Besnik Mustafaj “Biblioteka ime ne deklarimin e pasurise”

Besnik Mustafaj: “Biblioteka ime ne deklarimin e pasurisë”
Ai nuk është vetëm politikan, por dhe një shkrimtar i mirë, madje është nderuar dhe me çmime në këtë fushë.  Është nga ata persona që e ka kuptuar demokracinë në thelbin e saj dhe nuk ngatërron atë me çfarëdo gjë tjetër të ngjashme. Mustafaj është personazhi ynë i javës në rubrikën "Biblioteka e politikanit" për të na treguar diçka ndryshe nga vetja e vetë, marrëdhënien e tij me librin. Formimin që të jep libri, nuk e ndërron me asgjë tjetër, dhe ai për veten e vet i ka marrë frytet e tij, kjo duket në fjalimet tij apo nga mënyra se si ndërhyn dhe del në momentet më pikante të politikës shqiptare. Po ashtu nuk e ka të vështirë t'i thotë në momentin e duhur eprorit të tij "stop". Në deklarimin e pasurive të bërë nga politikanët shqiptarë, Mustafaj është i vetmi që si pasuri ka vendosur dhe bibliotekën, e cila kap shifrën e 15 mijë dollarëve.

Çfarë përfaqëson libri për ju, dhe cilat kanë qenë librat e parë që keni lexuar?
Libri për mua është një shoqërues i pazëvendësueshëm i gjithë jetës sime, që do të thotë, që kur unë kam mësuar shkrim e këndim, kam lexuar shumë. Kam trashëguar nga im atë një bibliotekë mjaft të pasur, por që ishin libra vetëm për të rritur dhe unë që i vogël kam lexuar libra që nuk i përkisnin moshës sime. Që në fëmijëri kam lexuar romane të tilla si "Lufta dhe Paqja", "E kuqa dhe e zeza", pra klasikët e mëdhenj të letërsisë botërore të shekullit të XIX, çka ka patur dhe anën e vetë të keqe, sepse unë nuk kam lexuar shumë libra për moshën që ishte e nevojshme. Nga ana tjetër aspekti pozitiv është se  mbaj mend shumë më tepër ata libra që i kam lexuar atëherë, kam dhënë provimin e letërsisë frënge për shembull me leximin e fëmijërisë të "E kuqa dhe e zeza", ose të disa romaneve të Balzakut. Kjo do të thotë që unë i ruaja shumë mirë në memorien time të gjithë subjektet, emrat e personazheve, madje dhe detajet e këtyre leximeve që nga fëmijëria, gjë që nuk më ndodh sot. Kur lexoj një roman, harroj shumë gjëra, kurse atëherë mbaja mend. Më vonë, duke filluar nga shkolla e mesme mu shtua dhe vazhdon pasioni për të shkruar letërsi. Unë e kam patur dhe e kam shumë pasion leximin dhe mund të them që çdo njeri ka atë mënyrën e vetë të argëtuarit, për mua asgjë nuk e zëvendëson të lexuarit. Më shumë kënaqem kur lexoj një libër, se sa kur shikoj një film, kur dëgjoj muzikë apo kur shkoj në teatër. Të gjitha këto pjesët e tjera të artit, ku ndërthuret dhe letërsia, nuk e zëvendësojnë për asnjë çast kënaqësinë që më jep leximi.

Ka ndikuar të lexuarit në të shkruarit tuaj?
Po, patjetër. Nuk mund të bëhesh shkrimtar në qoftë se nuk lexon shumë. Të lexuarit dhe të shkuarit ka të bëjë me një aspekt selektimi, nuk mund të them se në fëmijëri lexoja poezi.
Unë kam filluar të lexoi poezi në shkollë të mesme, tamam si lexues i pasionuar i saj. Kam filluar të lexoj shumë ese në universitet, deri pa shkuar në fakultet nuk lexoja. Kam filluar të lexoj ese politike kur kam filluar të merrem me politikë, sepse para se t'i hyja kësaj fushe, nuk lexoja shumë ese të tilla, lexoja më shumë materiale filozofike, letrare, sociologjike. Pra gjithsesi, profesionet paralele që kam bërë në jetën time kanë orientuar në një masë dhe leximin.

Kjo do të thotë që me kalimin e viteve ka ndryshuar shija juaj për leximin?
Nuk mendoj se ka ndryshuar shija, një libër që më ka pëlqyer atëherë, më pëlqen dhe tani, për këtë jam i sigurt. Ka ndryshuar përmbajtja e leximit, sepse në qoftë se nuk do të merresha me politikë, nuk do të mund të lexoja kujtimet e Bill Klintonit, tani unë lexoj nga këto, sepse është bërë pjesë e formimit tim dhe pjesë e punës sime. Për të bërë punën mirë ke nevojë për një formim, dhe jam i bindur se asgjë nuk e zëvendëson librin kur është fjala për formimin intelektual.

Ka ndonjë libër, të cilin, edhe pse kanë kaluar vite, ju i riktheheni me të njëjtin pasion?
Janë disa romane që iu rikthehem në mënyrë të vazhdueshme, është "Don Kishoti", që i jam rikthyer shumë herë, është "Dhiata e Vjetër", "Bibla", që i jam rikthyer po ashtu shumë herë.

I perceptoni ndryshe pas rikthimeve librat?
Ka raste që vë re gjëra të tjera dhe zbulon elementë që nuk i ke parë në leximin e parë, të dytë apo të tretë, ka raste jo, por unë dua të riprovoj te vetja një kënaqësi që jam i sigurt, që do ta gjej dhe që ka të bëjë me aspektin e kënaqësisë që unë marrë nga leximi.

Sa libra numëroni në etazherët e bibliotekës tuaj?
Unë mendoj, dhe e them pa modesti, se kam një bibliotekë shumë të pasur dhe se jam i vetmi njeri në Shqipëri që kam deklaruar në deklarimin e pasurive që kemi ne si politikanë dhe vlerën e bibliotekës, që kap shifrën e 15 mijë dollarëve. Në deklarimin e pasurisë kam futur dhe bibliotekën, që nuk besoj ta kenë bërë të tjerët. Përsa i përket shifrës, mund të them me përafërsi se kam aty te rreth 5 mijë libra. Nuk kam shumë libra të shtrenjtë dhe që kushtojnë, unë kam shumë libra që të tërë përbëjnë më shumë se 15 mijë dollarë. Kam dy-tre libra që mund të vlejnë disa qindra euro. Nuk mund të them se kam libra të vjetër, por kam libra të çmuar për nga përmbajtja e tyre. Për mua libri është një mjet pune, nuk është një mjet zbukurimi dhe as një mjet estetik për të ndenjur në rafte.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në shtëpinë tuaj?
Jo, nuk i kam lexuar të gjithë, vazhdoj të blej libra, por që nuk i kam lexuar të gjithë.

Cili është libri i fundit që keni futur në shtëpi?
Libri i fundit që kam blerë, është ai që po lexoj tani, është një roman i  Koço Kostës, që e bleva para disa ditësh.
Besoj se në bibliotekën tuaj gjenden libra me autografe, cili është libri me autografin më të veçantë në etazherët tuaj?
Po, kam libra me autografe dhe nga shkrimtar të huaj, kur kam qenë jashtë shtetit apo edhe këtu në Shqipëri, kam libër me autograf nga Umberto Eko e shumë të tjerë.

Ju lexoni më shumë në shqip apo në gjuhë të huaj?
Lexoj dhe në shqip dhe në gjuhë të huaj, po kjo varet nga libri që më bie në dorë. Për funksionet që ka libri në jetën time, leximi në gjuhën shqipe është i domosdoshëm sepse nëpërmjet përkthimeve gjuha shqipe pasurohet, dhe janë këta elementë që i bëjnë mirë asaj.
Ju thatë që e keni trashëguar bibliotekën nga babai juaj, ju vetë kujt do ja lini trashëgim bibliotekën tuaj?
Unë katër të pestat e kësaj biblioteke që kam sot në shtëpinë time e kam ndërtuar vetë. Por për sa i përket trashëgimisë sime, unë kam dy djem, dhe nuk mund të them deri tani se kujt do t'ia lë, se mendoj se është shumë shpejtë, shpresoj se nuk e kam për nesër testamentin (qesh), fëmijët e mi lexojnë, e duan librin.
Jashtë, një person ka një bibliotekë dhe më pas bëhet ministër, ndërsa këtu te ne ndodh që bëhet ministër dhe, më pas, i bie ndërmend të ndërtojë një bibliotekë. Çfarë mendimi keni për këtë?
Unë nuk dua të bëj përgjithësime, nuk e di si ka ndodhur me kolegët e mi, por unë bibliotekën e ka patur para se të bëhesha ministër, dhe kjo është e sigurt.
Në qoftë se një ditë biblioteka juaj do të merrte flakë, për cilat nga librat do t'ju vinte keq më shumë?
Nuk do më vinte keq për ndonjë libër, do më vinte më shumë keq për dorëshkrimet e mia, ato janë më të pa arriturat për mua, sepse në bibliotekë janë dhe ato, librat dhe mund t'i zëvendësoja.

Autori i preferuar shqiptar apo i huaj?
Nuk kam ndonjë gjë ekskluzive si autorë të preferuar shqiptar, kam shumë autorë shqiptarë që unë  i konsideroj si mësues të mëdhenj të mi. Mitrush Kuteli është prozatori shqiptar më i dashur dhe i çmuar për mua, të cilit i rikthehem herë pas here. Lasgush Poradeci, Gjergj Fishta, Ismail Kadare me romanet e tij, të pa zëvendësueshëm për mua. Poezitë e Dritëro Agollit, poezi të Fatos Arapit. Ndërsa nga të huajt, kam autorë të periudhave të ndryshme ose libra të veçantë. Unë jam një adhurues shumë i madh i "Don Kishotit", adhuroj gjithashtu Gustav Floberin, deri diku i disa librave të Stendalit, jam një lexues shumë i pasionuar i disa novelave të Tolstoit, jam një fanatik i Gogolit.
Çfarë ndryshimi ka të lexuarit e rinisë suaj me atë të kohës së sotme?
Unë, po ta krahasoj me tim bir, harxhoj më pak kohë përpara kompjuterit. Unë mendoj se interneti nuk e zëvendëson dot librin, interneti jep informacione shumë interesante, por libri të jep informacion të dobishëm, interneti nuk t'i zhvillon shijet, ndërkohë që libri t'i zhvillon shijet dhe komplet stilin dhe perceptimin e botës. Sipas Aristotelit, stili është vetë njeriu, pra leximi ndikon në brumosjen e vetë njeriut. Unë mendoj se vlerësimi i leximit në raport me internetin nuk është i drejtë, por dhe nënvlerësimi i leximit për t'i dhënë prioritet internetit nuk them se është prapë i drejtë.

Librat

•"Don Kishoti"
Është një nga librat, që edhe pse kanë kaluar vite që kur Besnik Mustafaj e ka lexuar për herë të parë, përsëri i rikthehet me shumë pasion.

•"E kuqa dhe e zeza"
Është një libër që Mustafaj e ka lexuar që në moshë farë të vogël, kur në vend librave për fëmijë lexonte ata për të rritur.

•Mitrush Kuteli
Është një nga prozatorët shqiptarë, që Besnik Mustafaj vlerëson më shumë nga autorët shqiptarë, të cilin e quan mësuesin e tij të madh.

•Poezia
Është një nga zhanret letrarë që politikani dhe shkrimtari Besnik Musatafaj e lexon me shumë pasion.

 
Entela Resuli : Gazeta TiranaObserver

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama