Celen aktivitetet per 85 - vjetorin e Dritero Agollit

Celen aktivitetet per 85 - vjetorin e Dritero Agollit

Ndërsa Ministria e Kulturës e ka shpallur 2016–ën si Viti i Kadaresë, që përkon edhe me 80 –vjetorin e shkrimtarit me famë botërore, shoqata “Devolli” ka nisur aktivitetet që përkojnë me 85–vjetorin e lindjes së një tjetër shkrimtari, Dritëro Agollit, të cilat do të zgjasin gjatë gjithë vitit

Mes këngëve dhe valleve devollite, Shoqata Atdhetare-Kulturore “Devolli”, në Korçë, organizoi ditën e shtunë në Menkulas, fshatin e lindjes të shkrimtarit dhe poetit të madh një aktivitet festiv, në nderim të tij. Ky vit shënon 85-vjetorin e lindjes së poetit të madh ndaj dhe aktiviteti i sotëm çeli “Vitin e Dritëroit”, i cili do të përfshijë një sërë aktivitetesh artistike-kulturore, konferencash shkencore që do të zhvillohen përgjatë gjithë vitit 2016.

Poetin e shkrimtarin dhe personalitetin e shquar të kulturës mbarëkombëtare shqiptare, Dritëro Agolli – “Nderi i Kombit”, e nderuan të ftuar krijues të fushave të ndryshme, mësues e pedagogë, studiues e publicistë, profesorë e akademikë, shumë devollinj me banim në Tiranë, drejtues të Kryesisë dhe Degës së shoqatës Tirana, miq të Dritëroit dhe të afërm të tij.

Veprimtarinë për nder të 85-vjetorit të ditëlindjes së Dritëro Agolli e hapi Vasil Fundo.

Për jetën e Dritëro Agollit foli bashkëfshatari i tij, Fatos Hoxha, i cili bëri një përshkrim të jetës dhe veprimtarisë së tij. Midis të tjerash, ai tha se ne jemi krenarë që e kemi djalë fshati se ka rritur emrin e fshatit tonë dhe të trevës.

Në vijim u recituan vargje nga poemat e Agollit, e u treguan ngjarje nga bashkëmoshatarët e tij. Bukurinë kësaj mbrëmjeje ja dha vallja devollite, e cila u interpretua me mjeshtëri nga vajzat devollite. Këtë aktivitet e përshëndeti dhe Kryetari i Shoqatës Guri Seferi, i cili pasi uroi jetë të gjatë dhe shëndet për Dritëroin e madh, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe respektin që ata tregojnë për gjeniun e letrave shqipe. Gjithashtu u kërkoi të pranishmëve që “gjithmonë të jemi bashkë se kështu mbrojmë vlerat e Devollit”.

Ai u ndal në pasurinë e gjerë dhe të bukur krijuese, në poezi e prozë, të këtij miku të dashur të njerëzve tanë të thjeshtë, jo vetëm të krahinës së Devollit, por dhe anembanë Shqipërisë.

Veprat e Dritëroit, Seferi i vlerësoi “perla të mrekullueshme në poezi e prozë”, ndërsa atë e quajti “poet dhe shkrimtar me zemër të zjarrtë”, me ndjeshmëri të lartë morale e qytetare, si ndaj të mirës e të keqes; me dashuri të pakufishme për vendlindjen dhe njerëzit e saj; krijues me shpirt atdhetari, për njerëzit e thjeshtë të punës, si të fshatit e qytetit.

Dritëroi, ka pasur dhe ka gjithnjë në jetë, idealin për njeriun e lirë dhe me shpirt e ndjenja demokratike. Ai ishte dhe mbetet përherë, “devolli e shqiptar, kokë e këmbë”. Tashmë, janë bërë proverbiale vargjet e tij: “Dhe ky plis ngaherë ish i fortë,/shkoi në Evropë, brodhi në Azi,/ por kudo, nga flokët e gjer në thonjtë,/ mbeti devolli”.

Në fjalën e tij, Seferi përmendi disa vepra të Dritëro Agollit, por veçoi përmbajtjen e librave “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (Tiranë, 1999) dhe “Zhurma e erërave të dikurshme” (tregime dhe novela), të cilin ia dërguan për karton, në vitet e komunizmit dhe u botua vetëm në vitin 1999.

Janë me dhjetëra veprat e Dritëroit, në poezi e prozë, të cilat janë kaq të njohura për lexuesit tanë. Ndër to, po përmendim vetëm disa: “Baladë për tim atë dhe për vete”, “Devoll, Devoll: Baballarët” (poezi), “Nënë Shqipëri” (poemë), “Trëndafil në gotë”, “Njeriu me top” (romane), “Dhjetë sy”, “Udhëtoj i menduar” (poezi) etj. etj.

Gjithashtu, Seferi solli kujtime vetjake, nga njohjet e lidhjet shumëvjeçare me Dritëroin, i cili i thoshte që në rini se “bukuria është perëndesha e jetës”. Në mbyllje, e uroi me zemër njeriun e mirë, Dritëroin tonë, për shëndet sa më të plotë dhe jetëgjatësi.

Vëllai i Dritëroit lexoi përshëndetjen që shkrimtari kishte dërguar vetë ai për të pranishmit, në pamundësi ardhjeje në këtë përvjetor. Në letrën e tij nënvizonte se dashuria për atdheun fillon nga familja e vendlindja, të cilat i ka pasur dhe i ka gjithnjë në mendje e në zemër të tij. Kështu, në përshëndetje Dritëroi shprehte respektin e mirënjohjen për tërë Devollin e njerëzit e tij, por dhe për bashkëshorten, Sadijen dhe fëmijët e tyre, Elonën e Artanin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama