- Pas artikullit tuaj të botuar disa kohe me pare në gazetën “55” disa artistë të TOB-it, mes të tjerash, janë shprehur se Ju i keni ofenduar. Si është e vërteta?
-Në mënyrë kategorikë unë nuk ofendoj njeri e aq me pak artistë. Unë vetëm kam kritikuar rendimentin. Kjo është detyra ime si regjisor. Nuk është e rëndësishme se çfarë diskutohet në prova. Shumë më i rëndësishëm është rezultati. Por, fatkeqësisht këtë gjë disa nuk e kuptojnë. Ndërsa tek ne kjo është e zakonshme. Përndryshe nuk do t’i rezistonim dot konkurrencës.
- Ju keni thënë, se ata janë ciganë.
- Po. E kam thëne me zë të lartë dhe qartë, se çdokujt do i dukej vetja si „cigan” nëse punon mbi një pirg plehrash. E pra, nuk mund të ndodhë që njerëzit të flakin mbeturinat mbi skenë, ose në gropën e orkestrës e që kërkush nuk mundohet t’i pastrojë. Në disa ambiente të TOB-it të duket se je në depo plehrash. Unë kam shumë fotografi që e vërtetojnë më së miri këtë gjë. Kjo nuk ndodh në të gjithë botën. Nëse personat në fjale e ndiejnë veten të ofenduar, atëherë duhet ta dinë se unë e kam pasur seriozisht. Njerëz të tillë të pacivilizuar nuk duhet të jenë pjesë e Teatrit. Ata janë të pavlefshëm dhe ofendojnë të gjithë shqiptarët.
- Thuhet se Ju kritikoni gjithçka qe nuk e keni vënë vetë në skenë. Si mendoni?
- Kjo akuzë është shumë primitive. Shumica e shfaqjeve të TOB-it janë të dobëta, e për këtë gjë nuk mund te prezantohen në asnjë vend tjetër kudo në botë. „Kiss me Kate” dhe „Carmen” e dëshmojnë më së miri këtë. Ka edhe regjistrime televizive të këtyre shfaqjeve. Le të shihen nga ekspertë botërore dhe më pas të diskutohen publikisht për cilësinë e tyre. Drejtori i Teatrit të Vjenës do ishte shkrirë së qeshuri, nëse do i shihte ato. Dhe jo vetëm ai.
- Shumë nga artistët thanë se Ju keni dështuar.
- Eshte e drejta e tyre ta shohin këtë gjë kështu. Kam parë, që ditet e fundit është diskutuar gjatë për artikullin tim, por ju siguroj që ato janë vetëm shpifje e thashetheme. Kjo është gjuha e diletanteve. Në artikullin tim kam trajtuar mangësitë serioze të teatrit. Në replikat e tyre të mëpasme nuk ka patur asnjë reagim dhe kundërshtim përkundrejt akuzave të mia të faktuara. Sepse diletantet nuk mund t’i kundërshtojnë ato.
- Në reagimet e njerëzve pranë TOB-it thuhet se edhe artistë të tjerë të huaj kanë bashkëpunuar këtu, por nuk kanë pasur probleme si Ju.
- Edhe me grupin gjerman që realizoi „Fidelion” drejtoria ka pasur polemika, probleme e „nervozizma” jo të vogla deri në „kacafytje” çiliminjsh midis drejtorit të përgjithshëm e atij të produksionit, të denja për filma „Wuestern”. Por gjermanët nuk reaguan në shtyp sepse e quajtën të kotë. Përsa i përket Zonja-ve që vunë në skenë „Carmen” apo „Kiss me kate” ato nuk janë aspak të njohura në „rrethet” tona. Natyrisht që ato ishin „të sjellshme” me teatrin sepse duan të vijnë sërish e të marrin paratë e shqiptarëve. Ndërsa unë nuk kam nevoje as për famë e as për para në Shqipëri. Kam ardhur për të punuar këtu, sepse i dua njerëzit dhe këtë e kam dëshmuar si me ofertat që u kam siguruar shumë nga artisteve tuaj në skenat e Austrisë e Gjermanisë, ashtu edhe në jetën personale, pasi siç e kam thënë edhe herë tjetër, kam pasur për grua një vajzë shqiptare. Për këtë arsye dua ta them hapur mendimin tim. Nuk me intereson se çfarë thonë të tjerët pastaj. Nëse jam i dobishëm, vij, nëse jo, atëherë s’më ngelet aspak qejfi. Më vjen keq për artistët shqiptarë, sepse nuk do kem më mundësi të bashkëpunoj me ta dhe t’i ftoj ata në produksionet e mia në Austri apo Gjermani. Por, ky nuk është problemi im.
- Çfarë mendoni se nuk bëjnë mirë artistët shqiptarë?
- Ata nuk janë në asnjë mënyrë më poshtë se artistët tanë. E kam thënë këtë gjë hapur disa here. Edhe në artikullin tim kam theksuar faktin, se artistët shqiptarë kanë nivel ndoshta më të mirë se tanët. Duke patur parasysh madhësinë e vendit tuaj, ju keni një përqindje shumë të madhe artistësh së klasit të parë. Siç e thashë më parë, unë kam sjellë në Austri dhe Gjermani disa prej tyre. Njëri prej tyre ka marrë nënshtetësinë austriake dhe këndon në Operat më të mira të botës. Para pak ditësh këndoi me sukses në Operën e Zyrihut. Ky këngëtar ishte i gatshëm të vinte të këndonte me mua në Tiranë në operetën „Lakuriqi i natës” me pagese mini-male, por as që mori përgjigje për këtë gjë nga Drejtoria.
- Kur kemi artistë të mirë, me nivel të lartë, përse atëherë janë shfaqjet këtu kaq të dobëta? Ju keni thënë, se Tirana ka Teatrin e Operës më të keq në Botë.
- Kjo gjë nuk ka të bëjë me artistët. Edhe Placido Domingo dhe Anna Netrebko do të kishin dështuar në Tiranë. Është njësoj si t’i kërkosh Mikael Shumakerit të dalë kampion bote me një makine Fiat Tipo, që është makinë e keqe. Kam pasur vetë një të tillë dhe e di mirë. Por, Opera e Tiranës nuk është as dhe Fiat Tipo.
- Çarë është atëherë Opera e Tiranes?
- Ajo nuk është asgjë. Ajo drejtohet nga njerëz që nuk marrin vesh nga teatri. Nga njerëz qe nuk e duan teatrin dhe nuk i duan artistët. Këto njerëz interesohen vetëm për përfitime personale. Është vërtet gjynah. Tirana duhet të kishte operën më të mirë në Ballkan, sepse kualitetet artistike janë këtu.
- Ju mendoni se fajin për këtë e ka drejtimi?
- Po. Në Shqipëri ka humbur përgjithmonë sensi i të drejtuarit në mënyrë profesionale të teatrit. E njerëzit që drejtojnë këtu, as nuk e kanë idenë e kualitetit.
- Mendoni se po të ndërrohet drejtimi gjërat do të jenë ndryshe dhe Opera do të ketë tjetër nivel?
- Po dhe jo. Po, sepse zotërinjtë që drejtojnë teatrin këtu kanë po aq njohuri për tetarin sa ç’kam unë për fizikën bërthamore. Jo, sepse mund të vijë dikush, që nuk e njeh në themel teatrin. Për të udhëhequr një teatër duhet të kesh punuar me dekada në një të tillë si artist, regjisor, dirigjent, dramaturg apo asistent/regjisor. Pra, duhet të kesh një karriere e cila të ketë nisur nga poshtë. Përveç kësaj, duhet të ketë një kontroll rigoroz të financave.
- Mos do ishte ide e mirë të angazhohesh një i huaj në këtë post? Le të jetë si në sport që trajneri i një kombëtareje të jetë edhe i huaj!
- Po dhe Jo. Nga këndvështrimi profesional keni të drejte, po. Por në rastin konkret të strukturave këtu, çdokush do ta kishte të vështirë dhe do të dështonte. Mungojnë shumë gjëra, duke filluar me bazën ligjore për shembull. Ne kushtet aktuale asnjë i huaj nuk do të merrte përripër një detyrë të tillë, nëse do të ishte profesionist dhe i palodhur nga jeta.
- Nuk tingëllon si shume pak optimist opinioni Juaj?
- Njeriu e humb optimizmin në një teatër opere, ku regjisori duhet të kujdeset për të blerë soba ngrohje. Regjisorit austriak (mua pra) iu desh të blinte (!) 10 soba të tilla për të ngrohur sallën e Teatrit të Operës në kohën kur zhvilloheshin provat e „Lakuriqit të natës”, ku temperatura e ambientit shënonte 4 gradë. E ç’mund të them tjetër?
Nga Flori Slatina : Gazeta 55











