Dule i del ne krah Janullatosit kunder Blushit

Dule i del ne krah Janullatosit kunder Blushit

Partia PBDNJ i ka dalë në krah Kryepeshkopit grek të Kishës Autoqefale Shqiptare Janullatos, duke sulmuar Ben Blushin, i cili pak ditë më parë ishte ankuar përse ky i fundit nuk i zhvillonte meshat në Shqip.

Në një deklaratë të saj për mediat, partia e udhëhequr nga Vangjel Dule theksonte se “në kushtetutë dhe legjislacionin e vendit, minoriteteve që përfshihen në grigjën Orthodhokse, në veçanti besimtarëve nga radhët e minoritetit etnik grek, u njihet e drejta e përdorimit publik të gjuhës së tyre amtare, përfshirë edhe jetën kishtare, e drejtë kjo e sanksionuar që nga krijimi i shtetit modern shqiptar.”

Sipas partisë së Dules “Logjikat që pretendojnë një situatë njëngjyrëshe në gjirin e kishës Orthodhokse në vend përbejnë një injorim naiv të realitetit për sa i përket përbërjen e grigjës të kësaj kishe dhe aventurizëm për nga pasojat e tyre.”

Dule i del edhe më hapur në krah Janullatosit, kur nënvizon se “Trajtimi i çështjeve të kësaj natyre nga ana e Kryepiskopit  Anastas, kanë garantuar një klimë të paprecedentë uniteti në gjirin e kishës, duke ruajtur konfigurimin e saj kompleks dhe respektuar njëherësh përkatësinë nacionale dhe veçoritë gjuhësore të besimtarëve të saj. E kundërta do të kishte për pasojë përçarjen dhe instalimin e rrymave kishtare të cilat do të prishnin përfundimisht koherencën e saj.”

PBDNJ e paralajmëronte Blushin “për më shumë seriozitet dhe vetëpërmbajte në trajtimin e çeshtjeve të kësaj natyre, informimin real dhe kompetent të opinionit dhe jo shpifje dhe gënjeshtra. Shërbimi më i mirë që mund ti bëjmë simbiozës harmonike ndër-fetare është respektimi i pavarësisë së komuniteteve fetare, siç ajo sanksionohet në kushtetutë.”

Çfarë kishte thënë Ben Blushi për Janullatos me rastin e Pashkës?

Blushi tha se Anastasi ka pasur kohë 23 vjet për të mësuar shqip, por nuk e ka bërë këtë gjë.

“Pse Anastasi flet greqisht në një meshë shqiptare? Pse duhet t’i mësojë shqiptarët në greqisht? Pse greqishtja ka epërsi ndaj shqipes për të ndarë të mirën dhe të keqen që predikon Kisha e krishterë? Sa shqiptarë kuptojnë greqisht dhe a duan ata të meshohen në një gjuhë që nuk e dinë dhe nuk kanë arsye ta mësojnë vetëm për një natë Pashke apo Krishtlindjesh?

Pse Zoti, nëse ekziston, nuk i thotë kryepeshkopit se duhet t’u flasë shqiptarëve në gjuhën e tyre, siç ndodh me gjithë ortodoksët e tjerë në Ballkan? Dhe, nëse Zoti e kupton që këtu ka diçka që nuk shkon, pse nuk ia thotë këtë detaj kaq të thjeshtë edhe kryepeshkopit te Shqipërisë?

Si një njeri që e kam takuar kryepeshkopin Anastas vetëm disa ditë pasi erdhi në Shqipëri, në vitin 1992, besoj se ai ka pasur të paktën 23 vjet kohë për ta mësuar gjuhën tonë.

Kryepeshkopi njeh perfekt katër apo pesë gjuhë, në të cilat mund të meshonte lehtësisht, përveç greqishtes, që është gjuha e tij amtare dhe unë nuk kam asnjë dyshim se ai ka pasur jo vetëm kohën e mjaftueshme për ta mësuar shqipen, aq sa për të mbajtur dy mesha të rëndësishme në vit dhe prandaj nuk më bind kokëfortësia e tij për të folur greqisht natën e Pashkës, sepse nuk kam fjalë tjetër, përveç kokëfortësisë, për të përshkruar refuzimin publik që ai i bën gjuhës që flet grigja e tij shqiptare”, shkruante Blushi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama