Prec Zogaj Nga te lexuarit mesova te shkruaj

Preç Zogaj: Nga të lexuarit mësova të shkruaj

Me siguri janë pjesë dhe copëza mendimesh nga jeta e shkrimtarit.
Zogaj na rrëfen se është libri ai që e ka rrëmbyer atë me magjinë e tij dhe nuk e ka lëshuar deri sot. Por ka qenë vetë politikani që e ka pranuar me dashamirësi këtë rrëmbim dhe është bërë pjesë e tij. Ka botuar romane, ese dhe së fundi, ka dalë në treg një libër me poezi. Le të lexojmë për më tepër copëza historie nga kjo intervistë.

Cilat janë kontaktet tuaja të para me leximin e mirëfilltë?
Libra artistikë unë kam filluar të lexoj që në klasë të tretë apo të katërt fillore. Shkolla kishte një bibliotekë në Lezhë nga qyteti im i lindjes, por realizoheshin herë pas here edhe ekspozimesh librash për fëmijë. Libri i parë artistik ka qenë një novelë, të cilën ma kishte dhënë motra për të lexuar dhe ky ishte libri i parë që kam lexuar nga fillimi deri në fund. Unë kisha motrën e madhe e cila lexonte shumë dhe librat që lexonte ajo lexoja dhe unë. Dhe më pas kam vazhduar në shkollë të mesme, ku kishim veprat që duhet t'i lexonim me patjetër për shkak të literaturës që na jepej.
Leximin e keni pasur pasion apo ua ka nxitur dikush?
Më shumë motra. Ajo ishte më e madhe se unë dhe ishte e dashuruar me librin deri në një farë kohe, dhe këtë dashuri ma injektoi edhe mua. Por pastaj ka qenë libri që më ka pushtuar. Mund të ndikojë dikush në raportin tënd me librin, por vjen një moment që ti ndahesh prej tij dhe ndodh ndarja, pra, në qoftë se ai nuk bëhet pjesë e jotja. Me mua ka ndodhur kjo e fundit, ai është bërë pjesë e imja dhe unë sot e kësaj dite jam me të. Libri për mua është një ushqim i pazëvendësueshëm dhe një mundësi e shkëlqyer për të kaluar kohën e lirë dhe jo vetëm. Marrëdhënia me të lexuarit është një marrëdhënie që pasqyron revolucionin e shijeve. Por këtu hyn edhe koha që ka në dispozicion personi, sa më e vogël është koha aq më selektive bëhen veprat që ti lexon. Tani unë lexoj më pak në volum se sa dikur, por përpiqem të jem më përzgjedhës. Letërsia artistike është e tillë si klasikja si modernia, këto janë përcaktime apo ndarje që shpeshherë bëhen edhe për efekte studimore. Për të treguar identitetin e një brezi apo një epoke letrare, por letërsia mbetet letërsi gjithmonë. Klasikja është edhe revolucionare njëkohësisht. Kështu që unë jam një lexues i letërsisë artistike, pavarësisht autorëve të ndryshëm, por më pëlqejnë mjaft dhe autorët modernë.
Aktualisht sa shpesh lexoni?
Unë lexoj çdo ditë, madje edhe kur kam ndonjë udhëtim të gjatë me avion, lexoj. Isha këtë herë në SHBA dhe pata kohën të lexoj dy libra, një në vajtje dhe një në kthim.
Tani çfarë libri keni në dorë për të lexuar?
Po jam duke lexuar librin "Kryeveprat e mendimit politik", që nuk e di në ka dalë në qarkullim, por besoj do të dalë këto ditë, e mora nga botuesi dhe jam duke e përfunduar. Para tri ditësh kam përfunduar "Fëmija i pestë", vepër e cila mori çmimin "Nobel" vitin e kaluar.
Cilat janë librat më të shtrenjtë në etazherët tuaj?
Librat që kam në gjuhë të huaj janë ata që kanë kushtuar më shtrenjtë, nuk mund të përcaktoj një shifër rreth atyre. Por mund të them në kategorinë e librave më të shtrenjtë hyjnë fjalorët, të cilët mund të shkojnë aty te 100 mijë lekë të vjetra.
Po libra të vjetër keni në bibliotekën tuaj?
Jo, aspak, nuk kam pasi nuk është se unë e kam trashëguar bibliotekën, vetëm një pjesë të saj e kam nga motra ime, ndërsa pjesën tjetër vetë. Që do të thotë ajo që kam aktualisht në shtëpi është e gjitha e ndërtuar nga unë dhe nuk kam fare libra të vjetër. Janë libra që i kam blerë gjatë gjithë kohës sime.
Sa libra numëroni në etazherët e bibliotekës suaj?
Por nuk mund të them një shifër të saktë, pasi nuk më ka shkuar ndonjëherë në mend që t'i numëroj ata. Por kjo është një pyetje shumë interesante se do më shtyjë që ta bëj një gjë të tillë. Por me sy të lirë, aty te 2000 libra. Të them të drejtën nuk është se kam një bibliotekë shumë të madhe, pasi nuk i mbaj të gjithë librat. Kam libra të dashur kryesisht, sepse tani ka biblioteka publike, ka biblioteka on-line, ka mënyra pa fund për të lexuar.
Sepse unë lexoj ndonjëherë në internet poezi që nuk i kam lexuar kurrë dhe nga autorë të njohur për mua dhe të lexuar njëkohësisht.
Ka ndikuar të lexuarit në veprimtarinë tuaj letrare si shkrimtar?
Po, padiskutim, për mua është përcaktues, si poet dhe si shkrimtar më ka krijuar pikë së pari leximi. Nuk gjej arsye të tjera në dhuntinë time të të shkruarit, shkruaj sepse kam lexuar, kjo është diçitura ime si shkrimtar.
Besoj se në bibliotekën tuaj gjenden libra me autografe, cili është libri me autografin më të veçantë në etazherët tuaj?
Po kam shumë libra me autografe, që unë i konsideroj të çmuar, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, të cilët më janë dhuruar në takime të ndryshme qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë. Por si një autograf mjaft të përzemërt për mua, ruaj atë të At Zef Pëllumbit, në librin e tij "Rrno për me tregue". At Zefi më ka dhënë një autograf shumë të bukur të cilin e ruaj me fanatizëm dhe si një gjë të shtrenjtë. Është një autograf i shenjtë sepse është shkruar nga dora e tij e shenjtë.
Jashtë, një person ka një bibliotekë dhe më pas bëhet ministër, ndërsa këtu te ne ndodh që bëhet ministër dhe më pas i bie në mendje të ndërtojë një bibliotekë, çfarë mendimi keni për këtë?
Nuk mund ta trajtojmë si fenomen, por ka raste. Ka njerëz që hyjnë në politikë pa formimin e duhur kulturor dhe përpiqen të bëhen pastaj të bëhen të tillë duke hyrë në politikë. Kthehen nga libri sepse e kuptojnë që nuk mund të ecin pa ndihmën e tij, pa qenë lexues të mirë, asimilues të mirë. Por këta për mua janë njerëz pozitivë, sepse gjithmonë janë të mirëpritur ata që kthehen te libri. Edhe sikur të kthehesh në perëndim të jetës te libri, i duhet thënë atij tjetrit mirë se erdhe. Komuniteti i lexuesve është gjithmonë i hapur për njerëz të rinj. Por këtu ka dhe politikanë se bëjnë sikur duhet të duken si lexues, sepse kanë libra që nuk i lexojnë kurrë. Njihet në politikë dhe raporti fasadë-librit. Dhe këtë e ka dhënë shumë bukur Çarli Çaplini në filmin e tij "Diktatori", ku në fokus të satirës së Hitlerit ka një episod ku pastruesja pastron bibliotekën madhështore të Hitlerit dhe papritur konstatonte se ata janë të gjithë kopertona. Këtu diktatori e ka trajtuar librin si një fasadë për t'u dukur si lexues apo si njeri i ditur.
Ka libra që i rilexoni, pavarësisht se kanë kaluar vite?
Ka disa libra që i rilexoj, unë kam në shtëpi dy-tre libra me poezi të një poeti argjentinas. Zakonisht librat me poezi i rilexoj shpesh. Lexuesit i kalojnë nëpër mend disa tituj, disa subjekte që zgjojnë te ai lidhje të çuditshme. E kthejnë mbrapa në një kohë që vjen si të ishte e tanishme. Një nga librat që kam rilexuar kur kam shkuar në SHBA është "Figura e Shargeit". Këtë libër e kam lexuar në vitet '80-'81, është libri i dytë ose e tretë që kam lexuar në gjuhen frënge, pasi e kisha mësuar si autodidakt dhe pak ditë më parë e rilexova shqip, dhe mu kthyen të gjitha ato momentet kur e kisha lexuar për herë të parë. Libri e ka këtë lloj magjie, të kthen atje ku e ke takuar për herë të parë.
Kujt do t'ia lini trashëgim bibliotekën tuaj?
Biblioteka është një gjë e çmuar, nuk është një magazinë pa inventar, ku njeriu hedh çdo gjë që ka. Unë do t'ia lë trashëgim vajzës, ajo është 10 vjeç dhe është një lexuese shumë e mirë. Alesja-n momentalisht jam unë ai që i them dhe e shtyj për të lexuar, sepse është ende e vogël, më vonë do jetë vetë ajo që do të vendosë nëse do të vazhdojë këtë pasion apo jo.

Librat
Të lexuarit është një nga pasionet e tij, që tashmë është bërë pjesë e pandarë e jetës për të. Preç Zogaj lexon çdo ditë dhe këtë e ka bërë që në fëmijëri. Si fillim ka qenë motra e tij e madhe që i ka falur dashurinë për librin dhe më pas ai e ka bërë për vete, duke bërë që dhe sot e kësaj dite libri të jetë në dorën e tij.

Biblioteka
Me modesti tregon se nuk ka një bibliotekë të madhe dhe shumë të pasur, pavarësisht se vetë është njeri i letrave. Preç Zogaj na rrëfen se një pjesë të mirë të librave të tij i ka dhuruar vazhdimisht. Një libër dhuratë është padyshim një gjë e çmuar për të.

Librat

•Petro Marko
"Është autor shumë i dashur për mua, është nga ata njerëz që unë e kam njohur dhe personalisht, dhe disa pjesë të ditarit të tij që unë i lexoj tani, mi ka treguar vetë Marko".

•"Kryevepra e mendimit politik"
Është libri që aktualisht është duke lexuar Preç Zogaj. Është një libër interesant, nuk është shumë voluminoz, ia vlen ta lexosh. Ky libër akoma nuk ka dalë nga shtëpia botuese.

•Atë Zef Pëllumbi
Autografi më i veçantë për të është nga At Zef Pëllumbi. Për Zogajn ky shënim është i shenjtë, pasi është shkruar nga një dorë e shenjtë.

•Ismail Kadare
Kadare është një nga autorët shqiptarë më të dashur për Preç Zogajn. Jo vetëm në poezi, por edhe në romane. Madje tregon se Kadaresë i rikthehet herë pas here.

Politika

Politika për të nuk ka qenë një rastësi, fillimet e tij të para Preç Zogaj i ka në Lëvizjen e Dhjetorit të vitit 1990. Ashtu si shumica e bashkëmoshatareve të tij, ai është përfshirë në rrymën e studentëve të asaj kohe në kërkim të frymës liberale. Të jep përshtypjen e një demokrati të thekur, që nuk e fsheh asnjëherë, ndërkohë që aktualisht është kryetar i Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë.

Krijimtaria

Nuk janë të paktë librat që ka shkruar Preç Zogaj, duke filluar që nga romanet, esetë edhe poezitë. Ka filluar të shkruajë në fillim të viteve 1990. I shkruari është kthyer në një ushqim të përditshëm, pa të cilin nuk mund të rrijë dot pa hedhur çdo ditë në copa letre ndonjë varg apo mendim ashtu si i vjen. Për Zogajn nuk është e thënë që ato janë vetëm përjetime personale, por ka dhe nga ato që janë dhe përjetime nga libra të ndryshëm.
 
 
Entela Resuli : Gazeta Tiranaobserver
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama