Për të caktuar radhën e veprimtarive kalendarike është ngritur një komision, që pritet në ditët e mëvonshme të japë ndonjë të dhënë të saktë mbi aktivitetet kushtuar Eqerem Çabejt. Pas “Vitit Kadare”, “Vitit Kuteli”, ky është i treti vit që MTKRS ndërmerr një nismë të këtij lloji. Ishin disa kandidatura që kishin përvjetorin, njëkohësisht emra shumë të rëndësishëm të kulturës kombëtare, por ndër to u përzgjodh figura e prof. Eqerem Çabejt. Eqerem Çabej lindi në vitin 1908 në qytetin e Gjirokastrës dhe vdiq në vitin 1980 në Romë.
Ai është një nga figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Studimet e larta i ka mbaruar për filologji në Vjenë të Austrisë dhe u specializua në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Në korpusin e veprës së tij, vend parësor zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës, si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Eqerem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të botuar në Tiranë në 1980. Eqerem Çabej është dekoruar nga Presidenti i Republikës më 10 maj 2003, me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Marre nga : Gazeta Standard











