Berat te rinjte shqiptare dhe franceze rikthejne traditen e humbur

Berat, te rinjte shqiptare dhe franceze rikthejne traditen e humbur

Ndërsa shumica e të rinjve shqiptarë zgjedhin bregdetin për të shijuar pushimet verore, këta të rinj kanë gjetur një mënyrë tejet origjinale për tu argëtuar, por edhe mësuar në këtë sezon veror: Afrimin me traditën.

Bëhet fjalë për 10 të rinj të qytetit muzeal të Beratit dhe 10 të rinj të ardhur nga Franca, që u bashkuan për të risjellë në qytetin e lashtë një traditë të humbur: Gurskalitjen.

Të rinjtë dhe të rejat, nxënës të Aleancës Franceze në Berat, janë bërë pjesë e kampit ku mësuan nga artizanë beratas, teknikat bazë të gurskalitjes dhe më pas e ushtruan gurgdhendjen dhe shtrimin me kalldrëm, në njërën nga rrugicat e Lagjes Goricë, pjesë e Qendrës Historike, Trashëgimi Botërore.

Gurskalitja është një traditë e hershme në Qytetin e Beratit. Prej kohësh, banorët dhe të rinj dhe të reja të qytetit janë ushtruar në fushën e skalitjes së gurëve dhe shtrimit me kalldrëm të Qendrës Historike dhe Zonës Tampon të Qytetit.

Kjo traditë ka qenë një nga tiparet kryesore të qytetit të Beratit e cila u mundësonte të rinjve dhe banorëve aktivizim shoqëror, si dhe ruante dhe zhvillonte në mënyrë të qëndrueshme qendrën historike të qytetit të Beratit.

Qëllimi i këtij aktiviteti të mirëpritur nga Bashkia e Beratit, ishte rritja e ndërgjegjësimit të banorëve vendas për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e qytetit të Beratit, si dhe rritja e dialogut ndërkulturor ndërmjet të rinjve Francezë dhe Shqiptarë.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama