Vrasjet ne Tirane seria e ekzekutimeve per pazaret e droges

Vrasjet ne Tirane, seria e ekzekutimeve per pazaret e droges

Gjykata e Krimeve të Rënda do të bëjë sot vlerësimin e masës së sigurisë për 3 të arrestuarit për atentatin e ndodhur në Bulevardin “Zogu i I” në Tiranë gjatë mbrëmjes së 27 majit. Ndërkohë prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes për gjakmarrje për shtetasin italian Salvatore Letticia, si dhe Markeljan dhe Klevis Doçin. Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Krimeve të Rënda që të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Letticia dhe vëllezërit Doçi u arrestuan menjëherë pas atentatit, ku mbetën të vrarë Mentor Lufi, Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku. Sipas policisë, ishte Besnik Sulku, bashkë me shtetasin italian Salvatore Letticia, të cilët hapën zjarr në drejtim të Mentor Lufit dhe Gerti Goxhajt, duke i vrarë të dy. Më pas ndërhynë dy nipërit e Mentor Lufit, Markeljan dhe Klevis Doçi, duke qëlluar mbi Sulkun, ndërsa shtetasin italian e kanë përplasur me automjet.

 

Gjatë 50 ditëve të fundit shtetasi italian ka hyrë dhe ka dalë në Shqipëri 4 herë, duke qëndruar 19 ditë deri të mërkurën e 27 majit, ditë në të cilën u arrestua 8 orë pas mbërritjes në Rinas. Salvatore Letticia ka hyrë për herë të parë në Shqipëri tre ditë pasi vrasjes së Durim Sulkut, vëllai i Besnikut, në Roterdam më 6 prill 2015. Sipas të dhënave nga oficerët e policisë gjyqësore, Letticia dyshohet të ketë vrarë njërin prej viktimave të 27 majit. Ai njihet si pjesë e klanit “Quaqquarone” në Caserta dhe një pikë e rëndësishme referimi për Kamorrën marcianeze.

 

Ndërsa Mentor Lufi kishte 11 ditë që ishte kthyer në Shqipëri, pas largimit dyjavor drejt Belgjikës dhe Holandës. Sipas informacioneve zyrtare nga policia e shtetit, bëhet me dije se Mentor Lufi dy ditë pasi u vra në Roterdam (Holandë) Durim Sulku, është larguar drejt Italisë për t’iu ruajtur ndonjë hakmarrje të mundshme. Nga të dhënat paraprake mësohet se Mentor Lufi dhe Besnik Sulku kanë qenë miq, por pas prishjes së pazareve të drogës u kthyen në armiq të përbetuar. Vrasja e Durim Sulkut në Holandë ka mbetur ende pa autor. Dyshohet se autorë të kësaj vrasjeje të jenë nipërit e Mentor Lufit, Markeljan dhe Klevis Doçi.

 

Prokuroria për Krime të Rënda ndaj dy vëllezërve Doçi ka ngritur dyshime, se janë ata autorët e ekzekutimit në Holandë. Kjo për faktin se nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezultojnë se të dy vëllezërit Doçi më datë 6 prill ndodheshin jashtë territorit shqiptar dhe mendohet se janë ata ekzekutorët e Sulkut në një nga parkingjet e Roterdamit. Pritet që në ditët në vazhdim, prokuroria t’u drejtojë autoriteteve të drejtësisë holandeze një kërkesë, duke kërkuar gjurmët e mundshme të gishtave apo ndonjë provë tjetër të gjetur në vendin e vrasjes së Durim Sulkut. Burime nga prokuroria thonë se 23-vjeçari Markeljan Doçi ka pranuar gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda se është autor i vrasjes së Durim Sulkut, vrarë një muaj më parë.

 

Prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes për gjakmarrje në bashkëpunim ndaj dy vëllezërve Markelian dhe Klevis Doçi. Me ndihmën e ekspertëve të Policisë Shkencore është provuar se Markeljan Doçi ka vrarë atentatorin Besnik Sulku. Ndërsa në rolin e shoferit të makinës “Touareg”, Klevis Doçi, e ka goditur me makinë italianin Salvatore Letticia dhe më pas ka tentuar të ndjek atentatorin tjetër Sulku, të cilin në ndjekje e sipër e ka qëlluar me armë Markelian Doçi, duke e lënë të vdekur.

 

Hetuesit thonë se dy vëllezërit kanë dhënë shpjegime të hollësishme, duke treguar dhe pranuar veprimet në mbrojtje të xhaxhait të tyre, tashmë të vrarë Mentor Lufi (Doçi). Akuzën e “vrasjes për gjakmarrje” në bashkëpunim mësohet se Prokuroria e ka ngritur edhe për italianin Salvatore Letticia. Hetuesit thonë se është gjetur në vendngjarje pistoleta me të cilën Letticia ka qëlluar në drejtim të dy viktimave Mentor Lufi dhe Gert Goxhaj. Ekspertët e policisë shkencore kanë vërtetuar se në krahët e italianit janë fiksuar gjurmë të mbetjeve të barutit.

 

Krahas kësaj prove, prokurorët thonë se gjatë kontrollit fizik në xhuboksin e italianit është gjetur edhe fotoja e viktimës Mentor Lufi. Ndërsa një nga kamerat e sigurisë në zonë, e ka fiksuar italianin duke mbushur pistoletën pak sekonda para ekzekutimit Lufit dhe Goxhajt. Hetuesit mësohet se kanë gjetur edhe motorrin me të cilin dy atentatorët kishin shkuar pranë vendit ku kryen atentatin e pasdites së të mërkurës së 27 majit.

 

Ngjarja

 

Besnik Sulku dyshohet se kishte paguar italianin, Salvatore Letticia, ky një vrasës profesionist dhe që është pjesë e grupit mafioz italian “Kamorra”, për eliminimin fizik të Lufit, pasi dyshohet se ky i fundit ishte autor i vrasjes së vëllait të tij. Nga ekzaminimet e kryera në 3 pistoletat e sekuestruara në vendngjarje rezulton se Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj janë vrarë nga Salvatore Letticia, të cilit iu gjetën edhe gjurmë baruti në krahë. Ndërsa Besnik Sulku është vrarë nga Markelian Doçi, nipi i Mentorit, për të marrë hak për vrasjen e xhaxhait. Nipi tjetër, Klevisi, ka përplasur me makinë Salvarore Lettician, kur ky i fundit po tentonte të largohej pas kryerjes së vrasjeve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama