Ben Blushi PS eshte mbushur me bandite dhe miliardere. Ne parti kemi 10 njerezit me te pasur ne vend

Ben Blushi: PS eshte mbushur me bandite dhe miliardere. Ne parti kemi 10 njerezit me te pasur ne vend

Ben Blushi, deputeti rebel, ish-miku dhe ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Edi Ramës, tashmë zyrtarisht i del atij përballë. Ai thotë se do të dalë me një platformë të tij dhe shton se beteja e tij është parimore, por a po kërkon ai postin dhe karrigen e Edi Ramës?

Përse Blushi del kundër kryetarit dhe partisë së tij? Çfarë synon lëvizja e tij dhe çfarë do të bëjë ai nëse humbet betejën e tij në kongresin e marsit? Një parti? Apo një libër të ri?

Për t’iu përgjigjur këtyre dhe të tjera çështje të aktualitetit politik, këtë të enjte në Top Story ishte i ftuar vetë Ben Blushi, përballë një paneli me analistë.

Ai e nisi fjalën e tij duke deklaruar se kërkon mbajtjen e zgjedhjeve brenda PS-së për të risjellë demokracinë dhe kolegjialitetin dhe shprehu bindjen se nëse do të ishte në krye të partisë, do ta drejtonte atë më mirë sesa Edi Rama.

“Partitë politike janë fuqitë e pushtetit, nëse ato nuk janë demokratike nuk mund të ketë demokraci. Merkeli në maj kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme, apo fill mbajti zgjedhjet brenda partisë. Thatcherin e hoqi partia e vet, jo zgjedhësit, Toni Blair e hoqi partia e vet. Partia të heq kur sheh që nuk jep më garanci që zgjedhjet fitohen. Nuk them që jemi në këtë pikë, por, partitë janë fuqia e shtetit. Jemi partia e parë në Europë që perëndimi na ka thënë dekriminalizoheni, sepse ligji kaloi për ne. Por si hynë banditët në Partinë Socialiste? Si hynë këta? Asnjëri nuk hyri vetë, i futi mungesa e demokracisë brenda partisë”, deklaroi Blushi.

“Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun. Unë konkurroj se mendoj që e drejtoj PS më mirë se Edi Rama, E bëj më kolegjiale, më të hapur, një parti që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh. Shumë njerëz më thonë për ca e bën ti këtë? Unë e bëj këtë për njerëzit, e bëj këtë për të gjithë, e bëj se besoj që mund ta drejtoj PS më mirë se Edi Rama, ta bëj një parti demokratike, të hapur, kolegjiale dhe një parti të majtë sepse nuk është ashtu sot”, shtoi ai.

Blushi u shpreh se Partia Socialiste ka humbur identitetin e saj dhe nuk po qeveris si e majtë.

“Të gjithë vendimet që janë marrë kohët e fundit në Parlament dhe ato që jjanë tërësisht personale. Të gjitha koncesionet. Sot PS nuk është as e majtë dhe as e djathtë, është konfuze. Në 3 vjet varfëria është shtuar dhe ne nuk bëjmë aq sa duhet për të varfërit. Po si mund të bëjmë për të varfërit kur partia ka ose banditë ose të pasur. Si ka mundësi që në grupin tonë parlamentar janë 10 njeërzit më të pasur në shqipëri? Pse vijnë ata në një parti të majtë?”, u shpreh ai.

Blushi tha se Edi Rama ka ndryshuar dhe nuk është më ai që ka mbështetur në vitet 2003-2005, kur edhe mori kreun e partisë.

“Unë kam mbështetur idetë dhe jo njerëzit. Kam mbështetur një parti të hapur”, deklaroi Blushi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama