Veliaj prezanton penalitetet ja sa do ndeshkohen pisanjoset

Veliaj prezanton penalitetet, ja sa do ndeshkohen 'pisanjoset'

Veliaj prezanton paketën e penaliteteve për të gjithë ata që do të dëmtojnë dhe vandalizojnë pronën e përbashkët. Gjoba për hedhjen e mbeturinave në rrugë jashtë kontenierëve, kryerjen e punimeve pa leje, vjedhje apo dëmtimin i pusetave, shfrytëzimi i paligjshëm i hapësirave publike etj.

 
Bashkia e Tiranës, ashtu siç edhe kishte bërë të ditur një ditë më parë, ka publikuar dje 7 masat penalizuese për të gjithë ata qytetarë që ndotin, dëmtojnë apo zaptojnë hapësirat publike.

Masat konkrete për çdo shkelje i ka bërë publike vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një takimi që zhvilloi dje me 24 administratorët e njësive të Tiranës, ku përfshihen hedhja e mbeturinave në rrugë jashtë kontenierëve, kryerja e punimeve pa leje, vjedhja apo dëmtimi i pusetave, shfrytëzimi i paligjshëm i hapësirave publike apo vandalizimi i tyre, etj.

Në total janë 7 masa që kërkojnë jo vetëm të zhdëmtojnë pronën e dëmtuar, por edhe të ndërgjegjësojnë qytetarët për respektimin e rregullit dhe ligjit në jetën e përditshme në komunitet. “99% e qytetarëve nuk i hedhin plehrat në rrugë, 1% e bën; 99% e qytetarëve nuk urinon poshtë Lanës, pas Pallatit të Kulturës apo te Monumenti i Pavarësisë, 1% e bën; 99% e Tiranës nuk pështyn në tokë, 1% e bën.

Pse duhet që 99% e qytetarëve që respektojnë ligjet, pastërtinë, që njohin rregullat e jetesës në komunitet, të turpërohen nga 1% tjetër? Prandaj, sot njoftojmë 7 masa konkrete, si një kontratë me qytetarët e Tiranës, për të garantuar se këtu bashkëjetohet”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj. Ai u shpreh se Bashkia e Tiranës është në luftë me zhulin dhe këto masa janë pjesë e këtij aksioni. “Plehrat në Tiranë nuk na vijnë nga pushtuesit e huaj apo nga ndonjë forcë jashtëtokësore që na gdhin çdo mëngjes të zhytur në plehra. Ato shkaktohen nga njerëz që jetojnë apo vijnë në Tiranë.

Ndaj, duhet të gjejmë mënyrën të biem dakord se në Tiranë ka disa norma bashkëjetese të panegociueshme dhe të patolerueshme”, tha Veliaj. Duke prezantuar 7 masat për një qytet të pastër, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se nga sot, hedhja e mbeturinave në rrugë ose jashtë kontenierëve do të dënohet me 50 mijë lekë gjobë.

“Kryerja e punimeve pa leje dhe ndërtimeve pa leje, gjobitet me minimalisht 5 milion lekë, plus shpenzimet e prishjes dhe kthimit në gjendjen mëparshme të territorit. Vandalizimi i pronës publike, dëmtim, bllokim apo vjedhje pusetash, urinim, pështyrje ose grafiti në rrugë e mure, dëmtim i shtyllave të ndriçimit dhe ndriçuesve, dëmtimi i pemëve, të gjitha këto kategori dënohen me 200 mijë lekë gjobë”, tha Veliaj.

Sipas tij, shfrytëzimi i paligjshëm i hapësirave publike dënohet me 200 mijë lekë, plus 3 mijë lekë për çdo metër katror që dikush ia ka marrë publikut. “Ndotja e rrugëve nga automjetet e rënda me baltë, llaç, vaj, dënohet me 100 mijë lekë për mjet. Djegia, zhvendosja, dëmtimi apo vjedhja e kontenierëve, dënohet 200 mijë lekë.

Ndotja dhe mospastrimi i ambientit pas aktivitetit tregtar apo kulturor, dënohet 50 mijë lekë”, tha ai. Teksa vijoi me sqarimin e të gjitha masave, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se faturën e prishjes së ndërtimeve pa leje do ta paguajë vetë dëmtuesi. “Të gjitha kostot njerëzore ose fizike i faturohen personit, pra 1%-shit që ka kryer dëmin, dhe jo 99%-shit që, në fakt, nuk ka asnjë arsye pse duhet ta paguajë me taksat e veta”, – tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku solli në vëmendje se shfrytëzimi i paligjshëm i hapësirave publike do të ketë një kosto. “Kjo vlen për ata që zënë parkimet në rrugë dhe thonë: ‘Kjo është e zënë’ dhe po nuk i pagove lekët, ky të gërvisht makinën. Ky person dënohet me 200 mijë lek gjobë dhe 3000 lekë/m²; pra, nëse ka zënë 2m² paguan 6000 lek”, sqaroi Veliaj.

Për të vjelë gjobat, Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje me kompanitë e përmbarimit dhe çdo gjobë e vjelë do të shkojë për gjelbërimin e hapësirave publike. “Kompanitë e përmbarimit do të paguhen me përqindje në varësi të gjobave që do të mbledhin. Ju garantoj se nuk do të ndodhë si herët e tjera”, sqaroi Veliaj. Ndërkaq, penalitetet do të aplikohen jo vetëm për qytetarët e Tiranës, por edhe për ata individë të cilët vizitojnë kryeqytetin dhe shkelin rregullat.

“U them gjithë qytetarëve të 61 bashkive të tjera: “Matuni mirë para se të vini në Tiranë! E kaluat tabelën ku lexon: ‘Tiranë’, futeni në një sistem tjetër ligjor”, – u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ai sqaroi se kompanitë e përmbarimit veprojnë në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndaj do t’i vjelin gjobat kudo ku ndodhet shkelësi i rregullave. “Ka vetëm një zgjidhje që ky projekt të jetë me kosto zero: Mos e bëni pis Tiranën.

Në datën 31 gusht, kur do të mbledhin Këshillin Bashkiak, ftoj të majtë e të djathtë të miratojnë gjoba edhe më të rënda se këto. Këto janë vetëm disa masa paraprake, të cilat do të shtohen e rëndohen më tej”, – deklaroi Veliaj. Ndërkohë që Veliaj bëri të ditur se do të kontraktohen kompani të përmbarimit për zbatimin e këtyre masave. Ndërsa paratë që do të vilen nga gjobat do të shkojnë për gjelbërimin e hapësirave publike.

 

 

7 masat për një qytet të pastër janë:


   
    Hedhja e mbeturinave në rrugë ose jashtë kontenierëve – 5.000 lekë

    Kryerje e punimeve pa leje – 500.000 lekë + shpenzimet e prishjes

    Shfrytëzimi i paligjshëm i hapësirave publike – 20.000 lekë + 300 lekë/m2

    Vandalizimi i pronës publike me: 20.000 lekë

    dëmtim, bllokim, vjedhje pusete;
    urinim/pështyrje/grafiti në rrugë;
    dëmtim i shtyllave të ndriçimit/ndriçuesve;
    dëmtim pemësh

    Ndotje e rrugëve nga automjete të rënda (baltë, vaj, llaç) – 10.000 lekë

    Djegia, zhvendosja, dëmtimi dhe vjedhja e kontenierëve – 20.000 lekë

    Ndotja dhe mospastrimi i ambientit pas aktiviteteve – 5.000 lekë


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama