Vajza nga Kosova piktura qe provokoi serbet

'Vajza nga Kosova', piktura qe provokoi serbet

Një artist serb ka prezantuar në Prishtinë për herë të parë pikturën me titull “Vajza e Kosovës”. Milorad-Miqa Stajçiç duket se ka shkaktuar provokim te bashkëkombësit e vet me pikturën, e cila është simbol i historisë serbe. Vetë artisti thotë se provokimin e ka bërë edhe për shqiptarët.

Stajçiç u ka thënë mediave serbe, se me këtë fotografi ka dashur të “provokojë serbët, por edhe shqiptarët”, dhe t’i detyrojë të mendojnë. “Kushdo që e ka parë këtë pikturë nuk ka mundur të qëndrojë indiferent, sa i përket komenteve… Mund t’i merrni me mend”, thotë ai.

"Piktura “Vajza e Kosovës”, është një nga simbolet dhe ikonë e krenarisë serbe. Kosova gjithmonë paraqitet si djepi dhe zemra e Serbisë, dhe mendova me vete pse është ashtu. Në të vërtetë kur e dëgjoj fjalën Kosovë, gjithmonë ndiej njëfarë lloj ankthi dhe se atje jetojnë shqiptarët. Atëherë pse vazhdon të jetë i gjithë ky tregim simbol i Serbisë? Prandaj ishte e logjikshme që atje të prezantoj “Vajzën e Kosovës”, ikonën serbe, në një marrëdhënie të re dhe dimension paralel, ku personazhet në pikturë janë të veshur me veshje kombëtare shqiptare", është shprehur ai për “Blic”.

“Ideja e gjithë kësaj ishte që palës serbe t’i jap një reflektim mbi simbolet që përdorin sipas traditës dhe historisë, por kam menduar edhe për shqiptarët dhe situatën e tyre. Propozoj që mësuesit në shkollat fillore të mos u thonë fëmijëve: “Ne i kemi dëbuar serbët”, dhe se ne jemi këtu prej shumë kohësh më parë. Për shqiptarët, kjo pjesë do të ishte një dimension paralel”, ka shtuar Stajçiç.

Vajza e Kosovës është personazhi kryesor në këngën popullore serbe me të njëjtin titull. Ajo është një vajzë e re, që pas betejës së Kosovës endet nëpër fushat e betejës, shëron plagët e luftëtarëve të plagosur dhe kërkon dhëndrin, vjehrrin dhe kunatin. Sipas një kënge popullore, ata janë Toplica Milan, Millosh Obiliç dhe Kosançiç Ivan. Në fund, ajo takohet me një luftëtar të plagosur, kalorësin Pavlo Orloviç, të cilin e shëron.  Më vonë, ai vdes në duart e saj dhe i tregon se që të tre burrat janë vrarë në betejë.

“Vajza nga Kosova” është vepër e piktorit serb Urosh Prediç. Ajo është pikturuar në vitin 1912 dhe konsiderohet si një nga pikturat më të famshme në kulturën serbe.

“Kosovarja” e Stajçiçit është pothuajse identike (me disa ndryshime të vogla, por të rëndësishme). Milorad-Miqa Stajçiç, së bashku me dy artistë tjerë nga Beogradi, i kanë ekspozuar veprat e tyre në kryeqytetin e Kosovës në kuadër të festivalit “Muaji i Beogradit në Prishtinë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama