Migjeni ne tri pamje

Migjeni ne tri pamje

Bashkëkohësi dhe bashkëvendësi i Migjenit, Arshi Pipa, ka shkruar për Migjenin në tri periudha të ndryshme. Duke e lexuar veprën e Migjenit në raport me tekste të tjera dhe në relacion me rrethanat që e kushtëzuan, Pipa bëhet kritiku i parë që e analizon Migjenin nga një optikë totale.

Migjeni gjithmonë ka qenë i përkëdhelur nga kritika letrare shqipe. Kjo për dy arsye, njëra letrare dhe tjetra emocionale. Së pari, ai u mirëprit nga kritika për faktin se vepra e tij e përtëriu poezinë shqipe si asnjë poet tjetër para tij. Së dyti, shkolla pozitiviste që nisej nga tri parimet bazë të saj (historicizmi, biografizmi dhe psikologjizmi), apriori kishte një simpati për poetin, i cili kishte vdekur në moshë të re pa arritur t’i shijonte famën dhe suksesin (“Vdekja e tij e trishtueshme në dhe të huej, lëshoi rreze të ngrohta simpatije mbi veprën e tij”). Rrjedhimisht, kritika për Migjenin ishte më shumë glorifikuese sesa analizuese. Kritika më e plotë dhe më realiste që i bëhet Migjenit, sado jo e çliruar nga pozitivizmi, është ajo e Arshi Pipës, i cili, duke e njohur Migjenin si njeri dhe si shkrimtar, ka dhënë portretin e plotë të “poetit të mjerimit”.

Arshi Pipa, ka shkruar për Migjenin në tri periudha të ndryshme: “Historija e dhimshme e shpirtit të ri” (revista “Kritika”, nr. 3-4, 1944), “Nderim për Migjenin” (revista “Bota e Re”, nr. 5, 1945) dhe “Miti i Oksidentit në poezinë e Migjenit” (në veprën “Trilogia Albanica”, 1978). Siç shihet prej titujve, dy shkrimet e para janë okazionale dhe informative, kurse i treti është një studim që e analizon Migjenin në shumë plane: politik, social, religjioz, ideologjik, psikologjik, gjuhësor, letrar dhe e lexon në relacion me poezinë botërore dhe ballkanike, si dhe me filozofinë nihiliste, sociale e marksiste. Kështu, Pipa, duke e lexuar veprën e Migjenit në raport me tekste të tjera dhe në relacion me rrethanat që e kushtëzuan, bëhet kritiku i parë që e analizon Migjenin nga një optikë totale.

Edhe pse të tri shkrimet e Pipës kanë të njëjtin objekt (Migjenin), secili prej tyre dallohet për qasjen dhe interpretimin. Në shkrimin e parë analizohet ideja e poezisë së Migjenit për një shpirt të ri që udhëhiqet nga “furija mesianike eseniniane” me të cilën parodizohet e vjetra dhe himnizohet e reja. Në shkrimin e dytë dominon kujtesa emocionale, evokohen kujtime nga takimi i Pipës me Migjenin, zbulohet kultura e Migjenit, insistohet në mendimin se sëmundja është çelësi i poezisë së Migjenit, të cilit, gjithashtu, i bëhen edhe disa vërejtje në planin gjuhësor dhe stilistik, por i njihen meritat për sjelljen e risive të shumta në letërsinë shqipe. Në shkrimin e tretë, Pipa i qaset Migjenit nga disa pikëvështrime derisa arrin në konkludimin që Migjeni, edhe pse nuk është shqiptar, është poet i madh i letërsisë shqipe. Pra, Migjenin e vlerëson sipas veprës letrare, jo sipas përkatësisë nacionale.

Këto tri ese tash së voni, kur Pipa po kthehet furishëm dhe bindshëm në sistemin e vlerave shqipe, janë botuar në një libër të veçantë të titulluar “Për Migjenin” (Princi, Tiranë, 2006), ku është ruajtur autenticiteti i dy shkrimeve të para, ndërsa i treti vjen si përkthim nga anglishtja. Dy esetë e para janë në shqipen kombëtare, ndërsa e treta është në shqipen zyrtare, ideologjike, të cilën Pipa jo vetëm që nuk e preferonte, por edhe e kundërshtonte me argumente shkencore.

Arshi Pipa në esenë e parë për Migjenin (1944) heton një skenar të veçantë në letërsinë shqipe, një skenar ku personazhet kryesorë janë: lavire, lypsa, pijanecë, rrugaçë, hajna etj., të cilët nuk kanë tërhequr vëmendjen e shkrimtarëve të tjerë. “Ky asht skenari qi zbulon syni i Migjenit”, thotë Pipa. “Bota sjell kryet mënjanë për mos me i pa kto qenje të mjera të neverituna...Migjeni i ban protagonista të poemave të tij”. Pra, “syni i Migjenit” shikon vetëm zi dhe parashikon bardh. E zeza lidhet me aktualitetin (mjerimin), e bardha me të ardhmen (revolucionin). Pesimizmi i Migjenit, sipas Pipës, e ka burimin te libri i Jobit. Pra, ai është një pesimizëm biblik që jep shenja për t’u transformuar në optimizëm ideologjik, të kamufluar nën maskën e Prometheut dhe Zarathustrës. Sapo bëhet me Nietzschen dhe Dostojevskin, Migjeni konfrontohet me antagonistin e tij, religjionin. Njeriut të mjerë ia tregon modelin e mbinjeriut dhe kështu synon lartësimin e tij, natyrisht duke mohuar fillimisht “idhujt pa krena”. “Vargjet e lira”, sipas Pipës, udhëhiqen nga një ton elegjiak personal me të cilin autori artikulon tragjikomedinë e vet: “Qeshu palaço ndërsa zemra të pëlset!”. Pipa gjithashtu vëren influencat dhe kongruencat e vargjeve të mjerimit: lakmohet njeriu prometean, apo niçean, sublimohet ajo që nga të tjerët poshtërohet dhe ky sublimim bëhet duke ndjekur shembullin e prozës së Dostojevskit (lavirja e Migjenit si Sonja te “Krim dhe ndëshkim”) dhe poezisë së Blohut, si dhe artikulohet një ankim leopardian me një furi eseniniane. Ndërsa, thuhet se ky adhurim ndaj femrës ka për bazë dashurinë platonike, meqë, sipas Pipës, Migjeni nuk e provoi dashurinë fizike.

Pipa flet edhe për strukturën e librit, duke konstatuar se ndarja e librit në cikle nuk ka kriter kronologjik, por logjik dhe se vetë titujt i shpjegojnë motivet e poezive. Mandej, në pjesën e fundit, flet shkurtimisht për prozën, duke e konsideruar thjesht një shtojcë komentuese të “Vargjeve të lira”, apo një “appendix”, siç thotë ai, me preokupim psikologjik. Sipas tij, “Legjenda e misrit”, “Të korrunat”, “Puthja e cubit”, “Bukuria që vret”, janë poema në prozë. Prandaj, “nuk mund të çmohet poezia e Migjenit pa u pasë para sysh edhe kto poema”.

Dhe në paragrafin e fundit sqaron se në këtë ese “deshtëm me tregue vetëm historín e jetës së tij, ashtu si na paraqitet e kalueme në lirikë” dhe paralajmëron shkrimin pasues, që do të jetë më kritik: “Ndonji herë tjetër, kur t’orvatemi me caktue vendin e Migjenit në letërsín tonë, do të kërkojmë, me sy ma kritik, me diktue dritat dhe hijet e poezisë së tij”.

Një vjet më vonë, Pipa shkroi një ese më të gjatë mbi veprën e Migjenit në të cilën i bëri një trajtim më të thellë, por edhe në këtë tekst, meqë u shkrua për t’u lexuar si përkujtim për poetin, natyrisht janë të pranishme elozhet dhe mungojnë kritikat, të cilat do të sheshohen në esenë tjetër të shkruar 33 vjet më vonë. Sidoqoftë, eseja e dytë e plotëson të parën dhe krijon një pamje më të qartë për poetin e ri, duke e shikuar atë në një kontekst më të gjerë dhe duke i caktuar një pozitë të lartë në hierarkinë e historisë së letërsisë shqipe.

Shkrimi i dytë i Pipës për Migjenin nis me përmallim, vazhdon me analizë dhe mbaron me sugjerime e konstatime. Që në fillim shfaqet një ton dhimbjeje: “Të flasësh për Migjenin, prandej, nuk asht vetëm vështirë. Kjo të kushton, kjo të dhemb. Se kjo të kujton luftën e humbun të një idealisti që vdes i pakuptuem, të kujton lëngatën dhe vdekjen e nji poeti, në moshë njizeteshtatë vjeçare, që ndoshta sot do t’ishte gjallë po të mos kishte qenë i vorfën”. Dhe këto fjalë i thotë ai që e ka njohur për së afërmi poetin e ri: “Unë e kam njoftë Migjenin”, porse tashmë kanë kaluar afër 20 vjet nga ai takim dhe “shumë gjana më kujtohen si neper mjegull”. Ai përmend shkollimin e Migjenit në Jugosllavi, pastaj regjistrimin në Fakultetin e Letërsisë në Torino (Itali). Thotë se “poeti i mjerimit” njihte mirë letërsitë jugosllave dhe ruse, të cilat edhe ndikuan thellësisht tek ai. Pasi gjen ca shënime në margjina të romanit të Dostojevskit në shtëpinë e Migjenit, Pipa konstaton se poeti në jetë e në art identifikohej me Alioshën e romanit “Vëllezërit Karamazov”, prandaj këndoi për “lavirat si martire të njerzís”. Gjithashtu, shton se i donte shumë fëmijët dhe për këtë mjafton të shfletohen tregimet “Luli i vocërr” dhe “Zeneli”.

Poezia “migjenike” përbëhet nga dy degë: lirika sociale dhe lirika subjektive. Në të dy rastet mjerimi është kryetemë, prandaj “Migjeni mund të quhet me të drejtë poet i mjerimit”. Ai flet për mjerim moral dhe ekonomik. Tragjikomedia e tij përbëhet nga “lavira, rrugaça, lypsa, pijanecë, të burgosun, të sëmundë të çdo fare. Dhe të gjithë njësoj t’unshëm”. Ai në shkrimet e veta ka qenë realist, pasi që motivet që i ka trajtuar kanë qenë të atilla që “nuk zgidhen, por imponohen”.

Megjithatë, Pipa mendon se proza e Migjenit është më përfaqësuese se poezia: “Jeta e qytetit, përvijosun në kalim e sipër ndër vjershat, zhvillohet këtu ma gjanë”. Pastaj tregon se Migjeni ka sugjeruar se “vorfnija pjellë korrupsion”, “mjerimi të ban zemër-gur”, “mjerimi të ban ahmarrës”, “mjerimi të ban edhe alkoolik, kusar, prostitutë”, “mjerimi të ban servil” etj. Kështu, Migjeni është antipodi i Fishtës: “Malsori i idealizuem i “Lahutës” i lëshon vendin malsorit të mjerë, të çoroditun, të ‘Legjendës së Misrit’.”

Migjeni nuk është vetëm fotografues i mjerimit, por edhe njëfarë ideologu, pasi që kërkon revolucion për “shndërrimin e të gjitha vlerave”. Duke e pasur të pamundur ta shfaqte haptazi “credon” politike, ai e ngjeshi veprën e vet me “folje symbolike”, si: “Kanga e të Burgosunit”, “Kanga që s’kuptohet”, “Mollë e Ndalueme”, “Gogoli” etj. Sipas Pipës, “poezija e Migjenit asht nji kushtrim lirije”. Edhe vetë titulli ambiguitiv e sugjeron këtë: “vargje të lira don me thanë, në vështrimin e parë, vargje të zgidhuna, të lira për kah metrika tradicionale. Por nji vështrim i dytë, ma i thellë, mshehet mbas ksaj shprehjeje: Vargjet e lira don me thanë Vargjet e Lirís”.

Si vjershë programatike të jetës dhe të veprës së Migjenit, Pipa e shpall “Të birtë e shekullit të ri”, pasi, sipas tij, “kjo vjershë e shpjegon gjithë veprën, praktike e poetike të Migjenit”. Në të Migjeni, në vrullin revolucionar, mohon të vjetrën dhe beson në të renë. Feja e tij është “antiteza e së vjetrës”. Në fakt, duke qenë besimtar i socializmit, Migjeni vihet kundër fesë që proklamojnë kisha e xhamia, prandaj poezia e tij është blasfmike. Për këtë flasin poezi të ndryshme, por kjo më së miri artikulohet te “Kanga e Përndimit”, e cila “shënon zenithin e poezis migjenike”, pasi “mbas ksaj pike parabola fillon të zbresë”.

Çelës i poezisë së Migjenit, sipas Pipës, është sëmundja, e cila ka prodhuar melankolinë, pesimizmin dhe i ka dhënë tonalitet ankues poezisë së tij. Kjo s’do të thotë që poezia e tij dominohet nga pesimizmi, pasi që pesimizmi i së tashmes prodhon optimizmin e së ardhmes. Prandaj, Migjeni është poet që e do jetën dhe që ankohet sot që të vijë sa më shpejt e nesërmja: “e duen ma fort jetën ata që janë më afër vdekjes”. Pesimizmi i tij shfaqet në pak vargje vetëm në formë dileme (“Un - djepi i juaj, ndoshta vorri i juaj”).

Në fund, Pipa e komenton shkrimin e vet përkujtues, duke e quajtur vetëm “informativ”, për të shtuar shkurtimisht se gjuha dhe teknika e Migjenit shpesh lënë për të dëshiruar. Madje në këtë plan, proza është më e pjekur se poezia, megjithëse insiston që Migjeni të mos shihet vetëm si prozator, pasi që proza e tij është prozë poetike.

Pipa nënvizon rëndësinë e Migjenit që lidhet ekskluzivisht me letërsinë shqipe, pasi po të ishte “në Jugosllavi fjala vjen, ku poezija shoqnore ka qenë e njoftun kaherë, poeti i “Vargjevet të Lira” nuk do t’ishte dallue fort”, por “në Shqipni Migjeni asht nji i vetëm, asht pionier”. Në këtë ese jepet edhe konstatimi: “Mos ta harrojmë se ai që ka sjellë nji fletë të re në letërsín shqipe ka qenë nji mësues katundi”.

Pa dyshim shkrimi më i thellë dhe më problematik i Arshi Pipës për Migjenin është “Miti i Oksidentit në poezinë e Migjenit” (i botuar fillimisht në anglisht), i cili ndahet në pesë pjesë: 1. Shpirti sllav që flet shqip, 2. Dështimi i Oksidentalizmit, 3. Poezia dekadente, 4. Apoteoza e Revolucionit dhe 5. Gramatika e huaj e poezisë “Kanga e Përndimit”.

Ky shkrim është më problematiku, sepse poetin aq të dashur për lexuesit shqiptarë e nxjerr me prejardhje sllave. Pipa tregon se Migjeni, pos prejardhjes, edhe edukimin e kishte sllav (maqedonisht dhe rusisht) dhe kontributin arsimor e dha për sllavët (u dha mësim nxënësve serbë në Vrakë, e pastaj nxënësve shqiptarë në Pukë). Në shtëpi fliste serbisht, pasi shqipen nuk e njihte mirë. Kështu, nënvizohet e meta gjuhësore e shfaqur aq shpesh në poezinë e Migjenit. Ai shkroi serbo-kroatisht dhe pastaj shkrimet i përktheu shqip. 

Po ashtu, mesianizmi i shfaqur në poezinë e tij, sipas Pipës, është i huaj për psikologjinë shqiptare, por është familjar për mendjen sllave. Konkluza është e qartë: “stili dhe skeleti i mendjes së tij janë thelbësisht sllavë”, pasi ai është një “fenomen i hibridizimit kulturor: shpirt sllav që flet shqip”.

Edhe interesimi tematik i tij kushtëzohet nga formimi sllav: si ortodoks i Shkodrës, e cila bashkë Korçën solli klimën marksiste në Shqipëri, Migjeni tërhiqej nga marksizmi dhe i hapi portat për trajtimin e letërsisë sociale. Madje shpesh vepra e tij ka një gjuhë liturgjike me mesazhe socialiste. Po ashtu, tek ai nuk dihet ku mbaron Marksi e ku fillon Niçe. Megjithatë, “marksizmi i Migjenit është i tipit perëndimor”.

Megjithatë, Pipa e konsideron Migjenin si shkrimtarin e parë që theu traditën romantike dhe konstaton se kjo erdhi si rrjedhojë e ndikimit të tij nga: Dostojevski, Esenini, Majakovski, Gorki, Kërlezha, Djuro Sudeta, Antun B. Simiç, Kristo Smirnevski, Attila Jozsef etj.

Largimin nga tradita Pipa e gjen edhe te refuzimi që Migjeni ia bën vargut kombëtar shqiptar, tetërrokëshit, i cili nuk shfaqet kurrë në poezinë e tij. Pjesa më e madhe e vargjeve të lira nuk është në varg të lirë; metafora është forma e tij e shprehjes; përdorimi i kohës dhe i mënyrës është i gabueshëm, ashtu si përemri, nyja etj.; sintaksa e tij nuk është tamam shqip. Kështu, del që Migjeni, pos gjuhës së vet serbe, kishte mësuar edhe këto gjuhë: maqedonisht, rusisht, greqisht, latinisht, frëngjisht dhe shqip, nga të cilat shqipen e zgjodhi si gjuhë për t’u artikuluar artistikisht.

Kritika e Pipës për Migjenin është kritika më shokuese për poetin e mjerimit. Te disa lexues kjo kritikë ka provokuar kundërshtime e ofendime në kurriz të Pipës, pasi që Migjeni i dashur e i përkëdhelur nga kritika zyrtare, sepse ishte “fukara”, tash ka rrezik të anashkalohet, sepse na doli “shka”. Kështu konstatimet e Pipës mbi origjinën e poetit që avancoi poezinë shqipe, sado të vërteta të jenë, paralajmërojnë një kohë të keqe për Migjenin “e mjerë”, pasi disa kërkojnë përjashtimin e tij, kurse të tjerët mbrojnë pozitën e deritashme të tij.

Megjithatë, unë nuk do të vija pikëpyetje tek origjina e tij, por te dy mendime të Pipës që më duken të paqëndrueshme: 1. Migjeni vdiq i virgjër, 2. Migjeni vdiq sepse ishte i varfër.

Mendimi i parë për Migjenin, edhe pse nuk mund të hidhet poshtë, nuk mund as të përkrahet. Pra është mendim i diskutueshëm. Atij mund t’i vihen disa pikëpyetje: si mund të dihet nëse Migjeni vdiq i virgjër, kur kjo është çështje tepër private? A na e zbulon letërsia e tij këtë mospërvojë me femra, apo thjesht hamendësojmë? Si mundet që ai që “importoi” prostitutat në letërsinë tonë, të ketë vdekur pa i prekur ato? Pastaj, Migjeni vdiq në moshën 27 vjeçare, pra në një moshë goxha të shtyrë për të qenë i virgjër.

Mendimi i dytë, se Migjeni vdiq pasi “nuk kish pare”, është i paqëndrueshëm, pasi dihet se Migjeni vdiq nga veremi (tuberkulozi), nga i cili, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, vdisnin mbi 60 % e popullsisë në botë. Pra, Migjeni edhe po “të kishte pare”, nuk do të shërohej, sepse mjekësia ende nuk mund të bënte asgjë për të.

Pavarësisht këtyre dy mendimeve, të cilat Pipa i shkroi kur ishte ende i ri, kritika e tij për Migjenin themelon dhe mban nën hije “migjenologjinë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama