Shtëpia botuese “Bota shqiptare” kohët e fundit ka nxjerrë në qarkullimin romanin e shkrimtarit të njohur bashkëkohor spanjoll, Arturo Pérez-Reverte, të titulluar “Mbretëresha e Jugut”. Ky roman, një nga më të suksesshmit e autorit, është pritur mjaft pozitivisht nga lexuesi në mbarë botën. Romani është përkthyer në 40 gjuhë dhe numri i kopjeve të shitura në gjithë globin tashmë i ka kapërcyer të 20 milionët. I renditur shpejt në majat e librave më të shitur, “Mbretëresha e Jugut” u kthye në një fenomen editorial. Duket se nuk ka dilema në reagimet ndaj këtij libri: Njerëzit e adhurojnë. Faqet e librit kalohen pa u ndjerë dhe historia është shumë e bukur. Libri lexohet me endje dhe pa dyshim me të do të bëhet një film i madh në Hollivud me regji të Jonathan Jakubowicz. Një motiv më i thellë në suksesin e librit është se Reverte ka prekur së gjalli shumë prej lexuesve të vet, sidomos femrat. Brumin për këtë libër autori e ka marrë nga historia gati e pabesueshme, por e vërtetë e një femre, portretin e së cilës ai e skalit me një mjeshtëri të jashtëzakonshme.
Një histori emocionuese, e ndërtuar mbi përjetimet magjepsëse të baladave të trafikantëve të drogës, ajo të ngërthen në sensualitetin dhe mizorinë, dashurinë dhe tradhtinë ashtu sikurse është vetë historia e pluhurit të bardhë. Në këtë roman Reverte, me një narracion të shkëlqyer ka ndërthururur misterin me të vërtetën. Tereza Mendoza, një vajzë e thjeshtë meksikane, që punonte si bariste, arrin të vihet në krye të trafikut të lëndëve narkotike në një rajon të gjerë, duke mposhtur barrierat e maskilitetit dhe kurthet e fatit. Për të mbijetuar ajo do të braktisë Terezën e dikurshme, vajzën e pafajshme, e cila i besoi jetën e saj një kontrabandisti. Do t’i duhet të kërkojë brenda vetes gruan, e cila është aq e fortë sa për të zbuluar një botë të shëmtuar dhe të rrezikshme si ajo e narkotrafikantëve, një grua të cilën nuk e dinte se ekzistonte. Duke shkelur mbi trupat e të dashurve të saj dhe me nuhatjen e hollë të një profesionisteje, Tereza arriti të sundojë botën e paligjshme të narkotrafikantëve dhe të arrijë majat e pushtetit.
Ajo u bë “Mbretëresha e Jugut” dhe për të u krijuan balada, të cilat edhe sot janë të ndaluara në disa vende të botës. Ndoshta mes të tjerash, është ndikimi i kësaj vepre që ka bërë Arturo Pérez-Reverten të jetë sot një nga autorët më të lexuar dhe më të dashur në rang botëror.
Marre nga : Gazeta Albania











