Kriza greke Depozitat ne Shqiperi rane me 112 mln euro

Kriza greke: Depozitat ne Shqiperi rane me 112 mln euro

Sistemi bankar ka humbur në qershor-korrik 2015 sasinë më të lartë të depozitave të individëve, që nga tetor-nëntori 2008, kur paniku i krizës globale u përhap në Shqipëri, për t’u qetësuar më pas në muajt në vijim.

Edhe këtë herë, tërheqja e kishte shkakun e jashtëm, pikërisht nga fqinji grek, bankat e të cilit u mbyllën në 30 qershor dhe qëndruan të mbyllura gjithë korrikun, teksa kriza e Athinës, që rrezikonte daljen nga euro u përshkallëzua.

Sistemi financiar ishte një nga kanalet e transmetimit të krizës greke, me bankat me kapital grek që zotërojnë rreth 15% të aktiveve të bankave në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në periudhën qershor-korrik u larguan nga individët rreth 15.7 miliardë lekë (112 milionë euro), si në lekë, ashtu dhe në valutë.

Kjo është sasia më e madhe e tërhequr për dy muaj, që nga tetor-nëntori 2008, kur individët larguan gati 38 miliardë lekë depozita nga bankat.

Të dhënat e mëparshme të Shoqatës së Bankave, që janë të disponueshme deri në fund të qershorit, tregojnë se janë bankat me kapital grek, ato që kanë vuajtur tërheqjen më të madhe të depozitave.

Në total, depozitat në sistemin bankar arritën në 968 miliardë lekë, duke shënuar rënie për dy muaj radhazi në vleerën e 53 milionë eurove.

Tkurrja e depozitave të individëve, si në lekë ashtu dhe në valutë, është kompensuar disi nga rritja e kursimeve pa afat, në lekë e valutë.

Pasojat e krizës greke në ekonominë shqiptare dalëngadalë po dalin në dritë.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se tregtia me Greqinë shënoi një tronditje të fortë në korrik, si për eksportet ashtu dhe për importet.

Importet nga shteti fqinj ranë me 13.5% në korrik, në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke zbritur në 13.5 miliardë lekë.

Eksportet shënuan një rënie më të lehtë, me gati 6%, duke zbritur në 771 milionë lekë.

Në total, volumi tregtar me Greqinë në korrik ra me 12.2% me bazë vjetore, sipas INSTAT.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama