Çfare kane thene mesuesit per personazhet e medhenj

Çfarë kanë thënë mësuesit për personazhet e mëdhenj

Për të festuar këtë formë arti në zhdukje, e përditshmja “Daily Mail” boton një përzgjedhje të raporteve të shkollave për personazhet e mëdhenj dhe pozitivë të historisë. Po çfarë kanë thënë mësuesit për kryeministrin britanik Churchill? Me pak fjalë, një ngatërrestar. Person që nuk ka asnjë ambicie. E pabesueshme kur mendon se Churchill ishte ai që ishte vetëm falë ambicies. Por as John Lennon nuk është lavdëruar shumë nga ata që kanë ndjekur formimin e tij që në vogëli. Lennon ishte pa vlerë për mësuesin e tij.

Nga vitet e fundit të shkollës megjithatë vihet re një ndryshim opinioni tek mësuesit, pasi njëri prej tyre thotë se Lennon në të ardhmen mund të bëhet një person përgjegjës. Për aktorin komik Norman Wisdom një prej mësuesve të tij ka thënë se është një torollak kokë e këmbë. Po për fatin e tij nuk është shumë i gjatë. Drejtori i shkollës ku ka studiuar aktori Richard Briers ka menduar se shkolla ishte e vogël për të dy. Nëse Briers nuk do ta kishte përfunduar arsimin e mesëm, me siguri drejtori do të ishte larguar nga ajo shkollë. Të bën përshtypje fakti se asnjë prej aktorëve dhe skenaristëve nuk është lavdëruar nga intelekti. E vetmja që është vlerësuar ka qenë një tjetër kryeministre, Margaret Thatcher.

Winston Churchill, kryeministri i Britanisë (1940-45, 1951-55)
Shkolla “St George”, Ascot: Nuk ka asnjë ambicie. Sikur ta sforconte veten do të ishte i pari që do ta kishte përfunduar shkollën. Shumë besnik, por “një bela” në shumë mënyra. Është shqetësim i vazhdueshëm për këdo dhe gjithmonë përfshihet në një telash apo në një tjetër. Nuk mund t’i besohet të sillet mirë ndonjëherë.
Shkolla “Harrow”: Është kaq i rregullt në parregullsinë e tij sa nuk di çfarë të bëj. Kishte aftësi kaq të mira, por këto janë bërë të pavlefshme nga neglizhenca e bërë zakon. Vazhdimisht vonë për shkollë, humbet librat, fletoret dhe të tjerat.

Jilly Cooper, noveliste
Shkolla “Godolphin”, Salisbury: Jilly i ka vendosur vetes një standard jashtëzakonisht të lartë, të cilin nuk ka mundur ta ruajë.

Richard Briers, aktor
Shkolla “Rokeby”, Winbledon. Raporti i drejtorit: Duket sikur Briers mendon se është ai që e drejton shkollën, dhe jo unë. Nëse qëndrimi i tij vazhdon, njëri prej nesh do të duhet të largohet.

Norman Wisdom, aktor komik
Raporti i kursit të Njohurisë Ushtarake: Ky djalë është në çdo centimetër një torollak, por për fatin e tij të mirë nuk është shumë i gjatë.

Jeremy Paxman, gazetar dhe folës lajmesh
“Malvern”, raporti i kujdestarit: Kokëfortësia është në natyrën e tij dhe mund të jetë një mjet që do t’i shërbejë për mirë. Por largimi në befasi do të gjymtojë përpjekjet e tij. Duhet të mësojë taktin pa humbur sinqeritetin.

Joan Collins, aktore
“Rada”: Me kaq shumë gjëra që e favorizojnë, nxënësja pengohet nga dobësia e zërit. Me sa duket i mungon besimi për të projektuar dhe për të nxjerrë zërin që posedon.

Stephen Fry, komik, skenarist dhe novelist
Shkolla “Uppingham”. Raporti i drejtorit: Ka defekte verbuese dhe që kanë shndritur për ne gjatë këtij simetri. Anglishtja, i fundit. Mendoj se s’është tip i lumtur. (Fry është përjashtuar nga “Uppingham” në vitin 1972).

Robert Graves, poet dhe novelist
“Charterhouse”, raporti i drejtorit kur u largua në vitin 1914: E po, lamtumirë Graves dhe mos harro se miku yt më i ngushtë është koshi i letrave.

John Lennon, anëtar i “Beatles”
“Quarry Bank School”, Liverpool: Patjetër që është në rrugën e dështimit. I pashpresë ... një kloun në klasë që humbet kohën e nxënësve të tjerë.
Kur u largua: Unë besoj se ka ende shpresa dhe mund të bëhet një i rritur përgjegjës që mund të shkojë larg.

Diana, princesha e Ueilsit
“West Heath School”, Kent: Duhet të përpiqet të jetë më pak emotive në marrëdhëniet me të tjerët.

Dame Judi Dench, aktore
“The Mount School”, York: Judi do të ishte një nxënëse shumë e mirë nëse do të jetonte në këtë botë.

Michael Winner, regjisor filmash
“St Christopher”, Letchworth, 6 vjeç: Michael papritur është bërë një person i zhurmshëm dhe i duket vetja si humorist. Aseti i tij më popullor është dashuria për të treguar histori. Këtë e bën gjatë kohës së darkës dhe ka shumë kërkesa për t’u ulur në tavolinën e tij.

Eric Morecambe, komedian
Shkolla “Lancaster Road Junior”, drejtori: E urrej ta them këtë, por Eric nuk do të bëhet askush në jetë.

Beryl Bainbridge, novelist
“Merchant Taylors”, Crosby, lënda e anglishtes: Edhe pse punët e saj me shkrim janë prodhimi i një imagjinate të gjallë, është fatkeqësi që shqiptimi i saj vjen nga i njëjti burim. Lënga e gjeografisë: Njohuria e saj për lëndën është kaq e varfër sa i bën të gjithë të pyesin nëse është naive.

Ian Fleming, novelist dhe krijuesi i “James Bond”
“Sandhurst”: Do të ishte një ushtar i shkëlqyer, gjithmonë nëse femrat nuk do ta shkatërronin (Fleming duhet të largohej nga “Sandhurst” kur u prek nga gonorreja).

Margaret Thatcher, kryeministre e Britanisë (1979-90)
Shkolla “Kesteven and Grantham Girl’s”: Gjallëria e saj e bën një anëtare të pëlqyeshme të klasës. Margaret është ambicioze dhe meriton të ketë sukses. 

Aurora Foto : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama