SHKA Dardania dhe grupi i artisteve nga Zvicra u mirepriten ne Gjirokaster

SHKA 'Dardania' dhe grupi i artisteve nga Zvicra u mirepriten ne Gjirokaster

Para pak çastesh patëm rastin të kontaktojmë me z. Shefqet Cakolli, kryetar i SHKA «Dardania», me te cilën po qëndron në Festivalin Folklorik Kombëtar që po mbahet në Gjirokastër, për të mësuar se si kanë kaluar grupi i Zvicrës dhe në veçanti SHKA «Dardania», duke pasur parasysh se është drejtues i kësaj shoqërie.

 

Zoti Cakolli enkas për «dialogplus», ndër të tjera, në lidhje me prezantimin e tyre që e kanë pasur mbrëmë aty nga ora 18.30, na tha: «Mbrëmë jemi pritur shumë mirë dhe morëm duartrokitje të gjata. Kjo është dhurata më e madhe për ne. Ndodhi një lëshim pa dashje, i cili u tejkalua meqë TVSH-ja nuk arriti ta regjistrojë paraqitjen tonë, pra të grupit të Zvicrës, e më pastaj kërkuam që të dalim edhe një herë dhe të regjistrohet, e kështu ndodhi. Deshëm, që të mbetemi në kujtesën e këtij festivali.

 

SHKA «Dardania» foto kujtimi në Gjirokastër, pjesë nga veshja e njërës nga vallet e paraqitura para publikut në Festival

 

Vlen të përmendet se mbrëmë, menjëherë pasi e kryem programin tonë, dolëm nga Kalaja deri në qytet, me surle e tupanë duke vallëzuar para shumë të pranishmëve në valle me banorët përreth, që na thoshin fjalë të mira, duke na uruar suksese të tjera dhe, po e them me modesti, se mbetën pa koment me programin tonë, duke thënë fjalë shumë të mira. Natyrisht, shoqëria jonë me buzëqeshje dhe duke u munduar që të jemi sa më të mirë, pa gabuar, ishte rezultat që ne e korrëm në këtë festival. E keni parasysh, njëzet vjet përvojë dhe jemi përgatitur në maksimum që të dalim mirë. Sa mirë do të ishte të ishim konkurrent të këtë festival dhe pa dyshim se do ta kishim zënë ndonjë vend. Megjithatë është shumë mirë dhe i jemi falënderues organizatorit që na kanë ftuar.

 

Nga qyteti kështu dukej Kalaja

 

Ndërsa sot kemi dalë nëpër qytet edhe me veshje kombëtare e me curle e tupanë po kalojmë shkëlqyeshëm në mes të Gjirokastrës. Edhe grupet tjera nga Zvicra, si Shkolla Shqiptare e Vallëzimit «Shota», SHKA «Ilirët» në Lozanë dhe Grupi Folklorik «Rapsodët» e Ajshe Muriqi-Fetaj janë mirëpritur shumë mirë nga publiku i pranishëm.

 

 

Kemi pasur shumë takime e do të kemi edhe sot në mbrëmje. Me një fjalë dhe nëpërmjet fotove shihet se grupet shqiptare nga Zvicra kanë gjetur mbështetje të madhe edhe nga shoqëritë tjera pjesëmarrëse në këtë qytet të Shqipërisë, ku po zhvillohet ky festival, që ka filluar nga data 10 maj dhe do të përfundojë më 16. Shoqëria jonë i pati tri valle dhe dy pika instrumentale. Është e pamundur që nëpërmjet fjalëve ta përshkruaj se sa bukur kemi kaluar.

 

 

Nesër do të kthehemi nga Gjirokastra për në Zvicër. Grupi i Zvicrës pati paraqitje të shkëlqyeshme, ndërkaq kemi dhënë intervista të shumta për mediet që ishin të pranishme. Ju falënderoj edhe një herë edhe ju nga «dialogplus» që na keni përcjellë dhe po na përcillni. I përshëndesim gjithë lexuesit tuaj, kudo që ndodhen».

 

 

Pra, siç na tha edhe z. Cakolli drejtpërdrejt nga Gjirokastra, kur po flitnim në telefon, dëgjoheshin edhe këngët e bukura të kënduara në atë momentin në festival nga grupet tjera pjesëmarrëse, që janë pritur mirë dhe do të kthehen në Zvicër me përshtypjet më të mira të mundshme. E kjo është Gjirokastra e cila është e gjitha në festë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama