“Kamorra kontrollon industrine e mbeturinave toksike”

“Kamorra kontrollon industrinë e mbeturinave toksike”

Gjithsesi, kjo intervistë ka qëllim jo të hedh dritë mbi këto, por për ti dhënë publikut një personazh krej të pazakontë, prej kohësh në mediat e gjithë Europës: Një 28 vjeçar që ka nxjerrë sekretet e Mafies..

Pasi shkroi një libër bestseller mbi mafien napolitane, Roberto Saviano u detyrua të fshihet. Ndërkohë që policia italiane po arreston dhjetëra të dyshuar si anëtarë të mafies, ai ridel në skenë dhe flet në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar në vendin e tij. Romani bestseller i Roberto Savianos, "Gomorra", një lojë fjalësh kjo mbi Kamorran napolitane, e ka shpërblyer atë me shumë më tepër se sa tituj nderi apo çmime letrare. Ai ka marrë gjithashtu kërcënime me vdekje nga Kamorra, një prej grupeve kriminale më të përgjakshme në planet. Saviano studioi vëllime të tëra dokumentesh gjykate dhe infiltroi në mafien napolitane, duke bërë punë të çuditshme, të gjitha këto për qëllime kërkimore për librin e tij. Tani, ai jeton i fshehur dhe roje të armatosura e ruajnë 24 orë në ditë. Libri i tij ka shitur 900 000 kopje në Itali dhe ai sapo është botuar në anglisht në Shtetet e Bashkuara dhe shumë shpejt do të botohet edhe në Britani, Francë dhe Gjermani. Saviano, 28 vjeç, doli nga vendi ku qe fshehur dhe i rrethuar nga truprojat e tij dha këtë intervistë, duke bërë ecejake përgjatë Villa Borghese në Romë.

Newsaweek: Kamorra napolitane thotë se do t'ju vrasë.A keni frikë?

Roberto Saviano: Jo, nuk kam frikë. Është thjesht diçka që më duhet të përballem. Kam disa kufizime dhe sigurisht disa gjëra duhet t'i bëj ndryshe nga më parë. Më duhet të lëviz me truproja. Ndoshta dikush tjetër do të qe frikësuar, por unë e kuptoj qartë se

kjo ndodh për shkak të asaj që jam duke bërë.

Newsaweek:Ju jetoni i fshehur, ndryshoni shpesh banesat. Si është?

Roberto Saviano:E çuditshme. Është absolutisht e çuditshme. Çdo ditë është ndryshe. Më kujtohet kur filloi; 13 tetori i vitit që kaloi ishte dita që më ndryshoi jetën. Krejt papritur, mu desh të shoqërohem me truproja, me makina të blinduara. Më bëri gjithashtu të kuptoj se njerëzit që mund të takoj, ndoshta duan të më bëjnë keq. Isha me fat që pati shumë solidaritet me mua. Shumë njerëz e mbështetën punën time dhe besuan në atë që bëja.

Newsaweek: Përse ju duan të vdekur?

Roberto Saviano: Ndodhi kur ishin shitur tashmë 100 000 kopje nga libri im. Kjo gjë e shqetësoi shumë klanin Kamorra, që preferon ta shpërndajë informacionin e tij si do vetë dhe jo të jenë të tjerë që ta bëjnë. Këto grupe nuk kushtojnë shumë vëmendje kur dikush thotë diçka. Klani nuk ka ndonjë problem të madh me lirinë e shprehjes. Kur vendosën që duhej të më eliminonin, ndodhi sepse unë jo vetëm e thashë, por edhe e shkrova dhe kur libri nisi të shesë më shumë kopje, kjo i zemëroi sepse historia e tyre do të zbulohej

nga një audiencë edhe më e gjerë. Tradicionalisht historia e klanit nuk dëgjohet asnjëherë. Historia e tyre njihet vetëm në qarqe lokale. E dini, mes Kamorrës, norma e vdekjeve është një ose dy në ditë. Vdekjet nuk janë as për lajm, nëse nuk arrijnë në gjashtë apo shtatë në ditë. Por për mua, dukshmëria që rrethon librin është një formë mbrojtjeje. Sa më i famshëm që mund të bëhem unë, aq më pak gjasa ka që ata të krijojnë

një skandal mbi gjakun tim. Por, nga ana tjetër, ata nuk do të harrojnë kurrë.

Newsaweek: A pendoheni ndonjëherë që e keni shkruar këtë libër?

Roberto Saviano: Jo. E vetmja gjë për të cilën pendohem është se këto kërcënime kanë ndikuar gjithashtu në familjen time. Por pozicioni im mbetet i palëkundur, po kështu edhe besimi në atë që po përpiqem të bëj.

Newsaweek: Çfarë lloj kërcënimesh me vdekje ju kanë bërë?

Roberto Saviano:Në të vërtetë, rreziku më i madh ishte kur karabinierët e Napolit zbuluan një plan për të më eliminuar përmes një informatori. Atëherë, më ofruan eskortën policore. Unë nuk e kërkova, por bazuar në kërcënimet që më vijnë, e kuptoj përse më duhet.

Newsaweek: Jeni përgëzuar se i keni bërë më shumë dëm Kamorrës, sesa vite të tëra lufte kundër mafies.A e kuptoni plotësisht atë që keni bërë për të shkundur Kamorrën?

Roberto Saviano: Mendoj se kryesorja që unë kam bërë, është jo brenda organizatës, por mënyra se si ata perceptohen në botën e jashtme. Kur njerëzit lexojnë këtë libër në Angli, Finlandë, Amerikë, ata kuptojnë më mirë veprimtarinë dhe mënyrën si klani mban peng popullsinë. Ky informacion është diçka që Kamorra nuk e dëshiron. Në çdo vend tjetër flasin për mafien, por jo në Itali. Në Itali, ne nuk flasim për problemin. Ekziston perceptimi se nëse flet për mafien, do të të ndodhë diçka e keqe. Çdo vend tjetër e lidh Italinë me mafien, por jo Italia.

Newsaweek: A po bën progres Italia në luftën kundër mafies?

Roberto Saviano: Ka shumë nisma, por janë të vogla. Kështu që edhe progresi është i vogël. Mentaliteti i njerëzve ndryshon ngadalë, por duhen ndryshime në nivel institucional. Dhe jo vetëm në Itali, por në gjithë Evropën. A e dini që nuk ka shoqatë antimafie jashtë Italisë? Nuk ka një të tillë në Angli, Finlandë, Francë apo Gjermani. Të gjithë prokurorët italianë antimafie bashkëpunojnë me forcat e policisë në vende të tjera, por këta nuk kanë ligje antimafie që të korrespondojnë me ligjet antimafie këtu te ne. Nuk ka rregulla evropiane antimafie që të lejojnë llojin e hetimit, ekstradimit dhe marrjes në pyetje që kërkohet në çështjet e mafies.Paradoksi është që nuk ka pasur asnjë hetim antimafie në Gjermani, përpara incidentit në Duisburg verën që kaloi. Kjo i hapi sytë Gjermanisë, por edhe Evropës. Ndoshta ky është hapi për fazën tjetër. Pas Duisburgut, krimi i organizuar mund të përcaktohet si problem evropian, jo vetëm italian. Mafia e kupton këtë më mirë se çdo gjë tjetër. Cosa Nostra siciliane nuk është aq e fortë sa Kamorra dhe Ndraghetta, por ata kanë një shtrirje globale të madhe dhe janë infiltruar në shumë industri globale. Në fakt, mafia kuptoi dobinë e globalizimit dhjetë vjet para pjesës tjetër të botës.

Newsaweek: A ka ndonjë mënyrë për të ndalur mafien?

Roberto Saviano: Duhet nisur me ndryshimin e mendjeve të njerëzve që bëjnë marrëveshje të fshehta me mafien, por duhet ndryshuar edhe struktura politike si dhe të ndryshohen rregullat ekonomike në Evropë. Mafia hyn në vende të ndryshme duke investuar në sipërmarrje pa risk, si restorante e hotele. Më pas zhvendoset drejt kompanive të naftës etj. Por ata bëjnë zigzage mes aktiviteteve ligjore dhe joligjore, gjithnjë duke mbajtur një pjesë të ligjshme. Ata madje e kryejnë këtë edhe në një nivel social. Anëtarë të klanit investojnë në Kinë apo kontrollojnë industrinë e mbeturinave toksike, por nga ana tjetër, nuk lejojnë gratë të lyejnë flokët, sepse kjo është shumë erotike.

Newsaweek:A besoni se një ditë Italia do të çlirohet nga krimi i organizuar?

Roberto Saviano:Është e mundur, por jo nëse mundohesh ta ndalësh vetëm në Itali. Duhet të ketë një fokusim në të gjithë Evropën. Kufiri i ri për mafien është Afrika; atje duhet të bëhen përpjekje. Kjo qeveri ka bërë disa veprime, por tani jemi vetëm në ground zero.

Newsaweek:Sa gjatë mendoni se do të jetoni?

Roberto Saviano: Më duhet të rrëfej, nuk është se kam ndjesinë se do të jetojë një jetë të gjatë. Por shpresoj. Më pëlqen me të vërtetë jeta.

Marre nga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama