Lista me 11 autostradat dhe hekurudhat qe do ti dorezohen BE-se ne Vjene

Lista me 11 autostradat dhe hekurudhat qe do t'i dorezohen BE-se ne Vjene

Lista e propozimeve për të cilat kanë rënë dakord gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka 11 projekte prioritare, që duhet të përfundojnë deri në vitin 2030. Ato ndërlidhin vendet e rajonit, njëkohësisht janë zgjatime me korridoret e Bashkimin Europian. Vendet kanë kohë dy muaj që të përgatisin propozimet e përbashkëta në samitin që do të mbahet në Vjenë më 27 gusht 2015. Komisioni Europian angazhohet për 130 milionë euro brenda vitit 2015 dhe 1 miliard euro në tërësi për Ballkanin, vetëm nga fondet e paraanëtarësimit (IPA 2014-2020). Veç 11 projekteve, është rënë dakord që të përfshihet edhe rindërtimi i hekurudhës shqiptare, si pjesë e Korridorit VIII, me kusht që Shqipëria të paraqesë një studim fizibiliteti dhe projekt financimi të besueshëm. “Në vazhdim, hekurudha e Korridorit VIII do të jetë nën mbikëqyrje duke përfshirë financimin e mundshëm të studimeve paraprake, lidhjeve të detajuara, dizajnimeve dhe punëve eksploruese me një përfshirje në rrjetin kryesor gjatë rishikimit të ardhshëm të ‘TEN T’”, theksohet në deklaratën e Brukselit. “Ne do të japim mbështetje teknike për Korridorin VIII dhe do të shqyrtojmë planet dhe financimet rreth tij. Më pas, në bazë të rezultateve, që do t’i shohim në takimin e 10-shes, mund ta përfshijmë atë gjithashtu në rrjetin qendror të ndërlidhjes”, është shprehur Violeta Bulc, komisionere e BE-së për Transportin.

 

Lobimi për korridoret

 

Gjashtë nga 10 korridoret e transportit paneuropian pritet të kalojnë në vendet e Ballkanit duke krijuar kështu një fushë të re konkurrence. Gara është se cili nga projektet dhe cili segment do të financohet më parë se të tjerët. Dyshja e kryeministrave Rama – Vuçiç nuk është thjesht një afrim për hir të stabilitetit si parakusht për financimet e BE-së, por edhe një gjetje konsensusi për zhvillimin e projekteve të përbashkëta. Sipas burimeve zyrtare, projektet më konkrete për të cilat dy kryeministrat kanë dhënë mbështetjen e tyre të plotë në Bruksel ishin autostrada Nish – Prishtinë – Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko-Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug të vendit tonë. Por, vendi përfiton dhe për hekurudhën lidhëse me Malin e Zi në këtë korridor, (Tiranë / Durrës – Podgoricë). Një projekt tjetër ku serbët po binden të përfshihen është gazsjellësi TAP, që ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së. “Projektet gazsjellëse duhet të reflektojnë interesin e projekteve të komunitetit energjetik, që ka rëndësi për axhendën ndërlidhëse”, theksohet në qëndrimin e përbashkët të gjashtë vendeve të rajonit, të cilat do të angazhojnë “komitetet kombëtare të investimit” për prioritetet në këtë kuadër. Lidhur me infrastrukturën rrugore, Serbia ka tendenca që korridorin numër 10, i cili kalon nëpërmjet territorit të saj, ta paraqesë si më të rëndësishmin. Maqedonia ka mbështetur korridoret X dhe VIII, për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, ndërsa për Korridori VIII, është interesuar vetëm për pjesën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore drejt Bullgarisë dhe ka pasur mbështetjen e këtij vendi anëtar të BE-së. Nga ana e saj, Kroacia mbështet Shqipërinë dhe Malin e Zi për autostradën Adriatiko-Joniane. Në anën tjetër, korridori numër 10, sipas ekspertëve, do të bënte që një pjesë e tregtisë ndërkombëtare që realizohet nëpërmjet Serbisë të zhvendoset në Kroaci, ndërsa me anë të autostradës përgjatë brigjeve të Adriatikut, Kroacia do të fitonte edhe avantazhe tregtare. Greqia përpiqet që njërin cep të autostradës “Egnatia”, i cili kalon në territoret e saj, ta lidhë me Stambollin, kurse tjetrin ta lidhë me qytetin e Durrësit në Shqipëri që ndodhet në brigjet e detit Adriatik. Në anën tjetër, Athina, me anë të marrëveshjeve që ka nënshkruar me Serbinë dhe Maqedoninë, përpiqet që korridorin 10 ta ndërlidhë me autostradën Egnatia. Korridoret paneuropiane të transportit i interesojnë edhe Turqisë. Korridoret 4, 8 dhe 10 përfshijnë edhe Turqinë brenda sistemit të transportit paneuropian.

 

Angazhimi

 

“Ne konstatojmë se në Bashkimin Europian, baza e rrjetit të transportit lidh të gjitha kryeqytetet e BE-së, qendrat kryesore ekonomike dhe portet kryesore të BE-së. Ne njohim faktin se zgjatja e tij në Ballkanin Perëndimor lejon përshpejtimin e politikave dhe reformave rregulluese, përpjekjet të përqendruara dhe investimet në korridoret kyçe dhe ndërlidhjet”, theksohet në deklaratën e përbashkët të gjashtë kryeministrave në takimin e prillit në Bruksel. “Kjo është korniza në të cilën dëshirojmë të lidhim Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në një lidhje fizike, përmes rrugës dhe hekurudhës, por edhe në një lidhje politike e ligjore. Nëse i shtojmë Traktatit për Komunitetin e Transportit rrjetin qendror rajonal, atëherë kjo do të bëhet një marrëveshje e detyrueshme ligjore si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për BE-në, duke e fuqizuar kështu edhe më tej kredibilitetin e këtij procesi”, është shprehur komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Hahn, në takimin ministerial të Prishtinës. Sipas komisionerit, në gusht do të shfrytëzohet Samiti i Vjenës për të prezantuar një listë të prioriteteve investuese në energji dhe rrjetin qendror të transportit rajonal.

 

Rrjeti i rrugëve që do t’i propozohet BE-së për financime

 

Korridori Vc

 

Bosanski Samac (Bosnja) – Doboj – Sarajevo – Mostar – Bijaca (Kroacia

 

Korridori VIII

 

Tiranë / Durrës – Elbasan – Strugë – Tetovë – Shkup – Deve Bair (Bullgari)

 

Korridori X

 

Batrovci (Kroaci) – Beograd (Serbi) – Nish (Serbi) – Shkup (Maqedoni) – Bogorodica (Greqi)

 

Korridori Xb

 

Subotica (kufiri hungarez) – Novi Sad (Serbia) – Beograd

 

Korridori 10C

 

Nish (Serbia) – Gradina (Bullgari)

 

Segmenti 1

 

Debeli Brijeg (Border Crossing) – Bar (Mali i Zi)

 

Segmenti 2

 

Podgorica (Mali i Zi) – Durrës – Fier – Tepelenë- Qafë-Botë

 

Segmenti 2a

 

Gradiska (Kroaci) – Banja Luka (Bosnjë) – Lasva – Travnik

 

Segmenti 4

 

Vrsac (Rumani) – Beograd (Serbi) – Podgoricë (Mali i Zi) – Bar (Mali i Zi)

 

Segmenti 6

 

Prishtinë – Shkup

 

Segmenti 7

 

Lezhë – Prishtinë – Doljevac / Nis (Serbi)

 

Harta – Për shkak se Serbia kundërshton njohjen e Kosovës, mungon harta me segmentet rrugore, por ekziston vetëm një listë

 

Hekurudha – Shqipëria përfiton për financime për hekurudhën lidhëse me Malin e Zi në këtë korridor, (Tiranë / Durrës – Podgoricë)

 

Projekti – Për rindërtimin e hekurudhës shqiptare në kuadër të Korridorit VIII, BE-ja është në pritje të paraqitjes së projektit

 

Lobimi – Rama dhe Vuçiç patën kompromis në Bruksel për rrugën Nish – Durrës, hekurudhën Beograd – Budapest dhe autostradën “blu”

 

Bashkëpunimi

 

Ahmetaj: Duhet të unifikojmë tregun rajonal

 

Paneli i dytë i Forumit Ekonomik të Vjenës në Tiranë kishte në fokus mbylljen e hendeqeve mes ekonomive të rajonit dhe Bashkimit Europian. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë fjalës së tij, ka theksuar se “kemi nevojë për një treg rajonal të unifikuar, ta bëjmë rajonin të unifikuar”. Ministri çmoi procesin e nisur në Berlin, sepse, u shpreh ai, “na ka bërë bashkë dhe na ka sjellë këtu që të diskutojmë projekte konkrete”. Sipas tij, lidhja e infrastrukturës nuk është vetëm një proces ekonomik. “Kemi bërë përpjekje të përbashkëta me Beogradin dhe me vendet e tjera për të paraqitur projektet tona dhe duam të besojmë se vetëm duke qenë bashkë, mund të galvanizojmë mbështetjen nga Brukseli dhe vendet anëtare për zhvillimin e tyre”, deklaroi Ahmetaj.

 

Anëtarësimi

 

Apeli për BE-në i tre ish-ministrave të Jashtëm europianë

 

Ish-ministri i Jashtëm italian, Massimo D’Alema, i pranishëm në Forumin Ekonomik, theksoi rëndësinë e Ballkanit në Europë. Ai deklaroi se Europa pa Ballkanin nuk do të mund të ishte e plotë. “Ne mund t’i japim shtysë, të promovojmë lidhjet mes bizneseve, njerëzve, shoqërisë civile. Është koha për të nxitur Europën për rëndësinë e Ballkanit”, u shpreh ish-ministri i Jashtëm italian. Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, duke vlerësuar si mjaft pozitiv takimin e gjashtë kryeministrave të rajonit, theksoi se të gjithë duhet të shkojnë njëzëri në Bruksel dhe me projekte të përbashkëta për të kërkuar financimin e tyre. “Në Bruksel duhet një grup lobimi për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Fischer. Ai vlerësoi si mjaft të rëndësishëm projektin e “autostradës blu”, për të cilën apeloi te krerët e shteteve që ta zhvillonin e të gjenin investimet. “Ky projekt do të krijonte frymën e bashkëpunimit”, tha ai. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm francez, Hubert Vedrine, tha se “europianët janë egocentrikë dhe nuk e vlerësojnë dimensionin strategjik të Ballkanit Perëndimor”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama