Zgjerimi i veprimeve luftarake ne viset e tjera

Sukseset e kryengritësve në Kosovë i dhanë një shtytje të mëtejshme lëvizjes kombëtare në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, forcuan gatishmërinë e popullsisë së tyre për t’u hedhur në kryengritjen e armatosur.
Një nga vatrat e luftës së armatosur të shqiptarëve kundër regjimit xhonturk u bënë krahinat e Mirditës e të Lezhës. Në Mirditë që në fund të muajit prill kishin filluar sulmet kundër postave të xhandarmërisë. Në fillim të muajit maj zadrimorët dhe mirditasit u ndeshën me forcat osmane, numri i të cilave arrinte në 2 500 veta, që ishin dërguar për zbatimin e reformës në armën e xhandarmërisë në zonën e Mirditës. Luftimet zgjatën pesë ditë dhe u zhvilluan në vijën Vjerdhë-Gomsiqe-Naraç. Ato nuk arritën t’i thyenin kryengritësit, midis të cilëve qe radhitur edhe at Shtjefën Gjeçovi, dhe u detyruan të sprapsen, duke lënë dhjetëra të vrarë e të plagosur.
Shtimi i radhëve të kryengritësve në këto treva krijoi kushtet për të ndërmarrë veprime luftarake të përmasave më të mëdha. Më 11 maj 1912, në mbledhjen e organizuar në fshatin Zejmen, 30 përfaqësues të Bregut të Matit, të Kthellës, të Malësisë së Lezhës e të Mirditës lidhën “Besën Shqiptare” dhe vendosën të sulmonin Lezhën. Por përfaqësuesi konsullor austro-hungarez në Shkodër, Fon Zambaur, i këshilloi kryengritësit (me anën e sekretarit të peshkopit të Shkodrës) që të hiqnin dorë nga sulmi i planifikuar mbi qendrën e krahinës. Ndërkohë, autoritetet osmane dërguan përforcime nga Shkodra, çka e bëri më të vështirë çlirimin e qytetit.
Më 15 qershor, në vendin e quajtur Qafa e Trapit, të besëlidhurit e kësaj treve u përleshën me forca të mëdha osmane, të mbështetura edhe nga artileria. Kryengritësit lanë tetë të vrarë, midis të cilëve edhe dy gra. Forcat armike u tërhoqën me humbje të mëdha në Lezhë, ndërsa kryengritësit u përqendruan në Pëdhanë.
Më 21-22 qershor malësorët e Bregut të Matës u zunë pritë forcave osmane që po shkonin prej Lezhës në Tiranë dhe pas një përpjekjeje që zgjati tri orë i thyen ato. Turqit lanë dhjetëra ushtarë e xhandarë të vrarë e të plagosur, midis tyre edhe katër oficerë. Por edhe nga kryengritësit pati të vrarë e të plagosur.
Pas sukseseve të para kryengritja në këto anë u zgjerua më shumë. Në krye të saj u vu Gjeto Coku e të tjerë, që tani luftonin në një zonë të gjerë nga Kepi i Muzhlit e deri në Shëngjin. Kryengritësit vendosën kontrollin mbi rrugën Tiranë-Shkodër, ndërprenë linjat telegrafike, duke rrezikuar kështu sigurinë e forcave osmane në veri të Shqipërisë.
Ndërkohë u përfshi në kryengritje, në shkallë më të gjerë, grupi i kryengritësve në Shqipërinë e Mesme, i udhëhequr nga Abdi Toptani, që zhvilloi luftime me njësitë turke në Tiranë, në Shijak e në Krujë.
Po në qershor lëvizja e armatosur nisi të shtrihej në zonën e Dibrës, ku nën udhëheqjen e Ismail Strazimirit u ngritën fshatarët e Çidhnës, të Arrasit e të Muhurit. Malësorët e Nëntë Maleve të Dibrës së Epërme dhe të Poshtme thirrën “Kuvendin e Dheut”, te vendi i quajtur Gropa e Ujkut, ku u kërkua largimi i forcave ushtarake dhe i postave të xhandarmërisë, hapja e shkollave shqipe, anulimi i detyrimeve të vergjisë dhe kryerja e shërbimit ushtarak në vend. Ndërkohë, rreth 300 ushtarë osmanë, që ndërmorën një sulm kundër kryengritësve në zonën e Gjurasit, të Homeshit, të Dardhës e të Reçit, u thyen nga fshatarët e këtyre anëve dhe të shpartalluar u detyruan të ktheheshin në Dibër prej nga nuk guxuan të dilnin më.
Dalja në mal e Tajar Tetovës dhe e ushtarakëve të tjerë të bashkuar me të, ndikoi në zgjerimin e lëvizjes kryengritëse në zonën e Dibrës, sidomos në atë të Korçës e të Kolonjës. U vendos një bashkëpunim i grupit të Tajar Tetovës me çetat e Sali Butkës e të Izet Zavalanit dhe u bashkuan me kryengritësit mjaft krerë të tjerë të Jugut.
Ndërkaq kishte filluar riorganizimi i çetave kryengritëse, si dhe krijimi i çetave të reja në jug të vendit, ku vepronin Themistokli Gërmenji?, Sali Butka, Spiro Bellkameni, Memduh Zavalani etj. Ato u përleshën me forcat turke në zonën e Frashërit e të Kolonjës. Çetat merreshin edhe me asgjësimin e elementëve tradhtarë, vegla të xhonturqve. Por në këto treva nuk qenë mënjanuar ende luhatjet e elementëve të moderuar, ku bënte pjesë edhe Myfit Libohova. Këta ngurronin të fillonin luftën e armatosur në shkallë të gjerë. Sali Nivica u bënte thirrje shqiptarëve të Jugut që të kapërcenin qëndrimet pritëse, të bashkoheshin me kryengritjen duke vendosur lidhje me Hasan Prishtinën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama