Lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin "Çajkovski" të Moskës (1952-57), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karierrën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikoro-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros tek "Berberi i Seviljes" të Rosinit, Onjeginit tek "Eugjen Onjegin" të Çajkovskit dhe Gjetës tek "Mrika" e Prenk Jakovës.
Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve '60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokalo-koncertale, kantata, poema vokale, etj. dhe skenike, ku veçohen opereta "Karnavalet e Korçës" dhe opera "Borana". Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë mes të cilave "Valsi i Lumturisë".
Eshtë fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si Çmimi I në Festivalin e Berlinit, 1951; Çmimi i Republikës i Shkallës I, 1964 dhe mban titullin Artist i Popullit.
Marre nga : Gazeta Shekulli











