Inva Mula Pasioni nuk mjafton per te krijuar elite arti

Inva Mula: Pasioni nuk mjafton per te krijuar elite arti

Është rikthyer në “shtëpinë e vjetër” për të përjetuar për herë të parë një përvojë të re. Prej pak ditësh, teksa ecën nëpër korridoret e Teatrit të Operës dhe Baletit, thotë “mirëmëngjes” në gjuhën shqipe. Është sopranoja Inva Mula. Tashmë, jo vetëm si protagoniste në operën “Pagliacci”, por edhe si regjisore e saj. Ajo na tregon se ka marrë përsipër një sfidë të re profesionale, edhe pse kjo opera është ndër më të dashurat për të. Subjekti i veprës i ka dhënë sigurinë, për ta parë këtë vepër më afër realitetit shqiptar, ndonëse ngjarja ka ndodhur në Italinë e Jugut, që gruaja të jetë e lirë, të ketë të drejtë të zgjedhë. Inva Mula e sjell këtë personazh (Nedda), diku aty, në pallatet shumëngjyrëshe ose buzë Lanës, herë sensuale, lozonjare, të brishtë, herë të fortë, mëkatare dhe herë viktimë. Por Inva Mula ndan për “Shekulli”-n përtej kësaj përvoje regjisoriale, edhe hollësi të tjera nga jeta e saj në jetën e përditshme. Ajo veçon si më të veçanta, ato çaste kur ulet dhe bisedon me fëmijët, dëgjon me kërshëri djalin e saj dhe luan kukafshehtas me vajzën e vogël.

 

Inva, riktheheni në skenën e TKOBsë, jo vetëm si protagoniste në rolin e Nedde-s, por edhe si regjisore. Si do t’i përshkruanit emocionet teksa flisni gjuhën shqipe gjatë provave, por edhe përgjegjësinë tuaj si regjisore? 

 

Rikthimi në TKOB për mua është si të rigjesh shtëpinë tënde, atë që e ke lënë dikur, por që me kohë gjërat kanë ndryshuar. Pra, është emocion, që kur ecën në korridoret e teatrit, deri te njerëzit që u thua mirëmëngjes. Këtë radhë është ndryshe dhe një eksperiencë e re për mua të qenët jo vetëm interpretuese, por dhe krijuese e një regjie, e cila përbën dhe një sfidë të re profesionale, që nuk mund ta përjetoja për herë të parë më mirë se në vendin tim.

 

Përse zgjodhët pikërisht operën “Pagliacci”, për t’u prezantuar në skenë? 

 

Kjo opera është nga më të dashurat për mua, por edhe nga më të interpretuarat gjatë viteve të fundit në shumë teatro, si në operën shtetërore të Vjenës, Komunalen e Bolonjës, Liceun e Barcelonës, “Coregjie d’Orange”, Sao Paolo në Brazil apo së fundmi ABAO në Bilbao. Por ajo që më dha sigurinë për ta montuar në Tiranë është subjekti i kësaj vepre, që është kaq afër me realitetin shqiptar. Megjithëse ngjarja ka ndodhur në një nga fshatrat e Italisë së Jugut, kjo ngjarje është pa përcaktim kohor dhe gjeografik, ajo mund të ndodhë kudo, atje ku shoqëria pranon, që jeta e gruas të merret pa menduar se çdo njeri ka të drejtën të zgjedhë në jetë, të jetë i lirë. Pra vetë subjekti i kësaj vepre më çoi drejt përshtatjes së historisë së Nedde-s dhe të trupës ku ajo është pjesëtare, në paralelizëm të një historie, e cila megjithëse këndohet italisht (në gjuhën origjinale të veprës) mund të jetë thjesht shqiptare.

 

Na tregoni diçka më tepër për rolin e Nedde-s, personazhi që ju do të luani si protagoniste?

 

Në personazhin e Nedde-s gjendet gjithçka. Një grua, e cila e do jetën, por që e jeton atë nën presionin e një burri xheloz, i cili ushtron dhunë fizike dhe morale mbi të. Roli është kaq i skalitur nga kompozitori ku për ta interpretuar mirë atë, mjafton të jesh sa më besnik i partiturës dhe linjës vokale. Nedda është sensuale, lozonjare, e brishtë, e fortë, mëkatare komedie dhe viktimë. Për një artiste është një nga rolet më të bukura dhe interesante në aspektin interpretues.

 

Është një përgjegjësi e dyfishtë, por përse mendoni se publiku duhet të jetë pranë jush përgjatë atyre netëve? 

 

Ne i servirim publikut një ngjarje që e prek dhe e bën të thellohet. Unë mendoj që në kohët që jetojmë një vepër operistike nuk është thjesht një zbavitje estetike, por publiku duhet të dalë nga shfaqja i prekur nga mesazhi, që ne me anë të problematikës, që ngremë e bëjmë të reflektojë pozitivisht.

 

Cila është për ju arritja më e madhe profesionale deri më tani? 

 

Unë çdo ditë punoj dhe kam përpara sfida të reja. Nuk jetoj aspak me idenë se ajo çfarë kam bërë ka qenë më e mira, pasi nuk është në natyrën time vetëkënaqësia. Shpresoj gjithnjë që të më presin momente të bukura, të cilat do t’i përjetoj me të njëjtën dëshirë dhe interes, sikur ajo që ka kaluar të mos mjaftojë për të qenë e "mbushur me vetveten".

 

Dy fëmijët, djali dhe vajza, çfarë lidhje kanë me artin? 

 

Fëmijët, kur janë të vegjël, janë pasqyrë e prindërve dhe duan të bëjnë atë që prindërit dinë të bëjnë më mirë. Në rastin tim, vetë kam vazhduar profesionin e nënës dhe babait, por pa dashur ta imponoj te fëmijët. Djali im po vazhdon rrugën e artit me dëshirën e tij, ndërsa vajza që është shumë e vogël, ka dëshirë të jetë në qendër të vëmendjes apo do që ta prezantojmë kudo që jemi për të performuar "Qengjin e vogël".

 

Çfarë e mbush (plotëson) tjetër Invën, përveç arritjeve artistike? 

 

Këtu mund t’ju them se kënaqësinë më të madhe e kam kur kohën e kaloj me fëmijët e mi, me djalin që e kam tashmë shok, sepse nëse bisedon me të, arrin të përfitosh dhe të mësosh prej tij dhe të shohësh se ku është inteligjenca e rinisë së sotme. Ndërsa me vajzën i jam rikthyer lojës me kukulla dhe kukafshehtas...

 

Momentin që ju do ta veçonit si më të bukurin e jetës suaj? 

 

Lindja e dy fëmijëve të mi.

 

Një moment që ju ka bërë të ndiheni keq? 

 

Do të thoja, kur, për arsye profesionale, të mos jem pranë njerëzve të mi, që kanë pasur nevojë.

 

Për çfarë ju merr më tepër malli kur largoheni nga Shqipëria? 

 

Nuk e konsideroj më ikje largimin nga Shqipëria, se për mua nuk ka më pikënisje, por vetëm pikëtakime.

 

Dhe së fundmi, çfarë projektesh keni në duar pas Shqipërisë? 

 

Konstatoj që kemi artistë të mrekullueshëm dhe kolegë që kanë etje për të mësuar dhe bërë gjëra të bukura. Këto ditë provash në TOB më kanë dhënë energji kaq pozitive, të cilën ta japin vetëm njerëzit që të duan. Do të dëshiroja që artistët e TOB-it të ishin më të mbështetur financiarisht. Të mos harrojmë që artisti te ne, përveç pasionit që ka për artin dhe që e bën atë të sakrifikojë gjithçka, nuk ka mbështetje tjetër, mirëpo kjo nuk mjafton për të krijuar elitë të artit, por njerëz që mezi presin një kontratë jashtë shtetit, për të mos u kthyer kurrë dhe kjo është e trishtueshme. Planet janë të shumta, por më i afërti është koncerti me Filarmoninë e Parisit me Stabat Mater të Dvorak.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama