Letrat e shkruara me dore nje art ende i gjalle

Letrat e shkruara me dore, nje art ende i gjalle

Nostalgji – Moda e vjetër është rikthyer sërish. Një grup të pasionuarish pas letrave të shkruara me dorë dhe të pajisura me pulla të vjetra, shkëmbejnë eksperiencat e tyre duke ia postuar njëri-tjetrit


Moda e vjetër është rikthyer sërish këto kohë. Njerëzit po zgjedhin të bëjnë gjëra që gjyshërit e tyre bënin dikur, megjithëse ndoshta në një mënyrë më të studiuar.

Disa i rrisin vetë perimet në kopsht dhe disa të tjerë qepin rroba me grep. Disa madje, shkruajnë letra. Nga ato që duan zarfe dhe pulla poste.

Jo në zarfe të thjeshta, të bardha. Dhe jo pulla çfarëdo. Këta korrespondentë modernë shkojnë akoma më larg.

Ata kërkojnë dhe gjejnë pulla të vjetra. Praktikojnë kaligrafinë dhe mësojnë të bëjnë harkime të bukura. Ata kërkojnë pajisje të vogla që shtypin shkrimin mbi zarfe. Letrat e tyre të krijuara plot art, ngjajnë si të ardhura nga një botë tjetër.

Një mbrëmje në muaj, Klubi i Miqve Letrarë të Los Anxhelosit, takohet në katin e tetë të një ndërtese të lartë, në një dyqan kancelarie zbukuruar me zemra letre të kuqe, të bardha, rozë dhe vjollcë.

“Paper Pastries Atelier” është studio dhe dyqani i Margaret Haas, 30-vjeçares që startoi klubin në vitin 2010. Dashuria e saj për letrat, thotë ajo, filloi kur ishte 5 vjeçe, kohë kur shkruante kartolina ditëlindjeje, të cilat e ëma i shiste te kolegët e fabrikës ku punonte.

Tani ajo bën kaligrafi dhe dizajn të posaçëm shkrimi. Ajo përdor një lazer gdhendës për të krijuar pulla gome. Margaret Haas shet lapsa e stilolapsa, si dhe kartolina elegante që i ka bërë vetë ose i kanë bërë të tjerë.

Gjithë këtë gjë e sheh më tepër si pushim sesa si punë. Haas ka shtatë shokë e shoqe, me të cilët shkëmben vazhdimisht letra brenda dhe jashtë vendit. Ajo ka takuar vetëm dy prej tyre. Një nga themeluesit e Aleancës së Shkruesve të Letrave, me seli në Çikago, i dedikuar për të mbajtur gjallë artin, ka kontribuuar në bashkimin e njerëzve online.

Grupi, që ka më shumë se 7000 anëtarë, inkurajon mbledhje të tilla shoqërore për të shkruar letra dhe për të bërë zarfe.

Haas thotë se ajo ishte nervoze së fundmi, kur iu desh të drejtonte një diskutim rreth “Ella Minnow Pea: A Novel in Letters”.

“Për një anëtarësim të përhershëm 5 dollarë, mund të lidhesh me sa miq letrash që të duash”, tha ajo për aleancën.

Bashkorganizatorja e Grupit të Miqve të Letrave, Victoria Vu, u takua me Haas në seancën e parë të klubit të saj.

Vu thotë se kur ishte fëmijë kërkonte për karta përshëndetjesh gjatë udhëtimeve të familjes. Tani, ajo drejton një kompani dizajni grafik dhe bën libra llogarish që njerëzit të regjistrojnë me anë të shkrimit me bojë, se kur një korrespondencë është dërguar dhe marrë, çfarë është thënë dhe idetë për përgjigjet.

Një natë, ata i lëshuan mbi një tavolinë kartolina urimesh, letra, lapsa, stilolapsa, pulla gome, ngjitëse dekorative dhe tri makina shkrimi. Në korridorin e ndërtesës krijuan një tavolinë për gosti të lehta dhe së shpejti njerëzit u ulën në dy tavolina të gjata, të zënë me punë.

Nariné Riley, 25-vjeçare nga Pasadena e Kalifornisë, e cila e zbuloi klubin në “Instagram”, po shkruan një nga shumë kartolinat që do t’ia dërgojë me postë bashkëshortit të saj që ka ditëlindjen. Në një kuti elegante lapsash, ajo ka mundësi të shumta ngjyrash, si dhe mjete për të korrigjuar gabimet.

Lydia Clarke, 38 vjeçe, ka ardhur po ashtu nga larg. Me vete ka sjellë Erika Mulan, e cila është bariste po në Pasadena të Kalifornisë.

Mulan, 33 vjeçe, ka një shok letrash që dikur punonte me të në dyqanin e kafenesë. Ata filluan të shkëmbenin letra, kur ai u zhvendos në Atlanta dhe shpesh e dashura e tij iu bashkua grupit.

Sot, Mulan zgjedh një ngjyrë blu të lehtë për t’u dërguar atyre një kartolinë dhe e stampon me fjalët “postë kërmilli”. Ajo zgjedh gjithashtu një pullë të vjetër, të cilën mendon se miqtë e saj do ta preferojnë.

“Ata i bëjnë zarfet e tyre nga gazetat, ndonjëherë me njolla kafeje në të”, thotë ajo. Për Mulanin, shkrimi i letrave është si të mbash një ditar. Ajo ndan mendime dhe eksperienca që ndryshe nuk do të thuheshin kurrë. Në këmbim, sipas saj, ajo merr përjetime nga jeta e përditshme e miqve të saj. Madje edhe në çastin kur ndodh një uragan.

“U bë shumë qetësi dhe qielli nisi të bëhej gri. Ishte shumë bukur. Sikur të mund ta shihja. Ky imazh që më përshkroi, qëndroi me mua”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, Clarke ulet përballë Mulan, dhe e armatosur me letra, praktikon një shkrim “Dolli dhe djathë” që lidhet me firmën e saj. Ajo shpreson që t’i bëhet zakon postimi i letrave të shkurtra.

“Kur merr një letër, nuk është diçka që mund ta fshehësh nga pamja apo ta klikosh për ta fshirë”, thotë ajo. “Është si një frymëmarrje e gjatë me të cilën kalon gjithë ditën”, përfundon e pasionuara pas letrave me dorë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama