Zidan jep notat e Evropianit
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Meqenëse ka qenë një nga lojtarët fantazistë më të mirë në botë, nuk përbën çudi fakti që Zidan është magjepsur nga talenti i një lojtari në veçanti. “Në ndeshjen ndaj Holandës, numri 10 i Rusisë (Andrei) Arshavin na ka impresionuar shumë. Gjithçka ai bën është e jashtëzakonshme. Është ende i ri dhe merr pjesë për herë të parë në një turne të tillë, kështu që nuk ka se si të mos e komentosh lojën e tij”. Kampioni i Evropës me Francën në vitin 2000, Zidan, ka qenë i pranishëm në tribunë në dy humbjet e Francës, ato me Holandën dhe Italinë, që sollën edhe eliminimin nga turneu. “Duhet ta fitonim takimin e parë me Rumaninë, – ka theksuar ai. - Në një kompeticion të tillë është kryesorja ta nisësh mbarë. Jam i zhgënjyer, sepse si tifoz dhe ish-lojtar i Kombëtares, prisja shumë më tepër se kaq. Shpresoja të bënin më shumë, nuk shkoi aspak mirë, por jam i sigurt se përfaqësuesja franceze ka një të ardhme të shkëlqyer, sidomos kur mendoj për Botërorin 2010. Ekipi im i preferuar? Portugalia, por që për fat të keq doli nga skena. Një ekip i kompletuar, me shumë elementë cilësorë, të fortë teknikisht dhe shumë solide në mbrojtje. Mirëpo, në çerekfinale u përballën me Gjermaninë, që nuk ishte paraqitur mirë në fazën e grupeve, por që ndaj Portugalisë ka ofruar një paraqitje perfekte”. Të mërkurën në Bazel, Gjermania do të përballet me Turqinë në gjysmëfinale. “Gjermania s’mungon kurrë në turne të rëndësishëm, mbërrin gjithnjë mes katër të parave dhe (Mikael) Balak di mirë se si ta udhëheqë skuadrën. Rusia ka treguar se është një skuadër me shumë kualitete, sidomos ndaj Holandës. Janë të përgatitur mirë fizikisht dhe kjo u dha mundësi të fitonin kundër holandezëve. Në kohën shtesë vazhdonin të ishin mjaft të freskët. Ka ende skuadra shumë të mira dhe në turne të tillë nuk mungojnë kurrë surprizat. Nuk e kam idenë se cila skuadër mund të fitojë, çdo parashikim i imi do të ishte i gabuar”.