Lamtumire xha Sulo aktorit te 120 roleve

Lamtumire 'xha Sulo', aktorit te 120 roleve

Artisti i Popullit Albert Verria ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare, mbrëmjen e së hënës, pas një sëmundjeje të rëndë. Për shumë njerëz, Albert Verria, është aktori vlonjat, me të cilin ky qytet krenohet. Por pak e dinë se Vlora nuk është qyteti i lindjes, por qyteti ku nisi rrugën si aktor. Verria u lind në Fier më 3 shtator 1936. Pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore punoi si zooteknik në vitet 1956 - 1959. Menjëherë pas përfundimit të shkollës së lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1959 - 1963), u emërua aktor në Teatrin e Vlorës. Në vitin 1979, Albert Verria u nderua me titullin “Artist i Popullit”.

Ai numëron dhjetëra interpretime në kinematografi dhe teatër, ku veçohet ai i Nuri Beut në filmin “Koncert në vitin ‘36” (1978), apo i historianit në “Historiani dhe kameleonët” (1988). Por roli që i dha emër dhe e skaliti në historinë e kinematografisë shqiptare ishte ai i Xha Sulos në filmin “Kapedani” (1972). Ai ishte vetëm 36 vjeç kur iu desh të luante rolin e një burri shumë të plakur, idhnak e patriarkal të pandreqshëm, që nuk i pëlqente aspak që femrat ta komandonin. Por në realitet ai e kishte treguar se ishte ndryshe.

“Të largohesh nga kjo botë është njerëzore, të larg-ohesh me dinjitet është hyjnore”. Kjo është shprehja e Verrias, së cilës i qëndroi deri në fund, edhe kur hapi fotoekspozitën e cila kishte në epiqendër rolet e tij, por edhe shumë të tjera, si puna e përbashkët e regjisorëve, operatorëve, skenaristëve, të gjithë njerëzve që kanë punuar për këto filma. Para pak muajsh Albert Verrisë i erdhi propozimi i fundit për të luajtur në një film ndërkombëtar me një rol në filmin “Contromano”, me skenarist dhe regjisor Andamion Murataj, fitues i “Ariut të Argjendtë” për Skenarin më të Mirë me filmin “Falja e Gjakut”, me Gary Keith Griffin drejtor fotografie, i nderuar me çmimet më të rëndësishme të kinemasë, deri fitues i çmimit "Oscar" 1992. Personazhi që do të luante ishte një 80-vjeçar, një rol me shumë karakter, i vështirë dhe me domethënie të madhe, pasi filmi bazohet në temën e hapjes së dosjeve.

Por Verria nuk mundi të realizonte rolin e tij të fundit, që e kishte shumë qejf për shkak të sëmundjes së rëndë, që e mbajti gjatë në spitalet e Tiranës. Për plot 52 vjet, Artisti i Popullit Albert Verria jetoi në Vlorë, ku krijoi familjen me dy djem dhe karrierën e tij artistike. E donte deri në fund Vlorën, ndaj dhe shprehej përherë: “Megjithëse jam nga Myzeqeja, kam marrë shumë nga Vlora. Kam marrë atë që vlonjatët bëjnë shumë për njëri-tjetrin. Janë të besës, të fjalës, krenarë, që i përkasin qytetit ku është ngritur flamuri. Vlonjatët i duan dhe i respektojnë artistët e tyre. Gjithë shpirtin tim të përkushtimit ndaj artit, e kam për ta nderuar këtë spektator, që pret biletën për të më parë dhe që dua t’ua shpërblej vetëm me lojë të mrekullueshme”.Ministria e Kulturës shprehu vlerësimin e saj më të lartë për ikonën e kinemasë shqiptare, Artistin e Popullit, Albert Verria, për kontributin e jashtëzakonshëm në artin skenik dhe kinematografik dhe u shprehu ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve, të afërmve dhe të gjithë artistëve. Ministria njoftoi se ceremonia mortore do të mbahet në qytetin e Vlorës.

Filmat ku ka interpretuar Albert Verria

“Trapi i Vjetër” (2005)

“Historiani dhe kameleonët” (1988)

“Misioni përtej detit” (1988)

“Në emër të lirisë” (1987)

“Rrethimi i vogël” (1986)

“Melodi e pandërprerë” (1985)

“Ditë të qytetit tim” (1982)

“Agimet e stinës së madhe” (1981)

“Dëshmorët e monumenteve” (1980)

“Përtej mureve të gurta” (1979)

“Koncert në vitin 1936” (1978)

“Nga mesi i errësirës” (1978)

“I treti” (1978) “Thirrja” (1976)

“Në fillim të verës” (1975)

“Shtigje lufte” (1974)

“Shpërthimi” (1974)

“Brazdat” (1973)

“Operacioni zjarri” (1973)

“Kapedani” (1972)

“Kur zbardhi një ditë” (1971)

 “I teti në bronz” (1970)

“Përse bie kjo daulle” (1969)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama