Sali Shijaku rikthehet ne GKA pas 29 vitesh

Sali Shijaku rikthehet ne GKA pas 29 vitesh

U çel dje ekspozita vetjake e piktorit të njohur, Sali Shijaku. Ekspozita përmban 73 punë, 50 prej të cilave nga koleksioni i artistit në GKA dhe 23 nga studioja e tij. Ky është një rikthim i piktorit pas 29 vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve.

 

 

 

Kjo është ekspozita e parë vetjake e artistit pas viteve ‘90-të dhe vjen 29 vjet pas ekspozitës së parë të Sali Shijakut në GKA. Ekspozita përmban 73 punë, 50 prej të cilave nga koleksioni i artistit në GKA dhe 23 nga studioja e tij. Ekspozita dhe katalogu që shoqëron atë, përfshijnë ecurinë e zhvillimit të pikturës së tij që nis në vitet ’50 dhe është ende e gjallë dhe natyrale në ditët e sotme. Piktura e Sali Shijakut prezantohet në dy periudha dhe në dy interpretime ndaj botës pamore. Qëndrimi i tij artistik përpara viteve ‘90 dhe ajo çfarë karakterizon krijimtarinë e tij pas viteve ‘90.

 

Drejtori Artan Shabani është shprehur se GKA dhe Bordi artistik kanë pasur si qëllim t’i paraqesin publikut më të ri shqiptar dhe atij të huaj krijimtarinë e Sali Shijakut.

 

“Piktori është vlerësuar dhe ende vlerësohet nga publiku shqiptar si një ikonë e pikturës dhe e ngjyrës, dhe si një prej piktorëve të veçantë, që prezantoi në vite krijimtari të afërt me imazhin e jetës shqiptare, me kërkesat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, si para apo dhe pas viteve ‘90. Në një vështrim të përgjithshëm, arti i tij më cilësor dhe tërësia e krijimtarisë së tij bëjnë pjesë në kulturën themeltare të artit figurativ tradicional shqiptar. Krijimtaria e Sali Shijakut dhe prezenca e tij në Galerinë Kombëtare janë një vlerë e padiskutuar, prandaj mendoj se kjo do të jetë një nga ekspozitat më të vizituara nga publiku”, – u shpreh Shabani.

 

Piktori Ksenofon Dilo, miku i artistit, ndau me publikun kujtime nga miqësia e gjatë, ndërsa mbi ekspozitën u shpreh: “Vlerësoj se është bërë një punë shumë e mirë në instalimin e kësaj ekspozite, edhe pse nuk ka qenë e lehtë për arsye se është një ekspozitë jetësore ku përmblidhen kohë të ndryshme, motive të ndryshme. Duhet thënë se edhe koha lë gjurmët e veta në tablo dhe shumë vepra kishin nevojë për ndërhyrje restauruese, megjithatë mendoj se do të jetë një ekspozitë që do të zgjojë shumë interes. Përmes saj mund të marrim informacion të gjerë, jo vetëm artistik, por njëkohësisht për motivet që përmban sepse Saliu në këtë ekspozitë vjen tepër i larmishëm si në gjuhë, subjekte, por edhe stilin e tij të paraqitjes”.

 

Piktori Sali Shijaku shpjegoi se rikthimi me një ekspozitë vetjake në GKA ka qenë vazhdimisht në planet e tij, por u realizua vetëm tani. Ai falënderoi drejtorin Shabani për angazhimin serioz në realizimin e kësaj ekspozite. Sa i takon pjesës së krijimtarisë të ekspozuar, Shijaku theksoi:

 

“Pavarësisht se ka dallime mes dy periudhave, për mua krijimtaria ka pasur vazhdimësi dhe jo tranzicion siç përjetuan shumë artistë. Thjesht isha i vetëdijshëm se punët e mia nuk do të kalonin më në komisionet e vlerësimit. Nuk mund ta mohoj se periudha përpara viteve ‘90 ka qenë shumë gazmore, por edhe e vështirë, ne punonim me shumë pasion. Përgjithësisht na duhej të realizonim një pikturë të angazhuar ku duhej të vinim në pah punën dhe luftën e kombit, megjithëse përpiqesha që herë pas here të isha edhe rebel në disa detaje”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 qershor.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama