Nje gjyqtar i Calciopoli vendos titullin ne Shqiperi

Një gjyqtar i
Dëshira e dy skuadrave për të kërkuar një gjyqtar të huaj ka shtyrë FSHF-në të kërkojë "ndihmë" nga Italia, por emri i përcaktuar nga Kolina pritet të shkaktojë jo pak polemika pas përfundimit të derbit të titullit. Ndonëse Taliavento nuk ka shumë vite në elitën e futbollit italian, emri i tij përmendet në disa telefonata të përgjuara të të dënuarve të procesit "Calciopoli". Ndonëse më pas 35-vjeçari nga Terni u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga të gjitha akuzat, emri i tij mund të përdoret si alibi nga skuadra që del e humbur nga sfida që vendos kampionen e Shqipërisë. Pavarësisht dëshirës së mirë të FSHF-së për të përmbushur kërkesën e Dinamos dhe Partizanit, do të jetë e vështirë që të shmangen polemikat, duke parë të kaluarën e turbullt të gjyqtarit dhe debatin mediatik të përfaqësuesve të të dyja klubeve që nuk kanë kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Pavarësisht çështjes së gjyqtarit të huaj, Dinamo dhe Partizani po bëhen gati për spektaklin e ndeshjes që do të përcaktojë titullin kampion. Derbi i 130-të mes dy skuadrave pritet të zgjojë një interesim të konsiderueshëm të tifozëve, por shumë prej tyre nuk do të jenë në stadiumin "Selman Stërmasi", për shkak të mungesës së tribunave pas portës. Gjithsesi, rreth 5 mijë tifozë do të jenë të pranishëm për të parë se kush do të triumfojë mes ekipeve në ndeshjen më të ethshme të viteve të fundit në futbollin shqiptar. Blutë kanë kryesuar me meritë kampionatin që në javët e para, duke treguar lojë të bukur dhe rezultate. Ndërsa Partizani është skuadra më cinike e këtij sezoni, pasi ka arritur të fitojë edhe në momente të vështira dhe kur nuk ka zhvilluar një lojë bindëse. Diferenca prej dy pikësh në favor të Dinamos i bën blutë favoritë për fitoren e titullit të 17-të, por Partizani nuk ka se çfarë të humbasë dhe do të kërkojë në të gjitha mënyrat të vetmen rrugë që ka për të shkuar te titulli i 16-të, fitoren brenda 90 minutave të kësaj sfide.

Për sa i përket ndeshjeve të tjera të Kategorisë Superiore, java e fundit rezervon shumë pak surpriza, pasi thuajse gjithçka është e paravendosur nga ndeshjet që u zhvilluan në mesjavë. Besa pritet të sigurojë një fitore të lehtë në Durrës përballë Teutës, pasi vendasit po mendojnë më shumë për ndeshjen e "play-out" që do të zhvillojnë në javën e ardhshme. Si rrjedhojë, kavajasit do ta mbyllin kampionatin në vendin e tretë, duke marrë pjesë në Kupën Intertoto. Kastrioti është skuadra tjetër që ka siguruar ndeshjen e "play-out", ndaj sfida me Tiranën do të jetë thjesht një statistikë e parëndësishme për ecurinë e mëtejshme të krutanëve. Ndërsa në ndeshjet e tjera, skuadrat do të mendojnë më shumë për sezonin e ardhshëm, duke aktivizuar lojtarët e rinj dhe duke i dhënë pushimet e parakohshme titullarëve.


Kategoria Superiore

Ndeshjet

Dinamo-Partizani

Teuta-Besa

Besëlidhja-Vllaznia

Kastrioti-Tirana

Flamurtari-Elbasani

Skënderbeu-Shkumbini


Renditja

Dinamo 67 pikë, Partizani 65, Besa 53, Elbasani 51, Shkumbini 47, Tirana 46, Vllaznia 45, Flamurtari 43, Teuta 35, Kastrioti 35, Besëlidhja 31, Skënderbeu 11

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama