VIDEO/Shqiptarja e bukur qe surprizoi publikun me La Traviata

VIDEO/'Shqiptarja e bukur' qe surprizoi publikun me 'La Traviata'

Duartrokitje të gjata, lot, lule dhe përshëndetje nga publiku. Violeta e Ramona Tullumanit në skenën e Teatrit të Operas në Sofje ishte një sukses.

Fati tragjik i Violetës në interpretimin e Tullumanit, tingujt e Verdit dhe zëri i sopranos shqiptare e përfshinë publikun bullgar, i cili nuk mungoi të dhurojë një duartrokitje të gjatë dhe shumë vlerësime.

Mbrëmjen e 5 korrikut, që përkoi edhe me ditëlindjen e sopranos, dhuratat u shkëmbyen. “Shqiptarja e bukur”, siç e cilësoi shtypi vendas, i dhuroi publikut një emocion të gjatë dhe të fortë. Dhe salla e mbushur plot e Teatrit 125-vjeçar të Sofjes e shpërbleu lodhjen dhe punën e sopranos me duartrokitje e ovacione.

“Momenti që aq shumë e kisha ëndërruar”, u shpreh Tullumani pas shfaqjes. E lodhur, por shumë e kënaqur, soprano shqiptare vlerësoi bashkëpunimin me Operan e Sofjes dhe ftesën për të interpretuar në këtë vit jubilar, siç është ai i 125-vjetorit të krijimit të këtij teatri.

“La Traviata” mbetet në këtë mënyrë një ndër armët më të forta të Tullumanit, Violeta e së cilës ofroi emocion, ankth, dhimbje dhe dashuri. Në më tepër se 3 orët e shfaqjes, publiku u shfaq i etur për të dëgjuar dhe parë, një zë të bukur dhe një interpretim të veçantë. Një Violetë që vinte nga Shqipëria, por që ishte po aq e ëmbël dhe e dashur për çdo dashamirës dhe shijues së muzikës klasike.

Ramona Tullumani erdhi në interpretimin e Violeta Valerisë në operan “La Traviata” në Sofje, pas suksesit në Teatrin “Politeama” të Leçes (Itali) në muajin prill, me operan “Rigoletto”. Një vit më parë, ajo interpretoi në Operan e Sofjes rolin e Lauretës në operën “Xhani Skiki” (Gianni Schicchi).

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama