Donald Lambro “Historia e librit tim qe frymezoi presidentin Regan per fushaten elektorale”

Donald Lambro: “Historia e librit tim, që frymëzoi presidentin Regan për fushatën elektorale”

I njohur nga publiku amerikan për komentet e tij të mprehta, Lambro analizon nga afër Uashingtonin dhe renditet në grupin ekskluziv të komentatorëve që ndikojnë në formimin e opinionit politik në Amerikë. Ndonëse i lindur në Shtetet e Bashkuara, ai nuk e harron origjinën shqiptare dhe krenohet me mundësinë që i dha Amerika familjes së tij emigrante për të arritur suksesin. Lambro punon për një gazetë prestigjioze me prirje konservatore. “Washington Times” është gazeta e tretë më e cituar e botës dhe Donald Lambro boton aty dy komente në javë. "Puna si komentator është një cikël rraskapitës që përsëritet pa fund dhe nuk pushon. Më duhet të shkruaj dy komente çdo javë gjatë gjithë vitit, edhe kur jam me pushime. Por është diçka që mua më pëlqen shumë, më pëlqejnë reagimet që marr nga njerëz në të gjithë vendin. Disa nuk i durojnë ato që shkruaj, i quajnë marrëzira. Disa të tjerë më falënderojnë dhe thonë se marrin frymëzim nga komentet e mia.

Dhe natyrisht, tani që është interneti, reagimet e njerëzve janë shumëfishuar". Ai ka disa dekada që mbulon Uashingtonin politik. Sa i qetë kur flet, aq i pamëshirshëm është në hetimin e intrigave politike të kryeqytetit amerikan. Madje, njëri prej pesë librave të shkruar prej tij titullohet: "Uashingtoni – qytet i skandaleve". Dhe Donald Lambro nuk e kishte përfytyruar se pikërisht ky libër do të çonte në njërën prej pikave kulmore të karrierës së tij, në një ngjarje që do ta kishin lakmuar shumë prej yjeve të gazetarisë amerikane.
Përpara se të bëhej president në vitin 1981, tregon zoti Lambro, Ronald Regani vazhdimisht kritikonte fryrjen e qeverisë, shpenzimet e tepruara qeveritare. Libri u botua në vitin 1980 pikërisht në kohën kur Regani bënte fushatë për president. "Në atë kohë, unë mbuloja fushatën e tij si korrespondent i agjencisë “United Press International”. Një ditë, kur isha duke udhëtuar me avionin e fushatës së tij, solla një kopje të librit tim me një dedikim për z. Regan dhe ia dhashë njërit prej ndihmësve të tij. Mendoja se z. Regan do të ishte i interesuar. E dija se sapo ta shihte librin, ai do të thoshte: “Kjo është pikërisht ajo për të cilën flas unë, është një mrekulli". Dhe ashtu ndodhi. Regani e pëlqeu librin”. Në javët dhe muajt pasardhës, kandidati Ronald Regan citonte kudo në fjalimet e tij pjesë nga libri i Donald Lambros. Ajo që do të mbetet e paharruar është diçka që ndodhi në njërën prej mbledhjeve të para të kabinetit “Regan”. "Ata sollën një kuti të madhe dhe Regani i shpërndau secilit anëtar të kabinetit një kopje të librit tim.

Kam edhe fotografi nga ajo mbledhje. Këtu mund të shohësh për shembull sekretarin e Mbrojtjes, Kaspar Uajnberger, duke shfletuar me siguri kapitullin ku flitet për shpenzimet e tepruara në ushtri. Duket se libri qe i dobishëm për administratën ‘Reagan’". Donald Lambro është lindur nga prindër shqiptarë. I ati ishte berber dhe jetonte në shtetin Masachussets.
Në një libër të shkruar rreth 30 vjet më parë, me titull "Vend i Mundësive", Lambro flet për imigrantët në Amerikë.

Frymëzim për të shkruar këtë libër ka qenë pikërisht i ati. "Në atë libër, unë shkruaja mes të tjerash për babain tim, një emigrant nga Shqipëria, i cili kur erdhi në Amerikë nuk kishte absolutisht asgjë. Ai mësoi një zanat, hapi një floktore, mori në punë njerëz të tjerë dhe arriti të ketë sukses". Është e lehtë të kuptosh se përse në komentet e tij Donald Lambro është përkrahës i zellshëm i emigrantëve. "Amerika vazhdon të jetë një vend i mundësive për emigrantët. Ata vazhdojnë të vijnë, të ngrenë biznese dhe të kenë ëndrrën amerikane dhe shumë prej tyre e realizojnë këtë ëndërr. Disa nga industritë e mëdha në Amerikë janë themeluar nga emigrantët, që nga industria e filmit e deri te disa nga korporatat dhe rrjetet gjigante të shitjes me shumicë". Shqipëria, vendi nga emigroi i ati, i ngacmon vazhdimisht mendimet. Ai thotë se e kupton se sa e vështirë duhet të jetë për një vend që thuajse po e nis çdo gjë nga e para. "Shikoni historinë amerikane. Ne e filluam si një vend i ri, si një demokraci e re, ashtu siç është sot Shqipëria.

Në fillim kishim shumë grindje me njëri-tjetrin, luftëra të brendshme dhe thika pas shpine. Kishte periudha kur dukej sikur nuk do të arrinim të kishim shtetin tonë. Por unë jam optimist nga natyra dhe do t'u thosha shqiptarëve të kenë besim dhe të vazhdojnë rrugën e tyre".

(VOA)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama