Sakrifica e Lakuriqit te nates

Sakrifica e
Për herë të parë në skenën e TKOB-it, u ngjit opereta "Lakuriqi i natës" ("Die Fledermaus"). Përgjatë katër netëve (18, 19, 21 dhe 22 dhjetor) solistët Mariana Leka, Etleva Golemi, Vikena Kamenica, Armando Likaj, Erlind Zeraliu, Dorina Selimaj, etj sollën një atmosferë të këndshme. I shkruar dy shekuj më parë, "Lakuriqi i natës" ofron një komedi situatash dhe ngatërresash, që në të vërtetë i has edhe sot. Gra e burra kurorëshkelës, gjyqtarë e drejtorë burgjesh të korruptuar, politikanë pijedashës, artiste mendjelehta dhe shërbëtore që duan të arrijnë nivelet e zonjave të tyre.

Komedia është ndërtuar në mënyrë simpatike nga regjisori Paul Flieder. Skena është thuajse bosh, për t'iu përshtatur aksionit të ngjeshur, ndërsa kostumografia e përshtatshme për sallone mondane. "Lakuriqi i natës" nuk është një operë klasike. Këtë ide ta krijon menjëherë vendndodhja e orkestrës, e cila këtë herë nuk qëndron brenda gropës së zakonshme, por është ngjitur në skenë, për të interpretuar atë muzikë aq të famshme, që fatkeqësisht pak mund ta dinin se është krijuar nën titullin "Lakuriqi i natës". Do të mjaftonte edhe vetëm interpretimi i orkestrës nën drejtimin energjik të dirigjentit Manfred Mayerhofer, që spektatori të dilte i kënaqur nga salla. E aq më tepër kur kjo muzikë vishet edhe me interpretimin vokal dhe atë aktoresk. Opereta u interpretua në gjuhën origjinale, në atë gjermane, e cila dukej të ishte përvetësuar mirë nga këngëtarët, ndërsa ndërpritej nga dialogje të shpeshtë në gjuhën shqipe.

Nuk është një rast fort i zakonshëm për publikun e operës të shohë duke luajtur teatër të mirëfilltë, Etleva Golemin, Vikena Kamenicën, etj. Krahas këngëtareve me një karrierë të padiskutueshme tashmë, si sopranot Golemi e Leka, që luanin rolin e Rosalindës, apo mexosopranos Kamenica, që luante rolin e një mashkulli, princit të ri Orloski, pjesa tjetër e trupës përbëhej nga këngëtarë fare të rinj, të cilët bënë një figurë shumë të mirë në skenë. Ndër ta mund të përmendim basin Armando Likaj në rolin e doktor Falkes, Elson Brahën në rolin e drejtorit të burgut, Roel Llupa në rolin e avokatit. Këta dy të fundit, më shumë se për vokalin u duartrokitën për interpretimin e tyre aktorial. Në një fazë të ndërmjetme (mes të rinjve dhe atyre me përvojë) janë sopranoja Dorina Selimaj, në rolin e shërbëtores Adelë dhe tenori Erlind Zeraliu në rolin e Eisenssteinit, që ndërtuan karaktere interesante si nga ana vokale, ashtu dhe aktoriale. Këtij ansambli zërash i erdhi në ndihmë edhe kori i drejtuar nga dirigjenti Dritan Lumshi dhe balerinët e TKOB-it nën koreografinë e Manjola Hasanit, që i shtuan edhe më tepër gëzimin skenës.

Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama