Ramiz Alia, presidenti 59-vjeçar shqiptar, është zgjedhur sot udhëheqësi i ri i shtetit në drejtimin e Partisë Komuniste, pasues i Enver Hoxhës, që vdiq të enjten në moshën 76-vjeçare. Media shqiptare raporton se zoti Alia, i cili u zgjodh nga Komiteti Qendror i Partisë, me sa duket, ishte i paracaktuar për këtë detyrë tre vjet më parë nga zoti Hoxha. Veç kësaj, në pozicionin e presidentit, zoti Alia kishte kryer shumë detyra të zotit Hoxha që në verën e vitit 1983. Kjo u bë më e nevojshme kur shëndeti i zoti Hoxha u përkeqësuar deri në atë pikë sa nuk ishte në gjendje të bënte më as daljet publike në raste ceremonialesh. Zoti Hoxha kishte drejtuar partinë qëkur ajo u themelua në vitin 1941. Gjatë gjithë drejtimit të saj ai mbrojti sistemin stalinist, duke e udhëhequr Shqipërinë nëpër thyerje ideologjike me Moskën në vitin 1961 dhe me Pekinin në vitin 1976.
Alia himnizon Hoxhën
Paracaktimi i qartë i zotit Hoxha për zotin Alia si pasardhësi i tij u bë veçanërisht i dukshëm në verën e vitin 1984, kur zoti Alia nisi një seri vizitash në kryeqytete të dorës së dytë, duke mbajtur fjalime gjatë gjithë itinerarit. Një vit më pas, në kremtimin e 75-vjetorit të lindjes së zotit Hoxha, zoti Alia ishte shprehur në një fjalim: “Partia jonë kishte një fat që madh që pati në krye të saj një udhëheqës të tillë si shoku Enver Hoxha, dishepull dhe ndjekës besnik i veprave të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit; një udhëheqës që është karakterizuar nga mençuria politike, aftësia për t’u orientuar në çdo situatë, largpamësia dhe kuraja për të marrë vendime korrekte dhe në kohën e duhur.
Përpara ngritjes së tij në rrethin e brendshëm të udhëheqjes shqiptare në vitin 1960, zoti Alia mbajti një post kyç në stafin e Komuniteti Qendror për një periudhë 2-vjeçare, i ngarkuar për çështjen e ideologjisë.
Kjo ishte një periudhë kritike, sepse Shqipëria nisi ta çlirojë veten nga varësia e Bashkimit Sovjetik dhe të shqyrtojë mundësinë për vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta me komunistët kinezë. Pastaj, detyra e zotit Alia ishte të ndihmojë në përgatitjen e kuadrove të partisë për të qenë besnikë të saj.
Vendlindja duket në debat
Ramiz Alia ka lindur më 18 tetor 1925. Në të dhënat zyrtare shqiptare, vendlindja e tij është dhënë qyteti verior i Shkodrës. Por, një ish-mësues, Arshi Pipa, i cili tani është profesor i gjuhës latine në Universitetin e Minesotas, thotë se “zoti Alia ka lindur në Jugosllavi, në provincën autonome etnike shqiptare të Kosovës dhe prindërit e tij janë transferuar në Shkodër që kur ai ishte fëmijë”.
Si një shqiptar verior, zoti Alia konsiderohej gegë, anëtar i njërit prej dy dialekteve të vendit. Zoti Hoxha ishte toskë, anëtarë i zonës në Jug të vendit.
Me përjashtim të zotit Alia, thuajse të gjithë anëtarët e udhëheqjes shqiptare janë toskë. Zoti Alia mbaroi shkollën e mesme për frëngjisht në Tiranë gjatë fundit të viteve ‘30 dhe u aktivizua politikisht, qëkur ai ishte student. Në Luftën e Dytë Botërore ai iu bashkua udhëheqjes komuniste partizanë në vitin 1944, që kur ishte 19 vjeç. Si pjesëtar në luftë, së fundi krijoi Brigadën e Shtatë Sulmuese dhe mori pjesë veçanërisht në aksionet partizane kundër forcave gjermane që po tërhiqeshin. Ai e përfundoi luftën si një komisar politik i Divizionit V, me gradën kolonel-lejtënant.
Detyra e tij e parë në qeverisjen komuniste që u ngrit në Shqipëri menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte udhëheqës për të rinjtë, në drejtimin e asaj që njihej në Shqipëri si “Bashkimi i Rinisë Punëtore”. Ai e mbajti këtë detyrë deri në vitin 1955, me përjashtim të një ndërprerjeje të shkurtër kur ishte në stafin e propagandës partiake në vitin 1948.
Stefen Peters, një zyrtar amerikan me origjinë shqiptare që e takoi zotin Alia në atë kohë, e përshkruante atë si “një shqiptar të gjatë, të dobët, të këndshëm dhe shumë miqësor”.
Ministër në kabinet për tre vjet
Zoti Alia është emëruar ministër Arsimi në vitin 1955 dhe tre vjet më vonë bëhet drejtues i lartë i Partisë Komuniste.
Kur partia ndryshoi formalisht emrin e saj në Parti e Punës së Shqipërisë në vitin 1948, në vitin e lidhjes me bllokun Sovjetik dhe prishje me Jugosllavinë, kur zoti Alia në atë kohë udhëhiqte rininë, bëhet anëtar i Komitetit Qendror. Në ngjitjen e karrierës së tij në hierarkinë partiake ai u bë kandidat i Byrosë Politike në vitin 1956, në moshën 30-vjeçare. Rreth pesë vjet më vonë, në shtator të vitit 1960, ai bëhet anëtar me të drejta të plota i Byrosë dhe një nga sekretarët e partisë nën udhëheqjen e zotit Hoxha, i cili ishte Sekretar i Parë.
Në vitin 1982, pasi kishte shërbyer në Sekretariatin e Partisë për më shumë se dy dekada, zoti Alia bëhet president i vendit, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke marrë postin e të vjetrit Haxhi Lleshi, i cili e mbajti këtë detyrë që nga viti 1953.
Martohet me vajzën e profesorit
Zoti Alia u martua me Semiramis Xhuvanin, vajza e mësuesit Aleksandër Xhuvani, që ka qenë drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit përpara Luftës së Dytë Botërore dhe që më vonë punoi në qeverisjen komuniste. Zoti Peters e cilësonte Semiramis Xhuvanin si një “vajzë të hijshme”, pasi ka qenë një nga nxënëset e tij në Normalen e Elbasanit. Peters thotë se babai i saj, me besim ortodoks shqiptar, i kishte thënë atij se i ishte “thyer zemra” që vajza e tij deshi të martohej me një djalë të besimit mysliman. Ai e kishte pyetur zotin Peters se çfarë mund të bënte për këtë gjë. “Unë i thashë atij: Asgjë, gjërat po ndryshojnë”, - kujton zoti Peters. Tani Semiramis Alia është dekane e Fakultetit të Shkencave Natyrore në Universitetin e Tiranës. Ajo që nuk njihet në Perëndim për zotin Alia në tërësi janë fëmijët e tij.
Dr. Pipa është pyetur këtë javë rreth së kaluarës së udhëheqësit të ri. Ai e kujton që në kohën kur ishte nxënës në shkollën e lartë në Tiranë në vitin 1943; “Zoti Alia ka qenë një student i mirë, por jo shumë i spikatur, i qetë dhe i përmbajtur”. Doktor Pipa ishte një i burgosur politik në Shqipëri dhe lidhja e tij në kujtimet me zotin Alia ishte në vitin 1956, kur ai ishte ministër i Arsimit dhe që i kërkoi për t’i gjetur një punë. Zoti Alia e bëri atë mësues të shkollës së lartë në Shkodër. “Ai ishte i dashur me mua”, - thotë profesor Pipa. Më tej vijon: “Ai nuk i ringjalli problemet e së kaluarës”.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 14 prill 1985
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Man in the News; New albanian leader: Ramiz Alia”
David Binder
Përgatiti: Albert Gjoka Gazeta Albania











