Gjatë një takimi që zhvilloi dje me disa nga ish-drejtuesit dhe punonjës veteranë, drejtori i Autoritetit portual, Eduard Ndreu, bëri të ditur se ky projekt synon të tregojë historinë e zhvillimit të portit më të madh të vendit në të gjitha fazat historike të tij.Drejtori Ndreu theksoi se: “bashkë me dokumentacionin e arshivave të institucioneve të ndryshme qendrore dhe vendore, një vend të veçantë do të zënë kujtimet e detarëve, punonjësve të ngarkim-shkarkimit dhe ish-drejtuesve të tij. Zona muzeale e portit do të jetë e vizitueshme nga të gjithë, duke mundësuar njohjen e turistëve vendas dhe të huaj me këtë pjesë mjaft të rëndësishme të jetës ekonomike të qytetit”. Sipas tij tashmë është aprovuar fondi dhe projekti që do të zbatohet në 6 mujorin e dytë të këtij viti për muzeun.
Ish-drejtori Feruz Mataj, pasi përgëzoi për nismën tha se muzeu do t’i shërbejë edhe qytetit të Durrësit, jeta e të cilit është e lidhur ngushtë me portin detar. Kryetari i shoqatës mbarëkombëtare të detarëve “Adrijon”, Dashamir Janina, vlerësoi se muzeu do të sjellë në vëmendje historinë e detarëve ulqinakë, të cilët hodhën me anijet e tyre bazat e detarisë së fillim shekullit të 20-të në Durrës. Edhe disa artistë të njohur të skenës si Gjergj Vlashi, Fadil Hasa, Ramazan Njala, etj. kanë nisur rrugën e tyre krijuese si amatorë në klubin e portit detar “Mujo Ulqinaku”, pikërisht aty ku do të ngrihet edhe qendra e ardhshme muzeale.
Marre nga: Gazeta Sot