Gjoka Letersia nuk ka per atdhe hipotekat zyrtare

Gjoka: Letersia nuk ka per atdhe hipotekat zyrtare

Studiuesi i letërsisë shqipe, Behar Gjoka, mendon se letërsia shqipe para viteve ’90 cilësohej si letërsi jashtë kufijve, pas ’90-s konceptohet si letërsi shqipe jashtë shtetit.

 


Sipas tij, për rrethanën e pranisë së mureve apo vonesës, për të hedhur ura komunikimi, ka nevojë jo vetëm për marrëveshje shtetërore, por edhe për përjetim shpirtëror, intelektual dhe ideor, sepse kemi të bëjmë me një njësi të vetme, me letrat shqipe, ku pak rëndësi ka se ku shkruhen dhe se kush i shkruan. “Çlirimi nga ajo, quhet sipërmarrje administrative për të menaxhuar atë që është vetëdije kombëtare, vetëdije letrare dhe gjuhësore, që tashmë duhet të ndodhë jo si kontratë, por si ndërkomunikim shpirtëror dhe ideal”.

Zoti Gjoka, përse letërsi jashtë kufijve dhe letërsi jashtë shtetit?

Në fakt, letrat shqipe bartin tipologjinë e çmimit të dy kohëve, të para ’90-ës dhe të pas ’90-ës. Para vitit 1990 ka pasur një term ndarës dhe përjashtues, letërsia jashtë kufijve quhej letërsia shqipe që zhvillohej në trojet e Kosovës, në trojet shqiptare të Maqedonisë e më gjerë. Tani, bindja ime është se konceptohet si letërsi jashtë shtetit. Madje, nëse vihet re, shumë takime dhe të ministrive, dhe të degëve të fakulteteve bëhen si marrëdhënie dypalëshe, ndërshtetërore, por në fakt jemi në dy shtete. Harrohet ose bëhet sikur harrohet, që jemi në marrëdhënie me gjuhën dhe letërsinë shqipe, që është njësi unike dhe që duhet të çlirohet nga ngarkesat jashtëletrare, jashtëgjuhësore. Letërsia jashtë kufijve na lë në pamundësi komunikimi real në letërsi.

Mendoni se letërsia dhe gjuha duhet 16 3 {Jetë} që të identifikohen nga institucionet shtetërore?

Letërsia jashtë shtetit bart një situatë ku mund të merren vesh institucionet shtetërore, por letërsia nuk lëvrohet vetëm në institucione. Letërsia dhe gjuha nuk janë institucione zyrtare, por institucione shpirtërore dhe identifikuese, që rrezatojnë pakohësi. Prandaj, çdo marrëveshje, që letërsinë shqipe ta trajtojmë si një institucion jashtë kufijve apo jashtë shtetit, në fakt, nuk bën gjë tjetër vetëm se ruan sinoret e sugjeruara dikur ose krijon sinore të reja, të cilat nuk paraqesin materien unike të letërsisë shqipe.

Bindja ime është se letërsia shqipe e zhvilluar në Tiranë, ka qenë e pranishme në Kosovë, por letërsia shqipe e zhvilluar në Kosovë ka qenë e pranishme, por jo në të gjithë përmasën dhe në nivelin më të ngritur të përfaqësimit te ne. Kjo rrethanë e pranisë së mureve, e vonesës për të hedhur ura komunikimi, ka nevojë jo për marrëveshje shtetërore, por për përjetim shpirtëror, intelektual dhe ideor. Kemi të bëjmë me një njësi të vetme, me letrat shqipe, ku pak rëndësi ka se ku shkruhen dhe se kush i shkruan.

Por si mund të realizohet “çlirimi” nga sipërmarrja administrative e letërsisë shqipe?

Çlirimi nga ajo që quhet sipërmarrje administrative për të menaxhuar atë që është vetëdije kombëtare, letrare dhe gjuhësore, tashmë duhet që të ndodhë jo si kontratë, por si ndërkomunikim shpirtëror dhe ideal. Nuk është e vërtetë që vetëm akademitë e dyanshme përfaqësojnë gjithë sinergjitë që ka letërsia dhe gjuha shqipe, nuk është e vërtetë që vetëm institucionet qendrore, bibliotekat kombëtare, paskan të gjitha sinergjitë që janë të vetëmjaftueshme për të na përfaqësuar... Më ka rënë në sy këto kohë se sa herë që ka përvjetorë shkrimtarësh, Biblioteka Kombëtare mbushet me studentë të Filologjikut, saqë të krijohet përshtypja se është aneks i fakultetit, duke harruar se është institucion qendror...

Vazhdon ende të flitet se kemi dy letërsi, një të Shqipërisë dhe një të Kosovës...

Nuk është e vërtetë që vetëm mjediset universitare përfaqësojnë ekskluzivisht mendimin për letërsinë. Mendimi për letërsinë është diçka që nuk duhet që të ketë vetëm hipoteka zyrtare, sepse hipoteka zyrtare para viteve ’90, na çoi te koncepti letërsi jashtë kufijve dhe dalëngadalë po krijohet situata që hipotekat zyrtare të akademizmit të lodhur, kanë krijuar situatën që kemi dy letërsi, një të Shqipërisë dhe një të Kosovës. Kjo gjë lehtëson në fakt trajtimin që të tjerët na bëjnë se ne, herë-herë, nuk paraqitemi të unifikuar, në raport me atë që është unike, gjuhën dhe letërsinë shqipe. Pra, këmbëngul në këtë koncept për një arsye thelbësore, sepse krijohen në mënyrë të shkujdesur kanale institucionale, të cilat komunikojnë me vetveten dhe harrojnë se çfarë ka ndodhur në procesin e letërsisë.

Madje, vijimësia e hipotekave zyrtare, bën që këto institucione të krijojnë një marrëdhënie të tillë, sikur shpesh ne jemi qendra e botës në zhvillimin e letërsisë, gjë që nuk është e vërtetë. Pasi nuk e vërtetojnë këtë, heqin dorë dhe thonë se nuk ka fare letërsi shqipe, që do të thotë që të shkojmë në nihilizmin, në mohimin e gjithçkaje dhe të jemi bishti i botës. Këtë e bëjnë ata që e trajtojnë letërsinë shqipe, dikur si letërsi jashtë kufijve dhe tani si një letërsi jashtë shtetit. Ka një paradoks, po ta vësh re, është ai momenti i doktorimit, komunikimi që bëjnë profesorë-doktorët tanë, kur thuhet se janë jashtë shtetit në Prishtinë, Tetovë etj. Janë jashtë shtetit, por që komunikojnë në shqip, për gjuhën shqipe dhe letrat shqipe.

Akademizmi shqiptar

Unë do të thosha që në fund fare akademizmi shqiptar duhet që të matet jo thjesht me vetveten, por me komunikimet që ndodhin në universitetet dhe në panairet e botës. Komunikimet që ndodhin tashmë në majat e kulturës së përbotshme, janë ato që na nxjerrin të metat që ne i kemi me shumicë, po që nuk na mohojnë as ato pak vlera që kemi. Në këtë kuptim unë do të thosha se ka një përpjekje serioze, që t’i qasemi letërsisë pak më ndryshe dhe të mos mendojmë se hipotekat individuale të shkrimtarëve të mëdhenj, të akademikëve (sa herë bie fjala për ta, më vjen në mend qesëndisja që u bën Harlod Bloom), të cilët shpeshherë nuk dinë se çfarë ndodh me letërsinë. Të mos mendojmë se nëpërmjet atij pozicioni kontrollues, institucional ne jemi në marrëdhënie reale me letërsinë.

“Letërsia dhe gjuha janë identiteti ynë”

Sipas logjikës suaj, si do ta përkufizonit letërsinë shqipe?

Në logjikën time, letërsia shqipe është dëshmi e asaj çka ne jemi, është ajo që neve na mungon dhe që e kemi. Është e vështirë që të gjykosh shpirtëroren. Shpirtërorja, nëse njihet, hipoketohet dhe konsiderohet si e tillë, atëherë ka gjasa që ne të jemi më të kthjellët. Unë do të thosha se institucionet, tashmë, me sa duket, të lidhura ngushtë në atë situatën që shpeshherë akademikët bëjnë rojën (me shaka kjo), shefat apo drejtorët bëjnë policin, që të mos u dalë mendimi nga kontrolli, unë do të thosha se letërsia nuk ka atdhe. Ka një paradoks, nuk gjej akademikë të Shqipërisë apo të Kosovës, që të mos thotë lehtësisht se letërsia shqipe fillon me Naimin dhe me De Radën. Kjo është absurde.

Pse është absurde?

Nëse ne themi që letërsia shqipe nis me Buzukun, si i hedhim pavëmendshëm këta shekuj, si është e mundur që ky akademizëm që i di të gjitha, që kontrollon dhe mizat në raport me letërsinë, nuk vë re dhe bën një ndarje të diskutueshme në letërsi e mirëfilltë dhe në letërsi të pamirëfilltë, pra ka vetëm letërsi, pavarësisht tematikës dhe problematikës. Nuk ka as të mirëfilltë dhe as të pamirëfilltë, sepse këtu duket se, meqenëse letërsia është fetare, atëherë nuk qenka letërsi, ndërsa bota biblën e mban për kryelibër.

Me sa duket, jemi në një koncept monobotëkuptimor, në një botë që është plurale, por nuk mund të më interesojnë ato, më intereson që kudo që ka vlerë, një libër që sjell një grimcë rëre në ngrehinën e asaj që quhet letërsi shqipe, pavarësisht se ku shkruhet, madje dhe në diasporë, në diasporën e vjetër apo të re, madje dhe në fund të botës, është pjesë e letrave shqipe, që duhet verifikuar.

Tre autorë që keni sjellë për promovimin e librave të tyre në Tiranë, janë nga Kosova..., kjo të bën të mendosh se keni marrë përsipër, që të ndihmoni në njohjen e letërsisë përtej kufijve?

Rastësia ka bërë që në këtë periudhë kanë rastisur autorë të Prishtinës, me të cilët unë jam marrë më nga afër. Është fjala për veprën letrare dhe studimore të Sali Bashotës. Para pak kohësh u promovua poetja Alketa Gashi dhe këto ditë u ndalëm me shumë përgjegjësi në veprën letrare të Zejnullah Rrahmanit. Vështirësitë që lindën në këtë moment është se nuk gjenden veprat e tij, nuk ka hapësira komunikimi me këtë autor. Ka një koncept që është pothuajse në të dyja anët, matanë kufirit dhe matanë shtetit. Quhet autor i ri deri në 50 vjeç, kjo është absurde. Autor i ri, sepse është projektuar harta e atyre që janë të pandryshueshëm, qoftë autorë, akademikë, kritikë etj. Koha lëviz dhe mendimi lëviz, por letërsia në këtë moment është e vështirë që ta dimë se ku është.

Unë e di këtë nga librat që kam lexuar, po të tjerët që nuk kanë mundësi, si t’ia bëjnë. Gjatë kësaj periudhe kam qenë pjesë e promovimeve të librave të Petrit Nikës, Viktor Caniosinajt, në Fier, të librit “Hamitologjia” të Sali Bytyçit në Tiranë, të romaneve të Zija Çelës në Berat etj. Sistemi i verifikimit me përmbajtje, me brendi, ka rënë. Jemi në sistemin e verifikimit të teksteve dhe teksti nuk ka kohë. Për shembull, Kujtim Shala është autor, por është dhe Ministër Kulture (40 vjeç). Ai ka shkruar me dhjetëra libra, studimorë dhe letrarë, por në Shqipëri, dhe pse ka pasur një promovim, ne vazhdojmë ta njohim thjesht si ministër.

Ju po thoni se është më e thjeshtë që njerëzit të njohin një politikan sesa një shkrimtar?

Nëse merresh me politikë bëhesh i madh, por letërsia dhe politika janë ekskluzivisht dy atdhe që nuk përputhen. Unë nuk them se nuk kanë pika kontakti. Për shembull, të gjithë e dinë se më i madhi është Rexhep Qosja, pasi, herëherë, ndërhyn në politikë. Ka dhe një botë tjetër se e dinë se kush është Sabri Hamiti apo Rugova, e dinë sepse janë të politikës. Zejnullah Rrahmani nuk ka lidhje me politikën, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e saj, për arsye jashtëletrare, dhe është më në hije krahasimisht.

Me ruajtjen e së njëjtës mendësi, doni të thoni se alternativat ndryshe nuk pranohen në letërsi?

Mentaliteti është mentalitet zyrtari, e kam unë në dorë mendimin për letërsinë dhe vetëm unë do ta bëj siç e mendoj. Në marrëdhënie me letërsinë kjo është absurde, është absurde për një arsye shumë të thjeshtë. Kemi të bëjmë me një gjë, që asnjëherë nuk mund të bihet dakord. Në letërsi çdonjëri që do të provojë që të bjerë dakord, do ta mbytë letërsinë, do ta detyrojë që të shkruajë pallavra në letërsi. Në letërsi asnjëherë një e një nuk bëjnë dy, në letërsi bëjnë pakufi. Duke ruajtur elemente të mentalitetit të strukturës së djeshme, të institucioneve, unë do të thosha se nuk kemi mbërritur ende te mendimi ndryshe, te mendimi që ka të bëjë tek e fundit me situatën që, unë them një gjë tjetër për një tekst dhe ti thua një gjë tjetër.

Nëpërmjet leximit kuptojmë se ku jemi

Çfarë duhet bërë për ndryshimin e kësaj gjendjeje?

Jemi në një realitet nga duhet të dalim. Duhet që të zgjerojmë hapësirën e komunikimit, duhet që të zgjerojmë hapësirën e marrëdhënies me letërsinë shqipe, të marrëdhënies me gjuhën shqipe, nuk ka se si, as të prodhohen dhe as të emërohen gjeni. Duhen lexuar tekstet, sepse vetëm nga leximi do të kuptojmë se ku jemi.

Përse mendoni kështu?

Sepse periudha e parë e letrave shqipe mori përsipër që të na bëjë me gjuhë të shkuar. Periudha e dytë e letrave shqipe mori përsipër që të na rilindë kombin, që na kishte humbur nëpër stepat e Perandorisë Osmane e në periudhën e tretë letërsia që shpërfaqi modernitetin u ndër

Çfarë duhet bërë për ndryshimin e kësaj gjendjeje?

Jemi në një realitet nga duhet të dalim. Duhet që të zgjerojmë hapësirën e komunikimit, duhet që të zgjerojmë hapësirën e marrëdhënies me letërsinë shqipe, të marrëdhënies me gjuhën shqipe, nuk ka se si, as të prodhohen dhe as të emërohen gjeni. Duhen lexuar tekstet, sepse vetëm nga leximi do të kuptojmë se ku jemi.

Përse mendoni kështu?

Sepse periudha e parë e letrave shqipe mori përsipër që të na bëjë me gjuhë të shkuar. Periudha e dytë e letrave shqipe mori përsipër që të na rilindë kombin, që na kishte humbur nëpër stepat e Perandorisë Osmane e në periudhën e tretë letërsia që shpërfaqi modernitetin u ndërpre në mënyrë të dhunshme nga një detyrë tjetër, që iu dha letërsisë për të bërë njeriun e ri të realizmit socialist. Pati një detyrë që për pak e morën si rrezik, e mori përsipër sistemi demokratik, që të bëjë njeriun e ri, por nuk kishte kohë. Pra, nuk kemi marrëdhënie me letërsinë unike, letrat shqipe të shkruara shqip... Ka ndryshuar sistemi, por nuk kemi ndryshuar mentalitetin. Në përjashtim të një gjëje që është bërë mjaft e qartë, prishja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, marrja e ndërtesës, të gjitha strukturat e tjera ruhen ende, si hije që na zënë udhën.

Në ç’kuptim ruhen?

Ruhet akademia dhe vazhdon të ketë po atë mentalitet, ruhen institucionet e mësimdhënies dhe kanë po atë mentalitet. Vlen për të përmendur thënia e Volterit: “Unë nuk pajtohem me ato që keni për të thënë, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tuaj për ta thënë atë"...

Dhe së fundmi, çfarë projekti letrar keni në duar?

Pritet të dalë numri i parë i revistës “Pasqyra e t’rrëfymit” dhe po përgatitet tryeza: Romani bashkëkohor në gjuhën shqipe, pas viteve ’90, me pjesëmarrjen e të gjitha hapësirave ku shkruhet letërsi shqipe. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama