E nisa me tonin e rrëfimit, se rrëfimtari në romanin “Vetëm një grua” të Izet Shehut është personazh i romanit. Është një burrë i moshuar, me plagë nga e kaluara, pastaj dhe një i lodhur nga e sotmja e Shqipërisë, nga shoqëria e ashtuquajtur e tranzicionit. Do s’do, me kalimin e viteve, mosha njeriun e vë në skaj. Si për protestë, në skaj dhe më përtej se në skaj degdis veten e tij ky lloj njeriu. Për të mos e rënduar më vetveten. Një tërheqje jo për t’u fshehur, më shumë për t’u mbrojtur, për të mbrojtur thellësitë. Një liqen, një lumë, një park me pemë, një kafe e mënjanuar. Kjo lloj tërheqjeje kërkon prehjen, bukurinë, mbase dhe pak lëndë përmbajtësore që nuk lidhet domosdo me këto vise të qetësisë së përjetshme. Një marrëdhënie e shtuar me vetveten dhe e rrudhur me të tjerët. Pra, kërkohet pak poezi. Poezi që vjen nga fryma dhe pamjet e mjediseve, por edhe nga lëvizjet e brendshme që duan qetësim. Qetësimi, në mos ardhtë prej zbulimit të të fshehtave fisnikërisht të ruajtura së brendshmi, së paku të vijë prej shfrimit të pengjeve dhe të gulçeve të së shkuarës.
“Vetëm një grua”, siç na thuhet në titullin e romanit. Një grua... E ka përbaltur jeta, është varrosur përsëgjalli nga më të afërmit e saj, vetëm dhe vetëm se ka dashur kaq gjë: të jetë grua. Kështu i ka ndodhur asaj. Ajo asnjëherë nuk ka hequr dorë të jetë e tillë, ka dashur me patjetër të plotësojë, së paku, në thellësitë e saj më themelore e më të pacipa, të gjejë një burrë që do ta kënaqë edhe fizikisht si femër. Ndryshe, ajo ikte, i linte, i braktiste burrat. Familja e martonte (jeta e kish vënë në qarkun e ngurtësuar: o te prindi, o te burri) dhe ajo e pranonte martesën si fatalitet, si kërkesë të sajën, si dëshirë për t’u plotësuar si grua. Nëse kjo nuk ndodhte, ajo prapë u kthehej në derë të afërmve të saj. Ajo s’mund të mos ishte femër, grua. Një temë kjo jo e zakontë në letrat tona. Kjo temë na kthen pas te një e kaluar që sapo e lamë. Shkrimtarët e tjerë dhe vetë Izet Shehu në poezitë dhe tregimet e tyre kanë folur për natyrën kriminale të së kaluarës sonë, për vrasjen e humanitetit nga ajo kohë, për varret pa emër, për burgjet e asaj kohe... Në këtë roman ai e shtron ndryshe mungesën e plotë të lirisë së individit, kthehet nga dramat e parrëfyera të jetës së përditshme të gruas te këto tragjedi që nxijnë dhe ashtu të shuara në heshtje. Gra të privuara edhe seksualisht. Etja seksuale dhe mohimi i saj, moszënia në gojë e një “turpi” të tillë, e poshtëronin dhe e degradonin njeriun, në këtë rast gruan, në intimitetin më të thellë. Rebelimi i kësaj gruaje kundër martesës si formalitet, kundër një shoqërie patriarkale dhe komunisto-puritane është i pabujë, pa thekse politike. Por kështu godet më mirë në shenjë!
Sadik BEJKO : Gazeta Albania











