...Prej kohësh, Coco mbante një ide fikse në kokë, e cila shpejt iu kthye në një obsesion të vërtetë! Nuk donte kurrë që të varej e as t‘i detyrohej askujt! Profesioni si këngëtare? As mund të bëhej fjalë për të! Ajo nuk i sillte aspak atë lloj pavarësie që donte dhe, ajo, vendosi të bënte një zgjedhje tjetër: Të bëhej modeliste! Të krijonte veshje për gra, të vizatonte, të qepte. Coco mendonte se moda e asaj kohe ishte shumë e ngarkuar dhe komplekse e, ajo do të dëshironte të bënte diçka, pikërisht ta thjeshtonte atë. Por që të punoje në atë fushë, pra në krijimin e modeleve për veshje, duhej të instaloheshe patjetër në Paris. Por, Parisi ishte tepër i shtrenjtë e vrasës, me plot konkurrencë të egër! E, ndërkohë, rrugë tjetër s‘kishte!
Fillimisht, Coco Chanel banoi tek apartamenti i një miku. Tek Etienne Balsan, në bulevardin "160 Malesherbes". Duke kërkuar që të çante me çdo kusht, Coco arriti të bindë Lucienne Rabaté, një modelist të ri mjaft të talentuar, i cili punonte te "Lewis" që të bashkoheshin e të punonin si ortakë. Më 1908-ën, ajo u njoh me një anglez të quajtur Arthur Capel, me të cilin jetoi edhe dashurinë më të madhe të jetës. Dhe, ishte pikërisht Arthur Capel që në vjeshtën e vitit 1910 i dha asaj një kredi, me anë të së cilës ajo arriti të merrte me qira një apartament të madh. Pas një viti Coco ndjeu se ishte e domosdoshme që të hapte një dyqan me emrin e saj. Pikërisht, në një rrugë të njohur të Parisit, aty ku ndodheshin modelistet e krijuesit më me emër të kryeqytetit francez. Dhe vendosi të hapë dyqanin e saj, mes rrugës mbretërore dhe asaj të operës. Në të djathtë të portës, ajo vendosi një pllakë me mbishkrimin e thjeshtë: "Chanel modes".
Kështu, të dy bashkë me Etienne Balsan, filluan punën si të çmendur e, pak nga pak, klientela nisi të krijohej. Fillimisht ishin të njohurat e saj, mikesha e shoqe, të cilat vinin tek ajo për të porositur kapele. E më pas, vesh më vesh, fjala mori dhenë e porositë nisën të shtohen aq shumë, saqë Coco do t‘i duhej të merrte disa punëtore për t‘i përballuar ato. Kureshtja dhe interesimi ndaj punës se modelistes së re rritej më tej, e për të bëhej fjalë edhe në qarqe të njohura të Parisit. Dhe, ajo vazhdonte punën me porosi të tjera, të cilat shtoheshin e shtoheshin, derisa ajo merr si të thuash shpërblimin e parë të "famës". Gazeta e njohur MODA botoi një artikull të gjatë, ku ngrinte në qiell talentin e modelistes së re Gabrielle Chanel. Shkrimi shoqërohej edhe me një seri fotografish me femra që mbanin modelet e kapeleve të saj. Por, megjithatë, do të duheshin edhe 5 vjet të tjera që ajo të dallohej në mënyrë të padiskutueshme në rrethin e ngushtë të modelisteve të kryeqytetit francez.
COCO BEHET "MODHISTER"
Gjatë verës së vitit 1913, zonjusha Chanel dhe i dashuri i saj, Arthur Capel, shkuan në Deauville, qytet turistik në zonën e Calvados. Arthur, djalosh me sens tepër të hollë e të ndjeshëm prej krijuesi modelist, mendoi se kishte ardhur momenti që ata të hidheshin në "sulm". Coco bleu një "boutique" dhe nisi nga puna. Shpejt arriti të tërheqë një klientelë mjaft shik. Përveç kapeleve, ajo vendosi në vitrinën e dyqanit edhe objekte e prodhime kozmetike, të cilat ishin krijime të saj, si edhe rroba e veshje, të cilat Coco i pati qepur për vete vite më parë. Por, metoda e saj krijuese ishte para se gjithash, eksperimentale. Ajo bënte fustane e funde sipas fizikut të saj, duke krijuar një modë sipas nevojave të saj specifike.
Coco kishte trup të vockël e krijoi fustane të lehta, pak të gjëra e të lirshme, në mënyrë që të maskonte ato anë të fizikut të saj, të cilat s‘i pëlqente. Duke qenë kundër stofrave të rënda, ajo preferonte copat e trikotuara. Të buta e të lehta, ato shkonin mjaft me stinën e verës, si edhe me qëndrimin shpenguar gjatë pushimeve. Coco mendonte se s‘ishte normale që gratë të mos mbanin rroba të tilla të përshtatshme, si për kohën lirë e po ashtu edhe gjatë argëtimeve. Ajo dëshironte ta ndryshonte mentalitetin në fjalë e, për atë qëllim, nisi të ekspozonte në "boutique"-n e saj modelet që kishte sajuar: fustane, funde, bluza, pallto të lehta etj. Kështu, nga idetë, modelet dhe qepjet e kapeleve, ajo kaloi në qepjen e veshjeve në përgjithësi.
Gjatë verës në vijim, ajo shkoi përsëri nga Parisi në Deauville. Por, në gusht nisi Lufta I Botërore e qyteti u boshatis. Megjithatë, miku i saj, Arthur Capel, e këshilloi që të mos ta mbyllte "boutique"-n e saj, por të priste e të shihte se si do të shkonin punët. Ndërkohë, pushtimi i një pjese të territorit francez, i shtrëngoi mjaft familje parisiene që të shpërnguleshin në Deauville, për arsye se aty e ndienin veten më të sigurt se sa në kryeqytet. Pjesa më e madhe e të ardhurve ishin borgjezë e aristokratë, të cilët kishin aty edhe vilat e tyre për verim. Dhe, ishte pikërisht në atë kontekst ngjarjesh që Coco Chanel filloi të bëjë famë e para të madhe. Siç tregonte ajo vetë: "Shumë gra ishin të detyruara që jo vetëm të jetonin, por edhe të kalonin jetën aty e, ato kishin nevojë që jo vetëm të bënin flokët, por edhe të visheshin". Dhe Coco ishte aty, pikërisht për atë gjë!
"REVOLUCIONI" COCO
Coco Chanel bëri një revolucion të vërtetë në mënyrën e veshjes, i cili nuk mjaftoi vetëm në përzgjedhjen e materialeve (trikotazhe leshi e xhersej), por iu kundërvu dhe modës së epokës, pra veshjeve femërore të renduara nga ornamentet e shumta. Ajo mendonte se te femra, ajo që kishte rëndësi të veçantë, ishte silueta e saj e përgjithshme, e cila duhej të vinte në dukje linjat e saj. Kishte ardhur koha të hiqej dorë prej teprimeve, pra ajo duhej që të zhvishej prej tyre. Për me tepër, kishte edhe diçka tjetër që e shtynte atë që të bëhej nismëtarja e lirisë fizike të gruas, të lëvizshmërisë së trupit të saj.
Qysh nga nisja e luftës dhe shkuarjes në front të miliona burrave, gratë ishin të shtrënguara të bënin një jetë më aktive e t‘u përshtateshin kushteve të jetës, gjithmonë në ndryshim. Dhe Coco pati idenë, vullnetin e talentin të dinte t‘i përshtatej asaj epoke të re, të krijonte veshje për një grua tashmë në evolucion kohor dhe shoqëror. Rrobat e lehta që ajo krijoi, mungesa në to e prerjes sipas masës, ishin në përshtatje të plotë me lirinë e trupit femëror. "Unë i ktheva trupit të femrës lirinë", do të shprehej ajo. "Ai trup jetonte në rroba parade, nën dantella, korsé, këmisha e plot gjëra të tjera të panevojshme".
Më 1926-ën, Coco "shpiku" fustanin e thjeshtë e të zi, që zuri vend shpejt në të gjithë gardërobat e, ajo shkoi edhe më tej, duke i hequr asaj zymtësinë e ngjyrës e duke e shoqëruar atë, me stoli të ndryshme plot fantazi. Ajo krijoi kështu një seri modelesh, ku përziheshin forma të sofistikuara e njëkohësisht të thjeshta. Pas krizës së vitit 1929, ajo krijoi rroba edhe më femërore. Frymëzimi i saj merrte udhë edhe nga sugjerimet e miqve të saj artistë, të cilët aso kohe mendonin për një veshje më avangardiste. Coco, ndërkohë, krijoi mjaft edhe për botën e teatrit e kinemasë, duke dhënë kontributin e saj në pjesët "Treni blu" (Le Train Bleu), 1924, "Sonte ose kurrë" (Tonight or Never), 1931, si edhe në shumë filma të Jean Renoir, të tillë si "Rregullat e lojës" (La Règle du Jeu), 1939.
...Por, për shkak të Luftës II Botërore, ajo e mbylli atelienë e saj të modës, e për shumë vite nuk doli asnjë prodhim që të mbante emrin e saj. Ajo doli përsëri në "skenë" më 1954-ën, ndërkohë që ishte 71 vjeçe. Ishte pikërisht në atë moshë që ajo krijoi koleksionin e saj të quajtur "Chanel", në të cilin bënte pjesë edhe i famshmi kostum (tailleur) femëror.
Influenca Chanel në botën e veshjeve u bë aq e madhe saqë ajo s‘kishte frikë se mos kopjohej. Ajo ishte e para dizajner, e cila kuptoi se riprodhimi i modeleve të saj nuk ishte veçse një shans më tepër për të, edhe pse s‘i sillte asnjë përfitim financiar. Coco Chanel jetonte qysh prej vitit 1934 në hotel "Ritz", në "Place Vendome". Ky ishte hoteli-pallat, i cili do të bëhej më pas vendbanimi i përhershëm i saj, për më se 30 vjet me radhë. Zonjusha Coco Chanel, vdiq po në atë rezidencë, pikërisht më 11 janar 1971 në moshën 88 vjeçe. Vdiq, duke lënë pas fjalët e saj të njohura: "E shihni, mund të vdesësh edhe kështu si unë!" E, ajo vdiq duke lënë pas një "perandori" të tërë. Ceremonia e varrimit u bë në kishën "La Madeleine" dhe pastaj trupi u çua në Lausanne (Zvicër), ku, sipas vullnetit të saj të fundit, ajo u varros.
PARFUMET CHANEL
...Ishte viti 1921 që Coco Chanel hodhi në treg markën e parfumit të saj të parë. Ai do të quhej Chanel N°5 dhe do t‘i besohej Ernest Beaux, krijues parfumesh pranë oborrit të carëve të Rusisë. Ernest Beaux do t‘i paraqiste zonjushës Coco Chanel dy mostra të ndryshme, ose më mirë të themi dy seri "kampionesh", që mbanin numrat nga 1 deri 5 e nga 20 deri në 24. Coco Chanel zgjodhi "kampionin" N°5. Kur atë e pyetën se si do ta quante atë lloj parfumi, ajo iu përgjigj: "Unë do ta hedh atë në treg më 5 maj, pra në muajin e pestë të vitit e për më tepër kjo epruvetë ka edhe numrin pesë. Atëherë le të quhet parfumi N°5, e uroj që ky emër t‘i sjellë atij shumë fat".
Pastaj, Coco vizatoi formën e shishes që do të mbante parfumin e saj të ri e që ishte mjaft i thjeshtë. Ajo u shpreh se ajo që ishte brenda saj, ishte tepër më e rëndësishme se shishja e vockël ku do të vendosej parfumi. (Më 1954-ën, në një intervistë, një gazetar pyeti Marilyn Monroe se çfarë përdorte për të bërë gjumë të qetë e të mirë. Aktorja e njohur u përgjigj plot naivitet: "Dy-tri pika Chanel N°5"). Dhe pse e thënë në mënyrë naive, ajo frazë u bë një slogan i shquar publicitar për atë parfum. Dhe çfarë shansi për Coco Chanel, për atë shprehje të Marily-n, e cila e bëri parfumin N°5 prodhimin më të shquar të saj.
Coco Chanel ia besoi fabrikimin dhe shpërndarjen e Chanel N°5, Pierre Wertheimer, asokohe tregtar i njohur, pronar i "Société Bourjois". Pastaj, mes viteve ‘20 dhe ‘30, Coco Chanel hodhi në qarkullim shumë parfume të tjera të njohura, mes të cilëve Chanel N°22 më 1922-shin, "Cuir de Russie" më 1924-ën, "Gardenia" më 1925-ën, "Bois des iles", më 1926-ën. Chanel N°19 (Cuir de Russie) e mori emrin me rastin e përvjetorit të lindjes së Coco Chanel. Parfumi "Chanel" nuk e ndërpreu kurrë "karrierën" e tij.
Më 1974-ën, Henri Robert krijoi parfumin "Cristalle". Më pas, më 1984-ën, ishte Karl Lagerfeld, i cili mori përsipër shpërndarjen dhe menaxhimin e parfumit "Chanel" nëpër botë. Pastaj, drejtimin e "Chanel-Parfums" e mori Jacques Polge, një specialist i shquar në parfumeri. Ai do të prodhonte parfumin COCO, në homazh të mademoiselle Chanel. Ndërkohë, më 1990-ën u hodh në treg parfumi "Egoiste" dhe në vitin 2002 u krijua një variant i ri parfumi i quajtur "Chance", i cili fillimisht u shpërnda në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada e më pas edhe në Evropë.
Më 1993-shin u paraqit një tjetër parfum: "Egoiste Platinum", i pasuar pastaj më 1996-ën nga parfumi "Allure". Pastaj, do të dalë në vitin 2002 parfumi i njohur në mbarë botën "Mademoiselle Coco". Sot, është familja Wertheimer, e cila ka edhe pjesën më të madhe në shoqërinë "Chanel", e cila vetëm në Francë ka të punësuar mbi 3000 vetë. Për sa i përket publicitetit, shtëpia Chanel do të përdorë për shumë kohë portretin e Catherine Deneuve, në mënyrë të veçantë për reklamën e Chanel N°5 e, më pas, artisten e shquar të kinemasë franceze, Carole Bouquet, e cila mishëron imazhin e francezes së epokës sonë.
Marre nga : Gazeta Shqip











