Ramadan Sokoli percillet me muziken e tij

Ramadan Sokoli përcillet me muzikën e tij
Një grup fëmijësh, të vënë në të djathtë të trupit pajetë të muzikologut Ramadan Sokoli, përcillnin me një atmosferë jo aq dëshpëruese këngët e kompozuara prej tij.

Melo emocionuese, që shoqëroheshin herë pas herë dhe nga një goditje e lehtë të majës së këpucës, për çudi të njerëzve të afërt që qëndronin ulur në karrige dhe ndiqnin kortezhin e njerëzve, por edhe muzikën.

Zhurma e këpucës aq tërhiqte vëmendjen, sa prej gruas së vjetër veshur me të zeza, mund të kuptoje se ky është një rast pa mort. Ndërsa zërat e fëmijëve me këngë entuziaste, të përfshirë me alegri shpirtërore, herë duke vendosur dorën në zemër, nuk të jepte zymtësinë që mbajnë pesha të tilla vdekjeje. Një prej këngëtareve lirike, pedagoge në Akademinë e Arteve, Shqipe Zani, do kujtonte se pikërisht në një nga përvjetorët e profesorit, në këtë holl të Muzeut Historik Kombëtar, ka kënduar “Blegëron delja”. Një kopje të përsosur e ka kënduar dikur Vaçe Zela.

Zani është këngëtarja që ka organizuar koncertin e fundit me krijimtarinë e Ramadan Sokolit më 26 tetor të 2007-s, duke nxjerrë nga sirtarët rreth 16 materiale muzikore të luajtura për herë të parë. Prej kësaj kohe Zani thotë se i ka hyrë punës për të incizuar në radio krijimtarinë muzikore të profesorit, një gjë e pandodhur deri tani.

Ky është një amanet që ajo e ka bërë dje dhe më parë mes vetes dhe profesorit për krijimtarinë e lënë trashëgimi. Është një muzikë e pacenuar, ashtu siç ka dalë nga trevat dhe kjo për këngëtaren e bënte profesorin të jetë identitet mbi identitet.

“Ky ishte ndoshta një nga momentet më impresionuese jo vetëm për mua si këngëtare, por edhe për profesorin që arriti të shihte punën e tij, atë kishte bërë me vite dhe iu pat mbyllur në sirtar”, - tregon Zani. Por tani është fjala që kjo muzikë të eksplorohet nga brezat. Nëse projekti i këngëtares lirike, pedagoges së Arteve, Shqipe Zani, është të incizojë të paktën atë krijimtari që ka interpretuar, për t’ia lënë studentëve në programin muzikor, mbetet një trashëgimi më e madhe pas kësaj për t’u studiuar. Mendohet se muzikologu të ketë lënë pa botuar shumë studime të fushave të ndryshme dhe rreth 12 mijë vargje të këngëve të rralla popullore, epike e lirike, mijëra fjalë të rralla të leksikut të vjetër të gjuhës shqipe, fjalë të urta, anekdota, rrëfenja, idioma, legjenda etj...

Tani është fjala për t’u eksploruar edhe në breza. Detyra jonë, konkretisht, kjo që kam nisur të bëj është që këto materiale të kalojnë në duar të studentëve dhe të atyre që duan të bëhen nesër këngëtarë.

Ramadan Sokoli është vlerësuar si personaliteti më i respektuar në botë sa i takon kontributit dhe vlerave të tij në fushën e etnomuzikologjisë, ndërsa po i bëhet homazh muzika e tij po luhet në sfond. Çfarë është ky moment për ju, që keni interpretuar veprën e profesorit?

Nëse e lidh me këtë moment muzikor që po këndohet në këtë homazh nga grupi fëmijëve, e gjitha kjo ka ndodhur sepse ai ka qenë shqiptar i vërtetë, atdhetar i vërtetë. Ka qenë nga ata shqiptarë që studiuan jashtë dhe u kthyen në Shqipëri.

Po çfarë ka bërë ai, pse e lidh më këtë shqiptar i vërtetë? Ai, edhe pse mbaroi për flaut në Firence, kishte dëshirë për të njohur botën me shqiptarët, me folklorin me identitetin që ka çdo popull. Në vitet ’54, në ekspeditat e para kanë ardhur këtu specialistë gjermanë, të cilët i ka shoqëruar profesori kanë mbledhur thesaret e muzikës shqiptare. Mbi këto thesare kanë marrë edhe gjermanët, kanë mësuar se kush është populli shqiptar me muzikën e tij, kush është populli shqiptar me zakonet e tij, me mënyrën dialektike të të folurit të tij etj., dhe të gjitha këto kanë bërë që profesori me vite ka mbledhur, pa i cenuar nga origjinaliteti këto pjesë duke i shndërruar dhe në muzikë pa fund.

Çfarë mendoni se e karakterizonte muzikën e Ramadan Sokolit që ju si këngëtare e muzikës dhe profesoreshë në Akademinë e Arteve e përcillni tek publiku dhe brezat?

E veçanta ishte se profesor Ramadani nuk e lëvizi muzikën shqiptare, e mbajti atë, përveçse i vuri një shoqërim. Ai nuk e cenoi atë dhe e bëri që ajo muzikë shqiptare që u këndua, pra 16 pjesët që realizova, (sepse ai ka dhe shumë pjesë të tjera) të tingëllonte ashtu siç kishte dalë nga trevat. Kjo e bënte profesor Ramadanin të jetë shqiptar mbi shqiptarët, identitet mbi identitet.

Kujtoj se keni realizuar koncertin e fundit dhe nga më impresionueset me krijimtarinë e Ramadan Sokolit. A mund të na thoni cila ishte lidhja juaj me profesorin, pse u nxitët nga krijimtaria e tij për ta vënë në skenë?

Profesori në vite kishte punuar shumë për folklorin shqiptar, për atë që është pjesë e identitetit të një populli. Ai mblodhi tharmin e këtij identiteti porsi bleta dhe e mbajti në sirtar për shumë vite, ato letra të verdha, derisa erdhi një moment që para dy vitesh i nxori nga sirtari. Ishte dëshirë e profesorit dhe propozimi i tij për të pasur një bashkëpunim me të. Në këtë ditë sot, vërtetë e falënderoj shumë profesorin, e falënderoj personalisht, por edhe për atë pasuri që ai i ka lënë fondit të muzikës shqiptare, vlera të pakrahasueshme që do të ishte një pjesë e errët e ndërgjegjes sonë, nëse nuk do të dilnin në dritë.

Ai kishte një dashuri të pamatë për Shqipërinë. Ai ishte një shqiptar i vërtetë, atdhetar i vërtetë. Edhe pse ishte kështu, edhe në momente të vështira, dhe në momente të përkuljes së tij, që jeta për dikë është pak më e fortë, asnjëherë nuk u tërhoq. Por përkundrazi dashuria e tij për folklorin u shtua. Dhe e gjitha kjo erdhi pa u cenuar fare. Me këtë sofizëm për veprën e tij erdhi deri tek bashkëpunimi ynë më 26 tetor të vitit të kaluar.

Kështu, kam realizuar koncertin e fundit me 16 pjesë të cilat kaluan, dhe u futën nëpërmjet interpretimit tim dhe pianistes Kilica në shpirtin e spektatorit, në veshin e tyre. Ky ishte ndoshta një nga momentet më impresionuese jo vetëm për mua si këngëtare, por edhe për profesorin që arriti të shihte punën e tij, atë kishte bërë me vite dhe iu pat mbyllur në sirtar. Me respekt, e nderoj punën e profesorit.

Keni bashkëpunuar më parë me profesorin, dhe sa e njihnit fondin e krijimtarisë së tij?

Bashkëpunimi im me profesorin ka qenë sidomos viteve të fundit. Kur kam shkuar në shtëpinë e tij ai më ka treguar në ato rafte shumë materiale dhe një herë më ka falur disa prej tyre. Ai mu drejtua dhe m’i dorëzoi plot besim duke më thënë: “Shqipe merri dhe trajtoi këto materiale muzikore për studentët”. I pashë dhe doja të shkoja sërish për t’i kërkuar materiale të tjera profesorit dhe i kam akoma në shtëpi. Është emocionuese të them tani se ato i kam kënduar nga origjinali.

Do t’i mbani ju të gjitha këto materiale muzikore, çfarë do të bëni me to?

Po, do t’i mbaj dhe do t’i incizoj në radio, sepse ndryshe është marrja me kamera dhe ndryshe incizimi në radio. Do t’i incizoj që t’i lë trashëgimi. Dhe pjesa e punës sime, ashtu siç ishte amaneti i profesorit, është që si profesoreshë e kantos, t’ua kaloj brezave në programin muzikor.

Ju thatë se keni vizituar shpesh profesorin dhe kohët e fundit ka qenë një periudhë më aktive e bashkëpunimit ndërmjet jush, duke ju zbuluar një pjesë të arkivit të tij. A mund të na thoni se çfarë është ky arkiv për atë pjesë që nuk njihet publikisht si vepra të lënë trashëgimi?

Sigurisht në gjithë arkivin që kam parë si vepër është njohur vetëm “Turtullesha”, dhe nga materialet që kam kënduar në koncertin e fundit në tetor.

Ndër këto katër materiale një pjesë e mirë, janë me temë arbëreshe me fjalë të De Radës dhe muzikë arbëreshë. Pjesa tjetër përfshin trevën e Kosovës, Shkodrës, Beratit e Leskovikut, Elbasanit ku është njëra më autentike sesa tjetra. Nëse ato këndohen del njëra më e bukur se tjetra. Çfarë bëra unë? Në qoftë se profesori i kishte lënë kështu, me këtë vlerë, përveçse u mundova t’i ngre në art, u përpoqa të ruaj atë thjeshtësinë dhe origjinalitetin e materialit. Kjo ishte puna ime më e madhe.

Ju tani po lotoni e prekur nga ai koncert me këtë që po ndodh sot, largimi nga jeta e krijuesit të etnomuzikologjisë. Çfarë e krijon këtë ndjeshmëri midis kompozitorit dhe këngëtares lirike?

Ajo që ka lidhur këtë ndjeshmëri midis nesh, duke e kuptuar thellësisht profesorin, është se edhe unë e dua shumë muzikën shqiptare dhe e kam kënduar që në fillimet e karrierës sime; muzikën e mirëfilltë kaq të pastër, në një formë shoqërimi të thjeshtë dhe atë të përpunuarën. Kjo bëri që lidhja ime me profesorin të vinte kaq natyrshëm, sepse vërtet ishte dëshira e profesorit, por ekzistonte dhe dashuria ime për këtë muzikë, krejt origjinale shqiptare.

Të dyja këto patën shumë konkordancë, dhe profesori e ndjeu sepse unë këtu ku jemi, në këtë mjedis të Muzeut historik Kombëtar, kam kënduar në një përvjetor të profesorit, këngën “Blegëron delja”, e cila ka formën, gjerësinë, lirizmin e një romance, bukurinë dhe melizmin popullor. Kjo ishte lidhja ime, që pas kaq vitesh, u zbulua pothuaj bulëza e parë që profesori ndjeu tek unë. Tek kjo këngë unë dhashë një interpretim tjetër, dhe një mënyrë të kënduari të ndryshme. Mirë është që të ekzistojnë disa variante të të kënduarit, megjithëse ekziston kopja më e bukur e Vaçe Zelës, unë mendova si këngëtare lirike të them diçka tjetër, dhe profesorit i pëlqeu.

A mendoni se muzika e profesorit është e eksploruar nga këngëtarët lirikë?

Jo, aspak. Sepse, e para, është se këto pjesë, këngë nuk ishin publikuar. Tani është fjala për t’u eksploruar edhe në breza. Detyra jonë, konkretisht, kjo që kam nisur të bëj është që këto materiale të kalojnë në duar të studentëve dhe të atyre që duan të bëhen nesër këngëtarë.

Kjo do të thotë se keni projekte në lidhje me arkivin e profesorit?

Po, dhe është ndër projektet më ambicioze të miat, që ka të bëjë me vazhdimin e incizimit të materialeve muzikore të lëna trashëgim nga profesori. Ky është amanet.

Intervistoi: V. Murati

Përse është studiues unikal

-Në vitin 1957, udhëheq ekspeditën e parë shqiptaro-gjermanolindore.

-Ka qenë përpilues dhe hartues i programeve dhe teksteve të folklorit muzikor, si dhe ka krijuar një repertor didaktik për instrumente të ndryshme.

-Në moshën 17-vjeçare jep provat e para, duke kompozuar këngë popullore, si dhe pjesë të ndryshme instrumentale.

-E çmuar është veprimtaria e tij, si hulumtues dhe studiues i folklorit muzikor dhe i degëve dhe disiplinave të tij, apo kontributi i tij në historinë e artit, duke hedhur dritë mbi figura të kulturës, që ishin mbuluar nga harresa.

-Në albanologji ka hulumtuar dhe pasuruar gjuhën shqipe me fjalë të panjohura, të mbledhura nga fusha e muzikës, ndërsa në arkeologji është marrë me studimin e artit ilir, vizatime parahistorike etj.

-Emri i Prof. Ramadan Sokolit zë vend për veprimtarinë e vazhdueshme në kërkim të rrënjëve të qytetërimit shqiptar, duke u ndalur në fushën e etnomuzikologjisë.

Berisha: Iku një nga korifenjtë e kulturës

Kryeministri Berisha bëri dje homazhe në ambientet e Muzeut Kombëtar, në nderim të etno-muzikologut të shquar shqiptar, studiuesit të madh të muzikës, Prof. Ramadan Sokoli, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 88-vjeçare. Kryeministri vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Prof. Ramadan Sokolit, duke e cilësuar atë një nga korifenjtë e botës kulturore të vendit tonë. “Sot është një zi e vërtetë, një zi e thellë për mendimin shqiptar, për botën kulturore të kombit tonë. Ramadan Sokoli është njëri prej personaliteteve më të mëdha, më të shquar, një nga mendimtarët dhe studiuesit më mendjendritur të kulturës, muzikës dhe shpirtit të këtij kombi. Me këtë rast, shpreh dhimbjen time dhe ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të afërmve të tij, si dhe gjithë botës kulturore të vendit, që sot humbën një prej korifenjve më të mëdhenj të kulturës”, - u shpreh Kryeministri Berisha për mediat e pranishme.

Topi: Humbje e madhe për etnografinë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi familjarëve të profesor Ramadan Sokolit, i cili u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare.

"Të dashur familjarë të profesor Ramadanit, me keqardhje të thellë mësova për ndarjen nga jeta të profesor Ramadan Sokolit, njeriut që gjithë jetën dhe veprën e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik e patriotik të promovimit të kulturës dhe traditës së kombit shqiptar. Kjo figurë e shquar dhe me vlera unikale në hulumtimin dhe studimin e tërësishëm të folklorit dhe krijimtarisë së personaliteteve të spikatura të kulturës shqiptare përçoi tek lexuesit dhe studiuesit e kësaj fushe, me profesionalizëm edhe ndjenjë, karakteristikat më jetësore dhe të përjetësishme të traditës, artit dhe kulturës shqiptare. Me humbjen e profesor Ramadanit shkenca e etnografisë dhe e albanologjisë humbi një ndër korifenjtë e saj, kolegët një ndër pikat kryesore të referimit akademik dhe njerëzor dhe familja njeriun e shtrenjtë", - thuhet në mesazhin e kryetarit të shtetit.

Marre nga : Gazeta Standard

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama