Ditën tjetër kërkova një mësues, me të cilin mora mësime për tre muaj rresht, në mënyrë që të merrja hakun para se të mbaronte puna me xhirimin e filmit". Mendimi i tij për t‘u cilësuar si "më i miri" ka nisur qysh kur ishte 16 vjeç, kur u tradhtua nga e dashura e tij e parë. "Kjo hodhi poshtë atë që unë mendoja, se më i miri nuk mund të humbasë asnjëherë. Por nëse ajo më tradhtoi, kjo do të thotë që unë nuk isha njeriu i duhur për të dhe pikërisht që nga ajo kohë vendosa që në jetën time nuk do të ndodhte kurrë më që ata me të cilët do të rrija të më braktisin, ose do të mendonin se nuk isha më i miri". Ndoshta shumë pak e dinë që para se të bëhej një yll kinemaje, Uill Smith ishte një rreper, ndërsa sot jo vetëm që interpreton me mjeshtëri filmat, por në shumicën e rasteve është edhe regjisor i tyre. Kjo është edhe arsyeja se përse e kanë përcaktuar si "One man Entertainment industri". Nga i ati, një tregtar frigoriferësh që punonte pa ndaluar gjatë gjithë javës, ka mësuar të mos bëjë kurrë naze kur bëhet fjalë për punën, ndërsa nga e ëma, sekretare në një shkollë, vlerën e diturisë.
Në të vërtetë, edhe pse Uill nuk ka frekuentuar për asnjë ditë ndonjë shkollë të veçantë, e ka shtëpinë plot me libra që të mësojnë dhe udhëzojnë se si mund të përballosh çdo argument dhe vështirësi të jetës. Jo më kot në bisedat me të mund të dëgjosh thënie dhe pjesë nga filozofët dhe njerëzit më të mëdhenj të shekullit. Pas suksesit me filmat e parë, i vendosi vetes qëllimin që të mos ishte vetëm një aktor i zoti, i pasur dhe i famshëm, por të bëhej më i miri i të gjitha kohërave. Modeli i tij i të kaluarës ishte Keri Grant, ndërsa ai bashkëkohori është Tom Henks. Por ndryshe nga ata, Uill pëlqen më shumë filmat fantastiko-shkencorë. "Një ditë analizova me kujdes filmat më të suksesshëm dhe me më shumë fitim në historinë e kinemasë dhe zbulova se pjesa më madhe e tyre ishin fantastiko-shkencorë, ndaj vendosa që të jepesha më shumë pas kësaj gjinie". Uill Smith fiton nga 20 deri në 25 milionë dollarë për një film, por kur është e nevojshme i investon të gjitha lekët e fituara pa asnjë hezitim.
Kjo ka ndodhur me dy prej filmave të tij: "Ali" dhe "The Pursuit of Happyness", ku së bashku me regjisorin vendosën që të shpenzonin një pjesë të mirë të fitimeve të tyre. Është një nga të paktët aktorë që i pëlqen t‘i prezantojë vetë filmat e tij jashtë vendit. Kohët e fundit sapo u kthye nga Azia, ndërsa në Japoni, kur e kuptoi se një gazetar e kishte zënë gjumi në konferencën e shtypit, e zgjoi dhe vendosi të bënte një fotografi me të. Interesante... Mes miqve të tij më të ngushtë janë çiftet Tom Kruiz - Keti Holms dhe David e Viktoria Bekam. Është një mbështetës i flaktë i Sajentologjisë: "Jam rritur në një ambient baptist. Shkoja në kishë, jetoja në një lagje hebraike dhe u dashurova çmendurisht me një vajzë myslimane. Ishte Tom Kruiz ai që më futi te Sajentologjia dhe për mua, që e quaj veten një studiues të feve të botës, është e rëndësishme të njohësh dhe të kuptosh gjithçka". Me kaq shumë punë nëpër duar, kohën e lirë ia kushton tërësisht familjes. Prej dhjetë vjetësh ylli amerikan jeton me Xhada Pinket-Smith dhe çdo ditë i jep martesës dhe sigurisht bashkëjetesës rëndësinë që i takon.
Takimi i parë me atë që do të ishte gruaja e tij e ardhshme u bë në zyrën e një këshilltari martesash dhe asnjë nga të dy nuk pranoi që të nënshkruante një marrëveshje paramartesore. Të dy tregojnë se sekreti i kësaj lidhjeje të shëndoshë qëndron shumë te mirëkuptimi dhe pak te puna. Kushti i parë i martesës së tyre ka qenë se asnjëherë nuk do t‘i tregonin njëri-tjetrit gënjeshtra. "Gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë", trego ai. Te filmi i tij më i fundit, "I am a legend", në krah të Uillit luan edhe vajza e tij 7-vjeçare. Ai vendosi që ta provojë sërish të ketë një tjetër anëtar të familjes në setin e xhirimeve, pas suksesit që pati kur u shfaq me djalin e tij 9-vjeçar në filmin "The Pursuit of Happyness". Për sa i përket punës që mami dhe babi i tyre bëjnë, fëmijët kanë mendime të kundërta: "Djali pëlqen vetëm histori të bukura. Nuk i interesojnë paratë apo suksesi i filmit në treg. Ndërsa vajza ka dëshirë vetëm të shfaqet në televizion, ta marrësh në intervistë dhe t‘i bësh dhuratë. Është njëlloj si të kesh në familje Xhoni Dip dhe Paris Hiltonin", përfundon ai.
Marre nga : Gazeta Shqip











