Rolfes të dëmtuar, duke aktivizuar Frings.

Duket se skuadra gjermane ka më tepër dëshirë për të shënuar në minutat e para dhe është ajo që dikton ritmin. Ata pretendojnë edhe për një 11-metërsh pas një faulli të Sarioglu ndaj Lahm, por Busaka bën shenjë që loja të vazhdojë. Turqit e kuptojnë se tashmë duhet të mendojnë më shumë për mbrojtjen dhe mendojnë si të mbyllin çdo hapësirë për sulmin e rrezikshëm gjerman. Ritmi i lojës bie ndjeshëm, por Gjermania tregohet përsëri vdekjeprurëse përballë çdo gabimi të ekipit kundërshtar.

Në minutën e 79-të është Rushtu që gabon daljen për të larguar një kros dhe Klose përfiton duke shënuar me kokë golin e avantazhit. Por Turqia bën përsëri mrekullinë, duke barazuar rezultatin në minutën e 86-të. Sarioglu shmang Lahm në krahun e majtë dhe pason për Shenturk, i cili devijon në shtyllën e parë duke vendosur baraspeshën në shifra. Por këtë radhë "magjia turke" nuk është e plotë, pasi në minutën e 90-të është Filip Lahm që depërton në krahun e majtë pas një pavëmendjeje të mbrojtjes kundërshtare dhe dërgon topin në rrjetën e portës së Rushtu. Tashmë, skuadra turke dorëzohet dhe i lë vendin në finale Gjermanisë, ndonëse ishte skuadra që e kërkoi më shumë fitoren në këtë sfidë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama