Ndahet nga jeta fagotisti Fatos Jaho

Ndahet nga jeta fagotisti Fatos Jaho

Është ndarë dje nga jeta instrumentisti Fatos Jaho (1957- 2015). Tërë jetën Jaho ia dedikoi instrumentit të fagotit, jo vetëm në skenë, por edhe si pedagog në Universitetin e Arteve. Kompozitori Alekandër Peçi, i cili ka patur fatin që të punojë nga afër me të shprehet se: Fatos Jaho është fagotisti më i mirë që ka patur Shqipëria. Sipas Peçit, ai nuk ndahet vetëm nga familja, bota muzikore, por edhe nga miqtë, kolegët studentët, publiku, në një kohë kaq të papritur për të gjithë.

“Fatosi ishte simbol i talentit, punës së madhe, pasionit, i profesorit nga duart e të cilit kanë dalë mjaft fagotistë, simbol i energjisë, aftësive organizative për të krijuar formacione dhome me instrumente fryme e kuartete fagotash, i palodhur për të luajtur në të gjitha formacionet muzikore shqiptare në Tiranë e Prishtinë”. Por sipas profesorit, ajo çka e karakterizonte Fatosin veç respektit artistik, që kishin gjithë muzikantët ishte se, qe njeri me cilësi e virtyte të rralla. “Mirësia dhe miqësia e tij ishte e rrallë dhe për t’u admiruar”. Fatos Jaho nuk do t’i mungojë memories se muzikës shqiptare, sepse jeta e tij është fiksuar në DVD, ekran, regjistrime,dhe do të jetë një pike reference për brezat e rinj të muzikantëve.

“Me dashuri nga Stambolli” në GKA

Galeria Kombëtare e Arteve në datë 15 prill do të prezantojë në sallën e ekspozitave të përkohshme, ekspozitën “Me dashuri nga Stambolli”, të një prej artistëve më të njohur turq, Devrim Erbil. Ky është prezantimi i parë i këtij artisti në Shqipëri me një ekspozitë personale dhe kurohet nga Beste Gürsu. Ekspozita tregon një përzgjedhje prej rreth tridhjetë veprash në pikturë, shumica në teknikën akrilik në kanavacë dhe në dimensione të mëdha, të cilat në fokusin e tyre kanë Stambollin. Bukuria legjendare e natyrës së këtij qyteti dhe pamjet panoramike të krijuara nga dora e njeriut kanë frymëzuar artistë të ndryshëm për shekuj me radhë. Ata i kanë dhënë një histori të gjatë artit turk. Devrim Erbil lindi në vitin 1937 dhe studioi pikturë në Akademinë Shtetërore të Arteve të Bukura në Stamboll, në 1955 fillimisht nën Halil Dikmen, dhe më vonë në studion e Bedri Rahmi Eyüboglu.

Nga viti 1965 stili unik i piktorit Devrim Erbil tërhoqi vëmendjen e një audience ndërkombëtare. Atij iu dha një bursë arti nga qeveria spanjolle për të studiuar pikturë në Madrid dhe Barcelonë. Më vonë vazhdoi karrierën e tij akademike në Paris dhe Londër. Më 1968 Erbil u zgjodh "Artisti i ri i vitit" në Turqi dhe në 1991 u nderua me titullin e rëndësishëm “Artist i Shtetit të Turqisë”. Përveç karrierës së tij në pikturë Devrim Erbil ka dhënë kontribut për zhvillimin dhe promovimin e arteve në Turqi. Ka qenë President i Shoqatës Turke të Arteve dhe President i Shoqatës së Arteve Pamore Bashkëkohore. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i Muzeut të Pikturës dhe Skulpturës në Stamboll. Erbil ka një karrierë të pasur dhe të gjatë edhe në qarqet akademike.

Aktualisht është Profesor i Pikturës në Departamentin e Pikturës në Universitetin Mimar Sinan. Ashtu si thotë përshkrimi në Christie’s, shtëpia e famshme e ankandeve, ku veprat e këtij autori kapin shifra të konsiderueshme, me dhjetëra mijë dollarë, puna e hershme e Devrim Erbil të kujton fort veprat dhe ilustrimet e Matrakci Nasuh, një nga figurat më të rëndësishme të Turqisë së shekullit XVI, dhe aktiv gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, të cilat kombinonin një mori ngjyrash natyrore me perspektivën ajrore dhe lartësinë horizontale. Në pikturat e mëvonshme Devrim Erbil trajton perspektivën dhe proporcionet në mënyrë më natyrale, ndërsa ngjyra në punët e tij bëhet monokrome dhe ekspresive. Kuratorja e ekspozitës Beste Gürsu dhe vetë artisti Devrim Erbil do ta prezantojnë ekspozitën më gjerësisht më dt.15 prill.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama