Haxhiut do të duhet t’i përgjigjet akuzes per shpërfillje të rregullave të gjyqit, pasi, gjithnje sipas akuzes, në vitin 2007 ka publikuar emrin e një dëshmitari të mbrojtur që do të dëshmonte kundër Haradinaj. Gazetarët kosovare nuk guxojnë as të përmendin emrin e dëshmitarit kundër Haradinaj, të zbuluar në vitin 2007 nga Haxhiu. Ndërkohë, në Kosovë është kthyer sërish frika për ngritjen e akuzave ndaj personave që mund të kenë dhënë informacione lidhur me dëshmitarët në gjyqin kundër ish-kryeministrit të Kosovës. Lajmi i arrestimit të Baton Haxhiut, per shume kohe kryeredaktor I Koha Ditore dhe se fundmi drejtor në gazetën “Express”, është mbajtur i fshehtë deri në orët e vona të se martes kur Shërbimi Policor i Kosovës, konfirmoi lajmin, i cili bëri xhiron e botës nëpërmjet agjencive të lajmeve. Sipas zedhenesit te Sherbimit Policor te Kosoves, Veton Elshani se kërkesa e Gjykatës së Hagës kishte mbërritur në mesditë dhe ishte zbatuar menjëherë, ndërsa vetëm më pas është bërë e ditur për median.
Vetëm pak javë më parë, ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Astrit Haraçija si dhe bashkëpunëtori i tij, Bajrush Morina, u akuzuan nga Gjykata e Hagës për frikësim të dëshmitarëve në gjyqin kundër Haradinajt. Ish-shefi i qeverisë kosovare u lirua nga akuzat dhe u shpall i pafajshëm në një gjyq, që sipas gjykatësve u zhvillua në një atmosferë jo të qetë për dëshmitarët. Ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Haraçija dhe bashkëpunëtori Morina, të akuzuar gjithashtu nga gjykata kanë deklaruar se akuzat janë të pavërteta dhe se gjyqi është i montuar. Sipas aktakuzës, Haraçija dhe Morina, në korrik të vitit 2007 janë munduar të bindin një dëshmitar të mbrojtur, për të mos dëshmuar kundër ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në atë kohë, Astrit Haraçija ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa Bajrush Morina, këshilltar politik i zëvendësministrit të Kulturës dhe redaktor në të përditshmen "Bota Sot".
(s.g/Balkanweb)