Artan Shabani Brezi i ri i artisteve sot perballe nje sfide te veshtire

Artan Shabani: Brezi i ri i artisteve, sot perballe nje sfide te veshtire

Ekspozita Ndërkombëtare “Muslim Mulliqi”, e cila prej më shumë se një dekade organizohet nga Galeria Kombëtare e Arteve në Kosovë këtë vit erdhi nën moton “Talking about”. Ekspozita u kurua nga drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani, dhe fitues i edicionit  të 11të kësaj ekspozite për çmimin “Muslim Mulliqi” është Fani Zguro. “Këtë vit çmimi fokusohet në nevojat që ka brezi i ri i artistëve që sot ndodhen përballë një sfide të vështirë. Pas entuziazmit shpërthyes pas viteve 1990, të cilat zgjatën deri vonë, sot ndeshemi me problemesh të reja.

 

Nëse do të marrim vitet 1960 artistët do të linin qytetet për tu bërë pjesë reale e sistemit të artit, dhe për këtë nuk kishin shumë alternative (Paris, Londër, Nju York, Berlin) sot ky fenomen nuk ekziston më”, pohoi kuratori Shabani mbi ekspozitën. Sipas tij, jo vetëm nëpër kryeqytete e metropole, por për ironi, si dhe për fatin e të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e sistemit të artit bashkëkohor sot kemi muze e qendra për artin kudo, deri në provincat më të izoluara. “Kjo është një dinamikë zhvillimore dhe një politikë, e cila padyshim ndihmon. Por a ndodh e njëjta gjë me atë produkt artistik që po prodhon kjo gjeneratë artistësh? A ka ai të njëjtin vizibilitet? Sot kemi padyshim një super aktivizim nga të gjithë artistët, por mekanizmat me të cilat luhet për uljen dhe ngritjen e një produkti artistik janë gjithmonë e më shumë në të njëjtat parametra”, shprehet Artan Shabani. Sipas tij, ekspozita e këtij edicioni ka për qëllim të vejë në pikëpyetje disa aspekte të artit bashkëkohor duke nxitur debate e diskutim në vend që të paraqesë një qëndrim përfundimtar.

 

“Konceptualisht ekspozita trajton vështirësitë praktike për të “hyrë” sot në botën e artit, nga zona të “prapavijës”, si dhe rolin e sistemit të artit për të vendosur si arbitër”, vijon Shabani. Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë u përpoqën ti jepnin përgjigje pyetjes së njohur të Liam Gilick se “cili është imazhi i bashkëkohores sot?”. Njëzet e shtatë artistë shtjelluan me veprat e tyre idenë e paraqitur nga muratori Artan Shabani, duke sjellë këtë vit një dimension tjetër të kësaj ekspozite. Juria ishte e përbërë nga Krenar Zejno, Boris Brolo dhe Eqrem Basha. Fani Zguro është një emër aktiv në skenën e artit bashkëkohor. Pjesëmarrës në disa ekspozita ndërkombëtare, punët e tij janë ekspozuar në galeri të ndryshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama