Le te hiqet nese na ben me te mire

Le të hiqet nëse na bën më të mirë

Nuk mund të jetë indiferent asnjë profesionist që punon në fushat e historisë rreth idesë së hedhur sërishmi për të hequr mozaikun "Shqipëria" nga sheshi i Tiranës, që shpesh me ironi është quajtur "sheshi i kuq". Natyrshëm ka qenë një shesh i kuq dhe natyrshëm është një shesh me histori ku vazhdojnë të ndodhin ngjarje.

Çështja tashmë është hedhur në tregun e ideve. Kam mendimin se do të ishte shumë mirë që një profesionist i fushës së historisë siç është z. Beqir Meta, të paraqiste para medias për këtë problem madhor, mbase jo idetë e tij, por përfundimin e ideve të dala nga bashkëbisedimi me specialistë dhe profesionistë për t'i hedhur më pas në mexhelisin e medias, nëse vërtet ekzistojnë ide dhe argumentime të tilla.

Vendosa të përfshihem në këtë atmosferë delikate të bëmave tona. Përse një grup njerëzish duan që moziku të hiqet nga ballina e Muzeut Historik Kombëtar?

Çdokush që i afrohet një vepre arti tenton të zbulojë "rrëfimin" e figurave të saj. Me pak fjalë mund të thuhet se mozaiku është vepër e lindur sipas parimeve të metodës së realizmit socialist dhe ka për subjekt një tematikë historike. Një nga perceptimet e kohës komuniste mbi figurën e mozaikut ka qenë që Shqipëria dhe populli i saj gjatë gjithë shekujve nën simbolet e luftës, të penës dhe të punës komuniste kishin arritur të ndërtonin një vend komunist dhe një fanar ndriçues në mes të Europës. Kjo histori, edhe e vërtetë përsa i përket armëve, penës dhe punës, edhe megallomane dhe e frikshme për sa i përket triumfit, fanarit, grushtit, komunizmit, u kompozua në mozaik në përputhje me historinë e politizuar e të shpallur dhe me politikat kulturore të regjimit. Autorët me devotshmëri ndaj politikave në fjalë dhe impenjim artistik mbi realizmin socialist ndërtuan këtë histori figurative, histori që u mësohej çdo ditë shqiptarëve. Kjo do të thotë se në sipërfaqen e mozaikut janë përjashtuar disa çaste të tjera e të rëndësishme nga historia politike e Shqipërisë, çaste të cilat po marrim frymë dhe njohje në ditët sot. Si rezultat i kësaj historie politike, i skematizmit dhe dogmatizmit rrëfimtar mbi përrallën e parajsës komuniste, dhe në këtë stad zhvillimi që është shoqëria jonë është e vëshirë të themi se kemi arritur të vendosim një harmoni dhe bashkëjetesë idesh. Në këtë pikëpamje z. Meta, si drejtor i një institucioni, mbron një këndvështrim të ndryshëm politik ndaj historisë politike që e ndërtoi mozaikun e vitit 1981 dhe kjo është e drejtë, por nuk është arsye për të hequr mozaikun. Për këtë vepër mendoj që është shprehje është simbol figurativ i asaj diktature të pajetë. Ndërsa demokracisë sonë të re i del si detyrë të evidentojë të keqen e asaj kohe nga njëra anë dhe vlerat e veprave të artit nga ana tjetër.

Vetëm duke qenë një sistem demokratik, politikat kulturore kanë për të pranuar me tolerancë faktet historike dhe artistike dhe kanë për t'i ruajtur ato me fanatizëm për arsye shkencore dhe studimore. Një vepër arti nuk trajtohet si krim. A nuk është ky mozaik një copë e vogël nga banesa e madhe e komunizmit diktatorial shqiptar? A nuk është ky mozaik një copë e vogël e historisë sonë? Sot, ndërsa na duket si një copë e madhe e saj, në motet që do të vijnë, do të ketë atë përmasë sa mund të trajtohet si relike e një arti social. Le të mundohemi ta ruajmë për këto qëllime dhe aspak për qëllime të tjera. Të gjitha qëllimet e tjera e çojnë atë drejt një shkatërrimi gjakftohtë.

Le të kujtojmë disa fakte të hidhura. Hedhja në erë apo grabitja e monumentit "Mirditoret" në Rrëshen, është akt kriminal me ngjyresa politike. Rënia e kësaj vepre tregoi se shoqëria jonë ishte e papërgatitur për të pranuar demokracinë edhe në art. Atëkohë mund të thoshim se ishte fillimi i tranzicionit, i ndryshimit dhe mllefi kundër komunizmit ishte i pranueshëm, i nxehtë dhe hakmarrës.

Edhe pse në një moshë kur nuk isha e ndërgjegjshme që po bëhej një krim, por që ishte një krim, mbaj mend shumë mirë zhurmën e madhe të shkaktuar nga hedhja në erë dhe shkatërrimi i godinës italiane të Bashkisë së Tiranës, në anën perëndimore të sheshit fashisto-tradicional-shqiptar të kryeqytetit. Dhe po kështu një fjalë të nënës se ajo godinë ishte vetë Tirana. Diktatura bëri edhe një krim tjetër në atë kohë: tjetërsoi formën dhe modelimin arkitektonik dhe dekorativ të shatërvanit të qendrës së sheshit. Më pas vazhdoi të bënte ndërtime të shëmtuara dhe megallomane si Pallatin e Kulturës dhe Muzeun Historik, hotelin 15 katësh, duke shkatërruar ndërtesa dykatëshe që rrethonin për mrekulli sheshin e Tiranës, si dhe duke i dhënë këtij sheshi një pamje të metaforave arkitektonike të disa lloj qëndrimeve konglomerate dhe ngatërruese me njëra-tjetrën.

Për një brez të ri, bukuria e këtij sheshi qëndron në faktin se brenda një qarku jo të madh, mund të shohë historinë dhe kapacitetet intelektuale të kohëve dhe të disa kulturave të ndryshme.

Kështu, nëse shkatërrimi i mozaikut kërkohet nga shumë, ashtu siç kërkuan, zvarritën dhe shkatërruan shtatoren e diktatorit Hoxha dhe, nëse shkatërrimi i mozaikut do të sjellë rehatimin e demokracisë ndër ne, le të bëhet! Nëse besojmë se historinë e shkatërrojnë vetëm diktaturat dhe jo demokracitë, le ta lemë atë mozaik të qëndrojë aty ku është!
 
Suzana Varvarica Kuka : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama