Te gjitha rruget te cojne ne Gjirokaster

Te gjitha rruget te cojne ne Gjirokaster

Janë 12 grupe që përfaqësojnë të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe rreth 50 artistë pjesëmarrës; ndër këta, 3 grupe konkurruese vijnë nga Kosova, 2 grupe nga shqiptarët e Maqedonisë dhe një grup nga shqiptarët e Malit të Zi. Të ftuar do të jenë edhe grupe nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e ShBA-së, Greqisë, Turqisë dhe Zvicrës.

Nga data 10 deri më 16 maj, Festivali Folklorik i Gjirokastrës shndërrohet në një festë të vërtetë me muzikë folklorike, kostume, panaire, zeje tradicionale, ekspozita, projeksione filmash, muzikë alternative dhe atelie të kërcimit të valles shqiptare etj. Këtë vit do të ngjiten në skenën e kalasë emra të njohur të muzikës, si Eda Zari, Olen Cezari, Rona Nishliu, Fanfara Tirana dhe Vikena Kamenica

 

Eda Zari, Olen Cezari, Rona Nishliu, Fanfara Tirana, Vikena Kamenica & Keli Band, Robert Bisha&Albanian Polyphonic Choir apo grupi i ardhur nga Bosnje-Hercegovina “Divanhana”, janë disa prej emrave që do të ndezin netët në Kalanë e Gjirokastrës gjatë Festivalit Folklorik, i cili do të zhvillohet nga data 10 deri më 16 maj. “Argjiro Fest_ON 2015”, është menduar si një spektakël gjithëpërfshirës, ku qyteti do të jetojë një festë me muzikë folklorike, kostume, panaire, zeje tradicionale, ekspozita, projeksione filmash, OPEN STAGE me muzikë alternative dhe atelie të kërcimit të valles shqiptare.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Kulturës, në këtë edicion do të ngjiten në skenë rreth 1200 artistë popullorë. Janë 12 grupe që përfaqësojnë të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe rreth 50 artistë pjesëmarrës, ndër këta 3 grupe konkurruese vijnë nga Kosova, 2 grupe nga shqiptarët e Maqedonisë dhe një grup nga shqiptarët e Malit të Zi. Të ftuar do të jenë edhe grupe nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e ShBA-së, Greqisë, Turqisë dhe Zvicrës. Festivali Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2015, ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, kulinarisë etj., të krijuara prej shekujsh nga populli.

Më 10 maj është koha për xhaz. Eda Zari & Band sjellin një performancë speciale me një përzierje të swing-ut me muzikën afrikano-veriore, funk-ut ballkanik, xhazit dhe melodive tradicionale shqipe. Më 11 maj, në skenën e Festivalit të Gjirokastrës do të ngjitet grupi nga Sarajeva “Divanhana”. Një grup që sjell një risi në arranxhimin e muzikës urbane tradicionale, me një theks të veçantë në tingujt shpirtërorë të sevdalinkës, muzikës, që më së miri shpreh ndjenjat pasionante të dashurisë si malli dhe melankolia, pasioni dhe gëzimi, me rrënjët në kohën e Perandorisë Osmane. Këngëtarja Vikena Kamenica do ta përshëndetë festivalin më 14 maj, e shoqëruar nga Keli Band.

Në mbylljen e festivalit skena do të jetë e gjitha e artistëve të mirënjohur, si violinisti shqiptar me famë botërore Olen Cezari, i cili vetëm pak ditë më parë pati koncertin e tij recital në Tiranë, këngëtarja Rona Nishliu, e cila gjithashtu organizoi pak ditë më parë një koncert në kryeqytet me albumin e saj më të ri të titulluar “Me motivet tona”, formacioni Fanfara Tirana dhe Robert Bisha së bashku me korin isopolifonik shqiptar.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është zhvilluar për herë të parë në vitin 1968, në Kalanë e Gjirokastrës. Në të morën pjesë të gjitha rrethet e vendit. Edicioni i dytë u realizua pas pesë vjetësh, për të vijuar më 1978, 1983, 1988, po në Kalanë e Gjirokastrës. Në vitin 1995, Festivali Folklorik i Gjirokastrës u zhvillua në Kalanë e qytetit të Beratit. Në shtator të vitit 2000 u rikthye në Gjirokastër. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988 janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij, çmimet janë ndarë për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.

 

Në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, që nis më datë 10 maj, studiuesi Loro Sata sjell një cikël studimesh mbi historikun dhe pasurinë e krijimtarisë popullore shqiptare.

Tiparet dhe interpretimi i këngës homofonike të Shqipërisë së Mesme

Rrethi emocional i tematikës, fjala vjen i këngës epiko-lirike, i baladës, i asaj lirike, liriko- intime etj., e përcakton në masë të ndjeshme mënyrën interpretuese të saj, por vendimtar është densiteti, thellësia e përmbajtjes poetike

Loro Sata

Në praktikën artistike të këngëve popullore, në skenën shqiptare, ndeshemi me këngën gjithëkrahinore shqiptare që nga Elbasani e Prizreni, Shkodra e Himara, Çamëria, Korça e Vlora, Përmeti, Dibra e Tirana, Gramshi e Lushnja, Berati Kukësi e Fieri etj. etj. ku përgjithësisht, përmbajtja zotëruese (sipas rastit) ngulmon në sferën heroiko- epike. Në kontekstin e tyre, si përmbajtje zotëruese, shquan pozicioni i thellë emocional epiko –heroik, i lirikës intime dhe shoqërore, ndërsa në rrafshin muzikor, shquajnë, një varg elementësh absolutisht të veçantë, asnjëherë të njëllojtë.

Elementët muzikorë, që përcaktojnë stereotipin e ndërtimit strukturor, të interpretimit vokal dhe shoqërim-ekzekutimit të këngës homofonike, kushtëzojnë në masë të ndjeshme, gjithë parametrat dhe interpretimin në tërësinë e tij vokalo- instrumentore etj.

Këto elemente iu nënshtruan një procesi përzgjedhës unifikues, dukuri që çoi vërtet në kristalizimin e tipareve relativisht të përafërta, por asnjëherë të njëllojta si p.sh. të ndërtimeve muzikore të këngëve homofonike si; në formë, strukturë, kadencime, melizma (zbukurime melodike rreth melodisë kryesore), shoqërim instrumentor si dhe përcjellja instrumentore e saj etj., por nuk duhet harruar se dukuria që mbeti element i rëndësishëm e i dukshëm thelbësor dallues ndërmjet tyre është : interpretimi vokal brenda modusit interpretues zanor krahinor lokal, brenda kontekstit kombëtar dhe kjo mënyrë interpretuese, në diversitet dhe gjithnjë sipas aftësive vokalo-interpretuese të këngëtarit dhe atyre shoqëruese-ekzekutuese të saj, ka qenë gjithnjë brenda psikologjisë, botëkuptimit dhe veçorive psikike, thellësisht shqiptare.Të tilla tipare dhe veçori shpalosin p.sh. stilet interpretuese të këngës homofonike të Shqipërisë së Mesme.

Dukuri që spikat p.sh. në këngët: “Valizake”, “Kanarina”, “Buzë Adriatikut”, “Karafili në saksi”, “Si m’ke sytë m’ke vetullat”, “Kanga e Halilit”, “Dola n’pyll s’më pret nagaçja”, “Artizane e Lumës”, “Te port’e kalasë”, “Ke Çeçmja e Kishës”, “Kur më vjen nga Voskopoja” e shumë e shumë të tjera; ndër to dhe këngët e spikatura për pastërti interpretuese dhe po brenda modusit tipik karakteristik krahinor e po kaq kombëtar, si këngët shumë të njohura “Baresha”, “Zambaku i Prizrenit” “ Kallma cigaren” etj., interpretuar me vulë personale nga këngëtarë që lanë gjurmë të dukshme në historinë kombëtare të interpretimit si: Hafsa Zyberi ( Xakja) e Fitnete Rexha, Nexhmie Pagarusha, Luan Hajraj, Liljana Çavolli, Bashkim Paçuku, Artiola Toska e Merita Halili, Eli Fara, Hyrie Sejllo e Fatma Zyberi, motrat Irma dhe Eranda Libohova, Mustafa Mehja, Lutfi Muça, Selami Kolonja etj. etj. Rrethi emocional i tematikës, fjala vjen i këngës epiko-lirike, i baladës, i asaj lirike, liriko – intime etj., e përcakton në masë të ndjeshme mënyrën interpretuese të saj, por vendimtar është densiteti, thellësia e përmbajtjes poetike.

Po kështu, vetë pulsi, vetë shpirti dinamik i zhvillimit të brendshëm melodik të këngës, pra shndërrimet, kryesisht melodike, ritmike apo ato agogjike, gjatë rrugës së ecjes së këngës, mbështetjet modalo – tonale, vetë mënyra karakteristike e stolisjes së melodisë reale, me shpërthimet e brendshme të vetvetishme emocionale, kaq të papritura të melizmave, zbukurimeve prej këngëtarëve, krejt të befta, janë aq të thekshme dhe po kaq tipike për trevën.

Ajo mënyrë frazimi e melodisë, mordentët dhe grupetët, ngjyra dhe timbri vokal në atë regjistër aq të ëmbël e të lirë të gjoksit, ato nuanca aq të veçanta e sa origjinale, i japin secilës këngë individualitet, vulë personale interpretuese, por gjithmonë brenda një ndryshueshmërie relative interpretuese ndërmjet këngëtarëve të ndryshëm, por të së njëjtës trevë. Këto lloj këngësh me tematikë të gjerë, përmbajtje të larme për trevën, strukturë melodike të shumëllojtë, brenda stilit homofonik, brenda ndjeshmërisë personale të këngëtarit interpretues, gjejnë strehëzën e vetë dhe kushtet ideale brenda shpirtit të këngëtarit përzgjedhës. Këto edhe për shkak të kahjeve të përkatësisë së vendlindjes, Tiranës. Po kështu, të vetë edukimit dhe parapëlqimeve artistike të këngëtarit apo këngëtares.

Prandaj, dëgjuesi që është dhe shumë i ndjeshëm ndaj këngës së vetë, heton dukshëm ngjizjen organike të vërtetësisë së mënyrës interpretuese të këngës të njërit apo tjetrit këngëtar. Shkak ky, më se i plotë që impulson, në zhvillimin dhe pasurimin e modusit interpretues të këngës. Si rrjedhojë, lindin edhe individualitete të ndryshme interpretuese. Brenda stilit të kësaj kënge homofonike, spikat lirika e thekshme, timbri i butë “kadife” e joshës i këngës së shtruar, i pasur në nuanca e ngrohtësi të regjistrit të kokës, por edhe të gjoksit. Këngë e pasur në theksimet aq karakteristike, pothuajse simetrike, të grup notave rreth melodisë kryesore të këngës.

Në këtë mënyrë interpretimi, dallon frazimi i pastër, frymëmarrja e gjerë që të çlodh e të mbush që në dëgjim të parë. Po kështu, kadencimi thuajse i lirë, që të lë mbresën e një shpërthimi spontan, të vetvetishëm, vazhdimisht i ngadalësuar, dukuri tipike cilësore vetjake e mënyrës interpretuese të këngëtares së shkëlqyer tiranase Hafsa Zyberit, e njohur si Xakja, të Fitnete Rexhës, pararendëset e ndritura të Artiola Toskës, Merita Halilit, Fatma Zyberit etj. Në këngët e interpretuara prej këtyre këngëtareve, vërehet se ato mbartin dhe përçojnë karakteristikat e elementeve më tipike cilësorë dallues interpretues, të këngës homofonike tiranase, spikasin me individualitetin personal interpretues. Le të kujtojmë këtu disa prej këngëve të interpretuara prej tyre si p.sh.:“ Si m’ke sytë m’ke vetullat”, “Valizake”, “Dola n’ penxhere”, “Artizane e Lumës”, “Myslym Shyrit” etj..


Autori është studiues dhe kritik muzike

 *Nga studimi: Krijimtaria artistike popullore folkloristike, sqepari i artë që gdhend përjetësisht vetveten: shpirti i intonacionit kombëtar në muzikë


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama