Sipas profesorëve dhe specialistëve të kësaj qendre, të cilët kanë kryer matjet e nevojshme në 149 vende të botës, vendi ynë renditet i 27-i. Ky nuk është vendi më i mirë i mundshëm, por mes aq shumë shteteve është një pozicion i mirë. Duhet të theksojmë se klasifikimi është bërë në bazë shteti e sipërfaqeje duke përshirë emetimin e karbonit dhe sulfurit si dhe pastërtinë e ujit dhe praktikat e ruajtjes së mjedisit.
Kështu, Qendra e Jeilit për Ligjet dhe Politikat Mjedisore ka llogaritur listën me pikët për çdo vend, ku pikët më të larta i ka Zvicra, e cila renditet dhe në vendin e parë. Raporti i vendeve më të gjelbra është botuar nga revista amerikane “Newsweek”.
Vendet më të gjelbra
Daniel C. Esty, kreu i Qendrës së Jeilit shprehet se vendet me mirëqenie të lartë skandinave dominojnë në krye të listës, ndërsa vendet e varfra afrikane gjenden më së shumti në fund të listës, por ka dhe surpriza në listë. Kolumbia, për shembull, gjendet në vendin e nëntë, përpara Francës, Kanada dhe Gjermanisë. Sipas Daniel C. Etsy, vendet me mirëqenie të lartë kanë më shumë burime për të investuar në pajisjet mjedisore, siç është siguria e ujit të pijshëm, kontrolli i ndotjes apo cilësia e lartë e ajrit. Por ajo çka është për të bërë përshtypje është niveli i zhvillimit që kanë paraqitur disa vende. Ndërsa të ardhurat janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e ambienti gjithashtu rezulton se qeverisja e mirë është kritike.
Shqipëria
Ndërsa, jo pak herë kryeqyteti i Shqipërisë është renditur ndër më të ndoturit në Evropë, kësaj radhe vendi ynë ia ka dalë të jetë ndër 30 vendet e para të listës me 149 vende. Dhe jo vetëm Shqipëria, por një pjesë e vendeve të Evropës Lindore, sipas Daniel C. Etsy-t kanë figuruar në 20 vendet e para. Etsy shprehet se këto vende ndajnë së bashku me vendet skandinave një përkushtim real ndaj mbrojtjes së mjedisit.
Progresi mjedisor
Një prej faktorëve që është vënë re në vitet e fundit është fakti se një pikë kritike në sistemimin e progresit mjedisor është biznesi, më shumë se qeveria. Kjo s’do të thotë se qeveria s’ka një rol të rëndësishëm në këtë fushë sepse stimujt e strukturuar që shërbejnë si rregullatorë të sjelljes në sektorin privat janë shumë të rëndësishëm. Por, për të pasur rezultate më të mira, çelësi është në botën e biznesit. Sipas Etsy-t, në të shkuarën ekzistonte mentaliteti se interesat mjedisore dhe ato të biznesit ecnin në drejtime të kundërta. Por vendet skandinave në veçanti, i kanë bërë investimet në biznesin mjedisor, pjesë të rëndësishme të bazës së tyre ekonomike. Për shembull, gjithnjë sipas raportit, Norvegjia e cila ka kompaninë më të madhe të energjisë diellore renditet në vendin e tretë në listë.
Qendra e Jeilit për Ligjet dhe Politikat Mjedisore
E themeluar në vitin 1994, Qendra e Jeilit për Ligjet dhe Politikat Mjedisore ës htë një iniciativë e përbashkët e Shkollës së Jeilit për Studimet Mjedisore dhe Bimësore dhe Universitetit të Drejtësisë së Jeilit. Shkolla e Jeilit për Studimet Mjedisore dhe Bimësosre u themelua në vitin 1990 nga Gifford Pinchot dhe ndihmoi për lançimin e lëvizjes së ruajtjes dhe menaxhimit të burimeve natyrore në fillim të viteve ’90. Ndërsa të diplomuarit në Universitetin e Jeilit kanë qenë forcat e para lëvizëse pas lëvizjes së ligjit për mjedisin në fund të viteve ’60, duke themeluar organizata të tilla si Fondi i Mbrojtjes Mjedisore (Environmental Defense Fund) dhe Këshilli i Mbrojtjes së Burimeve Mjedisore (Natural Resources Defense Council).
Blendina Cara : Tiranaobserver.com.al











