Cili është mendimi juaj për Gordon Braun? A është e pafrenueshme rënia e laburistëve?
Shpresoj [qesh]. Kam kaluar kaq shumë vite duke i rënë me kokë një muri me tullë. Krejt papritur, muri është rrëzuar! Diçka e rëndësishme ndodhi në politikën britanike në maj 2008, mendoj, me tre palë zgjedhje që treguan një largim masiv të votave nga laburistët dhe ardhjen e tyre tek konservatorët. Ky muaji i fundit na ka bërë të vetëdijshëm se me të vërtetë duhet të përgatitemi për të qenë në qeverisje. Është reale.
Çfarë ndodhi? A ka patur një ndryshim madhor ideologjik në Britani, apo thjeshtë zhgënjim nga Brauni?
Për çdo qeveri, kur ka qenë në pushtet për më shumë se një dekadë, fillojnë dhe e mbysin gabimet, me hakmarrjen që shfaqet në kohëra të vështira ekonomike. Dhe vetë Kryeministri, duke qenë se ka qenë Sekretar i Thesarit, është i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë. Dhe nga ana tjetër, Partia Konservatore ka ndryshuar: baza e saj po zgjerohet, është më e hapur ndaj grave, minoriteteve etnike. Pavarësisht përpjekjeve qesharake të laburistëve në zgjedhjet e fundit për të thënë se është një parti vetëm pasanikësh, Partia Konservatore është një parti thuajse pa klasa. Ndoshta theksi që partia vendos mbi çështje të ndryshme ka ndryshuar, për shembull, në shërbimet publike, shëndetësi, arsim, transport etj.
Si do të ndryshonte politika e jashtme e konservatorëve nga ajo e Qeverisë Braun?
Ne nisemi nga ideja që një vend përfiton nga vazhdimësia mes administratave si dhe mbështetja ndërpartiake, kështu që nuk po kërkojmë gjëra që na përcaktojnë si të ndryshëm në fushën e politikës së jashtme. Kemi goxha ide të përbashkëta sa i përket Darfurit, Zimbabvesë, qasjes sonë ndaj Kinës, Rusisë. Ndryshimi më i dukshëm i përket politikës evropiane. Ne jemi kundërshtarë të Traktatit të Lisbonës, që aktualisht ndodhet në proces ratifikimi. Mendojmë se duhej të kish patur një referendum; mendojmë se atij do t’i mungojë legjitimiteti demokratik nëse nuk pati referendum. Ne jemi skeptikë për integrimin politik në Evropë; mendojmë se në shumë drejtime ka shkuar shumë larg, ndonëse jemi entuziastë për bashkëpunimin evropian sa i përket tregut të përbashkët, tregtisë, apo marrëdhënieve me Rusinë.
Si do t’i zhbënit lidhjet evropiane?
Në fushën e politikave sociale të papunësisë, si dhe politikave bujqësore dhe të peshkimit, të cilat kanë qenë vazhdimisht të kushtueshme dhe kanë kontribuar për rritjen e çmimeve të ushqimeve në botë. Po kështu, e gjithë fusha e drejtësisë dhe punëve të brendshme, që duhet të jenë çështje të shteteve të veçanta.
Konservatorët po bëhen të gjelbër në të gjithë Evropën. A jeni në një linjë me laburistët tani?
Qeveria laburiste po përpiqet të vendosë targete afatgjata për lëshimet e karbonit, dhe ne duam targete vjetore. Konservatorët po caktojnë ritmin për çështjet mjedisore.
A kanë mbetur mjerisht prapa republikanët në SHBA?
Ka patur një ndryshim në të menduar në administratën Bush. Kur ne e filluam këtë, pashë që disa republikanë u habitën. Al Gore ka ardhur dhe ka folur tek ne në qeverinë hije. Ai në fakt ka dhënë prezantime para nesh, të cilët mendoj se ishin goxha të vlefshëm, dhe për këtë i heq kapelën. Në zgjedhjet kombëtare, çështjet kryesore do të jenë shkollat, niveli i taksave, numri i krimeve, kujdesi shëndetësor. Çështjet mjedisore do të jenë më të rëndësishme se më parë, por jo në një nivel me këto.
Disa konservatorë amerikanë thonë se Xhon MekKein nuk është tamam prerje konservatore.
Ka një gjë në lidhje me konservatorët, ata janë të ndryshëm në çdo shtet. Socialistët mund të zhvillojnë një takim të një internacionaleje socialiste dhe të kenë të njëjtat parime abstrakte, dhe ata të gjithë bashkë janë gabim. Por konservatorët bazohen në zakone dhe intuita të vetë shtetit të tyre. Fakti që konservatorët amerikanë janë “Republikanë” thekson se sa të ndryshëm janë ata. Ne jemi monarkistë!
Nga : Gazeta Metropol











