Arome Shqiperie neser ne valet e BBC

Aromë Shqipërie, nesër në valët e BBC

Nëse shqiptarëve iu shkon mendja tek Kabaja e jugut, për të huajt është diçka e re dhe e interesante. Kjo është arsyeja pse vepra e Simakut u përzgjodh këtë fillimviti për tu transmetuar në një nga kanalet radiofonike më të njohura në Evropë. Nesër në BBC Radio 3, transmetohet programi me pjesë të zgjedhura nga Festivali i Muzikës Bashkëkohore në Huddersfield, më i madhi në Angli dhe nga më të rëndësishmit e muzikës bashkëkohore në botë.

Festivali u zhvillua në 16-25 nëntor 2007 dhe "Insomnio" u ekzekutua nga grupi hollandez i pagëzuar me të njëjtin emër, i drejtuar nga Ulrich Pohl. Vepra për 15instrumentistë, që zgjat rreth 15 minuta, u kompozua nga Simaku me porosi të përbashkët të radios gjermane Deutschlandfunk në Këln dhe grupit "Insomnio". Deri tani kjo vepër është prezantuar në dy festivale ndërkombëtare në Gjermani dhe është transmetuar nga Deutchlandfunk dhe MDR. "Jam i kënaqur, jo vetëm që mu dha rasti të prezantohem në Huddersfield, por se pjesa u prit mjaft mirë dhe tani është futur në programet e zgjedhura për transmetim nga BBC-ja", - thotë Simaku.

Nga 35 koncerte që pati festivali në Huddersfield, vetëm 5 do të transmetohen në Radio 3. Mësohet se në programin e parë prezantohen dy grupe hollandeze, ku interpreton dhe londinezi Irvine Arditti, muzikantme emër sot në botën e muzikës moderne, dhe violinisti i parë i Kuartetit që mban emrin e tij.

Po ashtu kompozitori Simaku na konfirmoi që "Insomnio" ekzekutohet në Hollandë në 15 maj, nën drejtimin e anglezit James Wood. "Në këtë pjesë, e gjithë muzika mbështetet në një tingull të vetëm, i cili prezantohet nga klarineta në fillim të veprës. Resonanca e këtij "objekti tingullor" dalëngadalë përfshin gjithë ansamblin, dhe këtu, përveç instrumenteve klasike, apo harpës "borgjeze", ka dhe instrumente që mund të konsiderohen si të rrallë në muzikën bashkëkohore, siç është mandolina dhe kitarra", - shpjegon Simaku.

Në "strategjinë" kompozicionale të Simakut, rëndësi të veçantë merr "transformimi gradual i shprehjes muzikore drejt një identiteti të qartë modal". "Ashtu si në gjithë muzikën që kam kompozuar kohëve të fundit, në këtë vepër nuk ka citime nga muzika folklorike, por ky "identitet modal" besoj se ndihet fare qartë. Ndërsa një dëgjues evropian mund ta marrë me mend origjinën e këtij tingulli, dëgjuesit shqiptarë besoj se mund t'iu kujtojë, kabanë e Shqipërisë së Jugut", - vazhdon kompozitori.

Për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta dëgjojnë përmes valëve të radios ka një tjetër shans. Vitet e fundit BBC Radio 3, me rubrikën "Listen again", ka krijuar mundësinë që disa programe të veçanta të dëgjohen në internet për një javë rresht mbas transmetimit. (http://ëëë.bbc.co.uk/radio3/hearandnoë/pip/hë51c/)

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama