Zbulohet koleksioni Shqiptaret e Edith Durham ne 450 foto

Zbulohet koleksioni: Shqiptaret e Edith Durham ne 450 foto

Koleksioni fotografik i Edith Durham, vjen për herë të parë në Tiranë. Sot në mbrëmje, zbulohen për publikun në Muzeun Historik Kombëtar, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Albanologu Robert Elsie, pas lejes nga Instituti Mbretëror Antropologjik, ka arritur t’ju japë shqiptarëve nga tri trojet, jetën në vitet 1903 – 1913

Në pranverën ose verën e vitit 1900, para udhëtimit të saj të parë në Ballkan në gusht të atij viti, Edith Durham bleu një aparat të vogël fotografik të markës Kodak Brownie. Me sa duket, atë aparat e ka marrë me vete në të gjitha udhëtimet e saj në Ballkan.

Ky është rrëfimi që vjen nga albanologu Robert Elsie, kur na njeh me një koleksion të pasur fotografik të saj, të bëra në trojet shqiptare të panjohura më parë, ndonëse deri tani ka një material të pasur të trashëguar nga zonja britanike, edhe në shqip, që lidhen me udhëtimin në veriun e Shqipërisë.

Elsie na bën të njohur se disponon 450 fotografi të Edith Durham nga Ballkani, që ruhen në Institutin Mbretëror Antropologjik në Londër, në Muzeun Britanik në Londër, dhe në Muzeun Pitt Rivers në Oksford. Këto foto prezantohen për herë të parë sonte në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Elsie shpjegon se ky koleksion “lëviz” dhe paraqitet me leje të Institutit Mbretëror Antropologjik, anëtare e së cilës ishte miss Durham. Albanologu vjen në këtë tur paraqitjeje pas ekspozimit javën e kaluar në Prishtinë.

Me këtë rast, koleksioni i publikuar së pari në websitin e Elsies shoqërohet me një jetëshkrim se si këto arritën të realizoheshin nga Edith Durham, dhe konservimi i tyre deri në ditët e sotme.

***

“…Në vitin 1900, Edith Durham 37-vjeçare u nis me një mikeshë të saj për një udhëtim me vapor përgjatë bregut të Adriatikut deri në Kotorr. Udhëtimi e magjepsi dhe përtëriu. Një vit më pas, u kthye përsëri dhe udhëtoi gjerësisht në Malin e Zi dhe, më vonë, deri në Luftën e Parë Botërore, çdo vit ajo kalonte të paktën dy muaj në Ballkan, i cili iu bë pasioni dhe shpëtimi i saj. Në vitet 1902-1903, pasi kishte mësuar pak serbisht dhe shumë më tepër për historinë e Ballkanit, Durham bëri një udhëtim në Serbi për të mbledhur të dhëna për librin e saj të parë, Through the Lands of the Serb (Përmes trevave të Serbit), Londër 1904, ribotim 2015.

 

Ky libër përfshin edhe rrëfimet për vizitat e saj në Shkodrën dhe Kosovën e Perandorisë Osmane. Ishin udhëtime të jashtëzakonshme, që kërkonin guxim dhe këmbëngulje, veçanërisht për një femër që udhëtonte vetëm. Edith Durham i kishte që të dyja këto cilësi. Në fund të vitit 1903 u kthye për një qëndrim pesëmujor në Ballkan, ku punoi për Komitetin Humanitar Maqedonas (Macedonian Relief Committee). Ky udhëtim dhe gjendja e llahtarshme humanitare në zonat kryengritëse të Maqedonisë, përshkruhen në librin The Burden of the Balkans (Brenga e Ballkanit), Londër 1905, ribotim 2015, i cili përfshin edhe rrëfimin e udhëtimit të saj të parë në Shqipërinë e jugut dhe të mesme.

 

Gjatë viteve të mëpasshme udhëtoi në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë më vonë në librin e saj Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans (Disa prejardhje fisnore, ligje dhe zakone të Ballkanit), Londër 1928, shqip Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve, Tiranë 2009, me ilustrime të autores. Politika ekspansioniste e Serbisë dhe Malit të Zi, të cilën e kishte hasur në udhëtimet e saj, u bënë shkas që ajo t’iu kthente shpinën këtyre vendeve dhe t’i përqendronte më shumë vëmendjen dhe simpatitë e saj mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Në verën e vitit 1908 Edith bëri një udhëtim tjetër në Malin e Zi, prej aty në Shkodër dhe pastaj përmes malësisë së veriut deri në Kosovë, udhëtim ky i përshkruar në librin e saj më të njohur High Albania, Londër 1909, ribotim 2015, shqip Shqipëria e Epërme, Tiranë 2012.

 

Edhe sot e kësaj dite, shumë lexues janë të mendimit se ky është libri më i këndshëm në gjuhën angleze i shkruar ndonjëherë për Shqipërinë. Me kalimin e kohës, Edith Durham bëri mjaft emër ndër shqiptarët e veriut për interesin e treguar dhe mbështetjen e saj për çështjen shqiptare dhe shumë shpejt ajo filloi të njihej në malet e veriut si kraljica e malësorëve.

 

Madje tek-tuk ndër shqiptarët u përhapën edhe fjalë se ajo ishte motra e mbretit të Anglisë. Libri tjetër, The Struggle for Scutari (Turk, Slav and Albanian), Londër 1914, ribotim 2015, shqip Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë, Shkodër 2005, përqendrohej mbi rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës në kohën e pavarësimit të Shqipërisë. Ky është ndoshta libri i saj më ambicioz, një përshkrim i dhimbshëm i luftës, urisë dhe katastrofës humanitare. Gjatë asaj kohe, Durham vizitoi edhe jugun e Shqipërisë dhe konstatoi se gjendja nën pushtimit grek atje nuk ishte aspak më e mirë. Pas Luftës së Parë Botërore, botoi librin Twenty Years of Balkan Tangle, Londër 1920, ribotim 2015, shqip: Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Tiranë 1944. Ky libër përbën kulmin dhe sintezën e shkrimeve të Edith Durham. Ai përfshin periudhën nga udhëtimi i saj i parë në Ballkan në vitin 1900, deri në Luftën e Parë Botërore, dhe në një farë mënyre mund të konsiderohet si memoaret e saj. Vizitën e saj të fundit në Ballkan Edith Durham e bëri në vitin 1921.

 

Pas kësaj, kryesisht për arsye shëndetësore, ajo nuk ishte më në gjendje të kryente udhëtime të tilla të mundimshme. Megjithatë, mbështetja e saj për Shqipërinë nuk pushoi asnjëherë gjatë dy dhjetëvjeçarëve vijues. Durham ishte anëtare themeluese e Shoqatës Anglo-Shqiptare (Anglo-Albanian Association) në Londër dhe shkroi artikuj të shumtë shtypi si dhe “letra botuesit” të panumërta për t’iu kundërvënë mendimeve të gabuara dhe për të tërhequr vëmendjen mbi Shqipërinë dhe vuajtjet e saj…”, shkruan ndër të tjera Elsie, në rastin e paraqitjes së koleksioni të fotove të ’900-s.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama